Qëllimi i këtyre shkrimeve të mbështetura në arkiva të sigurta, është hedhja dritë e të pathënave midis diplomacisë grekë dhe në vijim të asaj shqiptare. Vetëm kështu ky komunitet dhe shqiptarët do të mund të prekin të drejtën e mohuar në dritën e diellit. Por edhe diplomacia europiane të mund të shkundet nga gjumi letargjik. Çamët duan drejtësi.
Bashkëpunimi çam me okupatorin
Është tema e cila kënaqi pafundësisht alibinë në dokumentacionet prezantuese ku masakra dhe gjenocidi çam të mos meritojë vëmendje apo trajtesë të veçantë. Janë bërë shumë shkrime dhe reagime diplomatike. Por, jo vetëm. Historianët janë renditur në anë të ndryshme të historisë.
Në Raportin britanik “Force 399”, ndër të tjera thuhet: “Mund të ketë 100-200 çamë që kanë qenë bashkë me gjermanët dhe këta mblidheshin me ndonjë rast që kishte aksione, por kjo nuk justifikon vrasjen e mijëra çamëve. “Civilizimi” grek e tregoi veten kur dy patriotëve çamë vëllezërve Bako (Abedin dhe Gani) u nxorën sytë sepse i vetmi faj i tyre ishte se u mësonin fëmijëve çamë, nëpër shtëpia, fshehurazi gjuhën shqipe në Paramithi.
Po ashtu, edhe Myftiut Zeqirjaj të cilit ju prenë gishtat një e nga një dhe me një agoni të frikshme duke e tërhequr zvarrë nëpër qytet”. Këta shembuj ku ndëshkimet kolektive zbaviste urrejtjen greke. “Urrejtja greke karshi shqiptarëve myslimanë çamë, është tradicionale”, – thuhet në raportin britanik.
Si u grabitën Dinejt
“Familja Dino kishte llogari për të larë me grekët dhe shtetin grek, sepse pas pushtimit të Çamërisë nga Greqia, shteti grek, grabiti dhe konfiskoi çifligjet dhe pasurinë e tyre në Janinë, Paramithi, Gumenicë, Prevezë etj. Pastaj i shpalli “Non Grata”. Në një dokument të Rajhut gjerman thuhet:
“Kujdes me Beun e Çamërisë Nuri Dino. Ai për momentin bashkëpunon me ne për interesat e krahinës së tij, kurse nesër na kthen krahët. Ai është Nacionalist i tërbuar, do bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Madje këtë e vërteton edhe një letër ku Dino i shkruan komandantit partizan Shefqet Peci, ku ndër të tjera i kërkon të mos derdhet më gjak shqiptari, por të gjithë së bashku të luftojmë për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë.
Nofkat “bashkëpunëtor me okupatorin” nuk kanë fare lidhje sepse kjo luftë ka nisur që në 1913. Grekët e sotëm i mohojnë Masakrat që bënë ndaj shqiptarëve myslimanë çamë. Ligjet Ndërkombëtare që dolën pas Luftës II Botërore dhe që kanë fuqi prapavepruese, i bënë ata pjesëmarrës në Masakra, të vërtetuara katërcipërisht dhe nga vetë grekët.
Në Konventën e Mosparashtrimit të Krimeve të Luftës dhe Krimeve kundra Njerëzimit, thuhet: “Krimet ndaj Njerëzimit konsiderohen si krime që shkelin të drejtat ekonomike dhe politike të popullsive autoktone.” (Rezoluta e dhjetorit 1966) “Krimet e Luftës janë të parashkrueshme në cilëndo datë kur ato janë kryer.”
Në pikën 1 neni “b” thuhet: “Dënohet pa kufi kohor, dëbimi i popujve” dhe në nenin 2 të kësaj konvente sqarohet që: “Të vihen në zbatim edhe ndaj përfaqësuesve të autoriteteve të shtetit që tolerojnë kryerjen e tyre” , pra ata që janë sot në pushtet. Më qartë se kaq nuk ka ku të shkojë.
Por, pse vijohet njësoj?!Grekët mohojnë dhe Gjenocidin ndaj çamëve që Evropa e ka përcaktuar qartë, duke e përkufizuar prerë se; “Gjenocid është çdo akt që bëhet me qëllim për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht grupe kombëtare, raciale ose fetare, duke vrarë pjesëtarë të atij grupi me qëllim eliminimin fizik pjesërisht ose totalisht.” (Konventa e OKB-së e vitit 1948).
Disa nga këto dokumente të Europës si ajo e BE, nuk i ka firmosur Greqia. Por, kur shumica e BE i ka firmosur, atëherë edhe për Greqinë janë të detyrueshme si pjesë e saj. Historiani Jani Sharra thotë: “Këto ngjarje janë plotësisht të vërtetuara, të kryqëzuara dhe të padiskutueshme.
Shumë nga këta autorë kanë vdekur prej kohësh, të paktët që rrojnë do t’i kujtojnë dhe do të pendohen. Këto ngjarje ndodhën përpara syve të autoriteteve dhe me bekimin e tyre.” Artikulli i 7-të i Traktatit të BE-së për të gjithë anëtarët, thotë: “Të gjithë anëtarët të ruajnë respektin për dinjitetin njerëzor, për lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e Ligjit dhe të drejtave të njeriut.”
Çfarë respekti do të kenë anëtarët e BE-së për Greqinë kur ajo shkel një të drejtë të saj që është ligj për gjithë anëtarët?
Jani Sharra për të burgosurit gra dhe fëmijë.
“Në shtëpinë burg të Sali Hafuzit vdisnin përditë gra dhe fëmije 0-3 vjeç që nuk mund të gjejmë gjuhë për ta prezantuar këtë dramë ndaj myslimanëve që keqpërdoreshin dhe dhunoheshin me egërsi, ishin gjysmë të vdekura.”
“Sot, pas 43 vjetësh nuk kemi të drejtë të mos zbulojmë disa të vërteta të pakundërshtueshme dhe siç duam të dënojmë vrasjet dhe krimet e pushtuesit, aq më shumë do të na duhet të dënojmë krimet dhe vrasjet e fuqive të ashtuquajtura të çlirimit, si dhe keqbërjet e elementëve kristianë?!”
Kakllamànos (historian përfaqësuesi grek në Lozanë): “Shqiptarët jetojnë në një rajon qartësisht të përcaktuar të Epirit. Edhe pse të së njëjtës fe me turqit, nuk janë me ta.” (Libri “I Càmidhes” Dhimitër Mihallopullos f.11 Athinë 1993) A ka më qartë që të kuptosh se grekët kriminelë kryen Gjenocid ndaj çamëve?!
Niko Zhango (Historian): “Nga sa munda të mbledh, mund të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë. Do të duhet të na vijë turp për të gjitha ato që nuk ngjajnë me krenarinë e popullit tonë dhe të krenohemi me të tilla “vepra trimërie”. Therjet e grave dhe të fëmijëve nuk përputhen me zemrën e madhe të popullit të Epirit, i cili do që në histori të mbetet i pastër.”
Edhe SHBA-ja thotë : “Gjenocidi nuk mund të jetë kurrë një çështje e brendshme e cilitdo vendi qoftë ai” (G. Washington Post 9.11.1946). është e njëjta gjë që ndodhi edhe me Kosovën kur Millosheviçi vuri veton dhe tha “Kosova është çështja jonë. E rregullojmë duke i zhdukur të gjithë.” Të nesërmen NATO veproi menjëherë duke bombarduar Beogradin.
Kisha Ortodokse dhe ndikimi i saj
“Përpara me kryqin në njërën dorë dhe në tjetrën thikën”. Masakrat greke ndaj çamëve filluan me Bandat, të udhëhequra nga kisha ortodokse dhe politika greke. Më 1832 dhe sidomos pas vitit 1844 me Megalidènë (ide) e Jani Koletit, politika greke në bashkëpunim me kishën ortodokse filluan mësymjen nga veriu kundër etnive jo greke për nga feja dhe kombësia.
Këtë detyrë, fillimisht e morën përsipër Bandat. Historiani J.Kordhates shkruan: “Kapobandat greke pas vitit 1844 dhe në vazhdim, gjatë marshimeve drejt krahinave me banorë të etnive jo greke për nga feja dhe kombësia inkurajoheshin me parullën e njohur shovene (shoviniste); “Përpara me kryqin në njërën dorë dhe në tjetrën thikën”.
Që do të thotë se nëse nuk je dakord me kishën, do të theresh (J. Kordhates te libri “Istoria tis Enoteris Elladhon” f.132 Athinë 1985). Kjo armiqësi del qartë në raportin britanik “Force 399” ku ata thonë se; “Urrejtja greke karshi shqiptarëve myslimanë çamë është tradicionale.”
Masakra u zhvilluan nga kriminelë të dalë nga burgu
Sipas dokumenteve greke e gjithë banda së bashku me gjeneralin dhe Zervën ku u bë i njohur më pas me masakrat çame. Ishin elementë të rrezikshëm kriminalë ku vet shteti i kishte dënuar në burgjet me burgim të përjetshëm.
Zerva ishte me origjinë nga Suli dhe specifikisht nga fshati Qafë me emër shqiptar (gjyshërit e tij). Ky gjeneral pa shkollë ishte vetëm me kurse ushtarake dhe falë masakrave u bë gjeneral.
Për masakrat zerviste ndaj çamëve, kemi folur në shumë shkrime të tjera, por doja të saktësoja se këto masakra u ideuan në bashkëpunim të ngushtë me elitat politike si dhe ato kishtare greke. Krimet u ekzekutuan nga njerëz injorantë, pa asnjë klasë publike dhe vetëm me kurse ushtarake.
I nxorën nga burgu dhe i dërguan në malësitë e Paramithisë për të bërë masakrat ndaj popullsisë çame). Kriminel si Zerva dhe të tjerë si ai. Por, jo populli grek. Por, këto shkatërrime binin në kurriz të Minoritetit shqiptar mysliman çam. Prindërit tanë kishin shumë miq grekë, të cilët thonin; Ikni një orë e më parë, se zervistët kanë shkelur kryqin dhe nuk do të lënë as “mace të gjallë”.
Ne nuk u mbrojmë dot. Me këta miq grekë, ne kemi pasur korrespondencë me letra vazhdimisht (i disponojmë edhe sot) dhe nuk e harrojmë asnjëherë. Por, do të thotë ndonjëri nga ju se pse grekët dashamirës ndaj jush nuk u morën në mbrojtje. Dhe unë i përgjigjem: Pse gjyshi yt nuk mbrojti ndonjë ballist?! Ne për zervistët ishim kategoria e ballistit dhe shkuar ballistit. E provoi t’i mbronte edhe avokati Spiro Calluka, por zervistët e bënë copa-copa.
Unë jam munduar të tregoj me gojën e tyre, kalvarin e gjatë të vuajtjeve të minoritetit shqiptar mysliman çam ndër vite. Ngjarje të llahtarshme ndodhën te shqiptarët e Çamërisë në Përroin e Sèlanit në Mars 1913, organizuar nga Mitropoliti Neofit, ku u vranë 72 burra çamë, në fshehtësi të madhe dhe me armë të ftohta nga zbatuesi kriminel Deljanaqi nga Kreta (Gjirit).
Pasi u krye masakra Mitropoliti Neofit tha: “E kam për nder që vramë mbeturinat e Islamit në Greqi” (Vasil Krapsiti tek “I Musilmani Camidhes tis Thesprotias” f.132). Grekët na quanin Islam, d.m.th. turq dhe sipas parimit grek: Çdo Islam është turk dhe çdo Ortodoks është grek. Pra, ne nga grekët quheshim turq (turko-çamë), pastaj Lozana e zgjidhi përfundimisht këtë problem.
Masakrat në Përroin e Sèlanit
Ekziston një dokument në Arshivën e komunës së Paramithisë (Dhimarhio) ku komanda ushtarake italiane në Janinë (1917) i dërgon komandës italiane në Paramithi, një letër për vrasjen e 72 burrave çamë në Përroin e Sèlanit. Komanda italiane e Paramithisë nuk e verifikoi asnjëherë. Dokumenti thotë:
“Më 19 Mars 1913 Furarhio i Paramithisë mblodhi kryetarët, Petro Ringa, Apostol Zogani, Mitro Caci dhe Jorgji Pabro. Këta në kryesi të Dhespotit të Paramithisë krijuan një Komision i cili vendosi të arrestoj Parinë shqiptare të Paramithisë. U arrestuan shumë shqiptarë, por Komisioni caktoi Deljanaqin për të kryer detyrën.
Ekziston edhe një dokument që ndodhet në Arshivën e Ministrisë së Jashtme Shqiptare (Dos. 1 Dok. 22) i cili tregon ngjarjet në Përroin e Sèlanit (Paramithi) në Mars 1913, ku u vranë 72 burra çamë. Në dokument është dhe lista e të vrarëve në bazë fshatrash. Do të thonë grekët – që ku i dini ju të gjitha këto! Dhe ne u përgjigjemi – na i keni treguar ju, bile dhe Bibla e juaj, e thotë: “S’ka të fshehur që s’do zbulohet, as të heshtur, që s’do dëgjohet.”(Ungjilli pas Mateut).
Sekreti nuk është me sekret, kur e dinë dy vetë. “Mos vrit, mos vidh, mos jep dëshmi të rremë.” (Jezu Krishti) Jo se jam kundra kishës greke. Por kundra veprimeve të disa krerëve kishtarë të cilët nuk e zbatuan thënien e Krishtit. Dhe një gjë tjetër.
Shqiptarët nuk duan t’ia dinë për fenë. Anglezi Brukton te “Travels in Albania and their Province Tyrkie in 1809-1810 Londër 1858 f. 9 thotë: “Kur i pyesni shqiptarët; çfarë jeni, myslimanë apo të krishterë, ata përgjigjeshin – Jemi shqiptare.”
Më thoni një masakër të tillë (që u bë në fshehtësi të madhe duke përdorur armë të ftohta, ashtu siç e kanë zakonin grekët) nga shqiptarët për Minoritetin grek në Shqipëri! At Spiro Katundit pyet: Kisha jote ishte ajo te Përroi i Selanit? Edhe një gjë tjetër që s’dua ta lë në harresë. Për të gjitha këto masakra, si ekzekutues, grekët përdornin kriminelë të dalë nga burgu, banorë të Kretës.
I tillë ishte Deljanaqi (Kretas) që vrau 72 burra çamë në këtë përrua. Kretasit ishin edhe kriminelët në ushtrinë greke në masakrat e vitit 1914 në Përmet, Gjirokastër etj., të cilët deklaronin botërisht se “Ego ime o theos ollun to Ethnon” (Unë jam Zot i të gjithë kombeve). Kretasit ishin në kohën e Eksorisë në Gumenicë, ku Kristo Pituli (qytetar) u tha oficerëve grekë që merrnin zvarrë çamët për Eksori (internim): “Ju jeni të ardhur këtu nga Kreta, por ne do t’i pësojmë të prishurat tuaja.” (Jani Sharra f. 604).
Oreksi grek për të vrarë njerëz të pafajshëm vazhdoi: Në luftën e Janinës 1913, dy autorë (grek dhe gjerman) shkruajnë: “Pas pushtimit të Janinës (1913), ushtarët grekë, lanë kujtime të hidhura në popullsinë shqiptare të Çamërisë. Banda me ushtarë kretas të drejtuara nga Manolis Montakis, nga Granica, nuk kursyen asgjë të gjallë ndër Myslimanët.” (Historiani grek Fasopullos “Lufta e Janinës” f. 130). Gjermani Buehberg thotë :
“Pas pushtimit të Janinës në rrethinat e saj, kishte kufoma shqiptarësh të shpërfytyruar në mënyrë të egër”. (Buehberg “Vitet e mia në Shqipëri” f. 142). Mahnia greke për të zaptuar sa më shumë toka, i bëri ata për të çuar përpara idenë e greko-fanariotit, Aleksander Ipsilanti për të krijuar një shtet ortodoks në Ballkan më qendër Athinën dhe Kostandinopojën.
Ipsilanti thotë: “Si kryetar i Shoqërisë së Miqve (Filiqi Eteria “shoqëri e miqve”) u bëj thirrje ortodoksëve grekë, bullgarë, shqiptarë, rumunë dhe erminë, që të ngrihen kundër turqve në një kryengritje që do të ngjante si një kryqëzatë dhe do të synonte formimin e një shteti ortodoks me kufijtë e Perandorisë Bizantine dhe me kryeqytet Kostandinopojën.” (G. “Telegraf” 1.11.2013).
Kalvarin e gjatë të vuajtjeve dhe persekutimeve të Minoritetit shqiptar në Greqi, e tregon në mënyrë të përmbledhur autori grek Jorgo Margariti ku saktëson: “Të rrëfehen faktet tronditëse, jo vetëm të muajve të parë të vitit 1913, vitet 1923-26 (Andallaia “ndërrimi i popullsisë”), vitet ‘30-40 (Periudha e Metaksait) dhe ato të 27 Qershorit 1944. (Jorgo Margariti në librin “Bashkëpatriotë të padëshëruar” f. 141).
Autori grek Jorgo Margariti justifikon Masakrat, por thotë dhe disa të vërteta. Jorgo Kallanxhi thotë: “Çamët nuk u përndoqën dhe u vranë nga ushtri të ligjëruara greke, por nga forcat andarte (partizane) greke, të cilat dëgjuan dhe u udhëhoqën nga urdhrat e një komande të Frontit të Lindjes së Mesme.” Këtu duhet të pranojmë që jo të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë me okupatorin. Mirëpo qëndrimi i më të fortit dhe shumicës mori poshtë edhe të tjerët.”(Gazeta “Elefterotipia” e Korfuzit 29.5.1945).
Të njëjtin presion vijojnë të bëjnë edhe sot grekët nëpërmjet Elitës Politike ku përfshihen Presidenta, anëtarë qeverie, shtypi pro qeveritar etj. Bëjnë presion kundër çamëve dhe qeverisë shqiptare, që ne çamëve na ngjajnë si masakra. Shëmtuar flet ish-Presidenti grek Prokopis Pavllopullo, që mos bëftë prokopi asnjëherë.
Presidentit Pavllopullos unë i them: -Zoti Pavllopullo! Greqia mban të fshehur (dhe Evropa bën sehir) ekzistencën e Minoriteteve turq, pomakë, bullgarë, sllavo-maqedon, vllehë, hebre, romë. Këto minoritete në Greqi, janë aprovuar në Lidhjen e Kombeve në Lozanë (1923), sot ku janë?!
Ekstremizmi dhe Racizmi kanë lulëzuar tek ju shumë herët dhe qeveritarët e sotëm grekë nuk përmbahen. Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Kamenos (që shqip do të thotë “i djeguri”), veshur ushtarak, në majë të tankut deklaron: “Ushtria greke nuk e njeh kufirin tokësor më Shqipërinë.” (G. Telegraf 14.11.2018). Pse i duroni këto shfaqje të shëmtuara o qeveritarë shqiptarë, pse heshtni?!
Vijon…