Editorial

Ushtarin Llesh, nuk ka kush ta shpëtojë!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:51 - 10/12/20 |
Armand Maho

Edi Rama nuk kishte se ku gjente një ministër më të mirë për mentalitetin e tij qeverisës se Sandër Lleshaj. Servil dhe i përulur, arrogant me qytetarët, si detyrë kryesore ka të plotësojë fobitë e shefit të tij.



Në fillimet e tij ai (Lleshaj) duhet theksuar se përngjate paksa me një pikë të bardhë në fletën e errët të qeverisë së Rilindjes. Një lloj entuziazmi u vu re edhe tek kundërshtarët e tij mediatikë dhe politikë, të neveritur nga militantizmi dhe korrupsioni i dy ministrave të mëparshëm.


Në fakt, disi vend për një lloj shprese kishte, duke pasur parasysh CV-në e tij si ushtarak, por dhe për faktin se ai vjen nga një zonë ku mëshira kristiane është një ndër parimet themelore të jetës. Të gjithë prisnin një farë dinjiteti në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, të uzurpuar më parë nga trafikantë dhe militantë nën administrimin skandaloz të Sajmir Tahirit (Rama e promovonte si ministrin më të mirë të brendshëm) por pse jo dhe të Fatmir Xhafajt militant i vjetër i PS-së që nga koha e PPSH-së.



Shpresat se Lleshaj do kishte një tjetër qasje u fashitën që pa marrë detyrën. Elozhet për Ramën në daljen e tij të parë publike, lanë një shije idhtake. “Me Edi Ramën ndaj të njëtën mendësi dhe filozofi politike”, foli Sandri. Dhe ja ku jemi tashmë në vigjilje të vititi të tretë të tij. Mbi Lleshajn rëndojnë një sërë mëkatesh jo të vogla.



U zhyt me ndërgjegje në llumin politik të Ramës, duke dalë si mbrojtës i çdo afere korrupsioni politik. Lleshaj do ishte aty i pari, tashmë si ushtar i bindur i rilindjes, për ti vënë gjoksin çdo oligarku e miku të qeverisë. Spaletat e Gjenaralitit i kishte flakur tej për të veshur petkun e shërbëtorit të pushtetit.


Policia mori shpejt fytyrën e tij siç kishte premtuar, arrogancës që i vinte nga kompleksi i inferioritetit. Më në fund ai kish gjetur llampën magjike për të qenë në qendër të vëmendjes. Servilizmin ndaj “Zeusit” të gjithëpushtetshëm dhe autoritarizimin ndaj qytetarëve, të atyre që robtohen për të paguar makinat luksoze të tij dhe stilin aristokrat që kishte ëndërruar gjithmonë.

Lexo edhe :  "S'ka kryer shkelje"-Kthehet në detyrë kolegu i policit që vrau Klodian Rashën

E shoqëruar kjo me shkelje kushtetute, që nga ligji për policinë e shtetit e deri tek helmimi i familjeve me te mitur e foshnja me gazlotsjellës tek unaza e Re apo gjetkë. E gjitha kjo kulmoi kur një nga policët e tij, të një nga sektorëve më të pompuar si heronj ndaj krimit, që bredhin Tiranës me motoçikletat ulëritëse, qëlloi një djalë të vetëm 25 vjeç, për mëkatin e vetëm se nuk kishte zbatuar një akt normativ të Edi Ramës.

Sandër Lleshaj sot duhet të ndihet si limon i shtrydhur. Shefi i tij ka preferuar të bëjë pazar në New York, me shumë se t’a mbrojë. Edhe shërbëtorët e propagandës së pushtetit, s’po bëjnë asgjë. Nuk kanë folur për t’i dalë zot as Veliaj i Bashkisë që sajon çdo gjë për të goditur opozitën, as Spiropali, as Balla.

Këta të fundit nuk kanë probleme dinjiteti, por thjesht janë urdhëruar të mos flasin. Edhe ata zëra periferik që tentojnë të mbrojnë të pambrojtshmen nëpër ekrane, s’bëjnë gjë tjetër vetëm se i hedhin benzinë zjarrit.

Kush tenton të thotë, se në këtë mesele ku policia zbraz koburen mbi qytetarin nuk ka gisht pushteti, në rastin më të mirë duket si klloun dhe në rastin më të keq i paguar.

Ushtar Lleshajt s’i ka mbetur më gjë tjetër vetëm se të sillet vërdallë nëpër zyrën që kish ëndërruar gjithmonë, dhe të japë ndonjë urdhër arresti për minorenë nën akuzën “tubim në kohë pandemie”. Si vegël e pushtetit ai nuk tremb më askënd dhe në këtë narrativë s’mund t’a ndihmojnë më asgjë.

Në “Dimrin e vetmisë së madhe” që e ka kapluar, s’mund t’a ndihmojë më as miku i tij që e rekomandoi për president 8 vjet më parë. Ai mund të vazhdojë të zvarritet si fantazëm deri në zgjedhjet e 25 prillit, por vetëm kaq. Ushtar Lleshaj-n nuk ka kush e shpëton më.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas