Fier-Operacioni për lëvizjen e 6 vagonëve cisternë të një treni mallrash që u përmbys në hyrje të Fierit, mund të kërkojë evakuimin e një lagjeje të qytetit, por edhe të banorëve të shtëpive që ndodhen pranë vendit të aksidentit. Treni që udhëtonte nga Ballshi për në Malin e Zi, në linjën hekurudhore Fier- Lushnjë doli nga shinat para një muaji dhe vagonët e tij mbetën të përmbysur në natyrë në afërsi të Urës së Mbrostarit, disa metra larg trasesë së hekurudhës. Brenda tyre ndodhen më shumë se 400 mijë litra hidrokarbure. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, pas një takimi ditën e djeshme me krerët lokalë të policisë dhe funksionarë të tjerë tha se brenda dy ditësh do të fillojë aksioni për tërheqjen e karburantit nga cisternat, të cilat ai i cilësoi si tepër të sigurta. Po sipas tij janë marrë të gjitha masat deri dhe për evakuimin e popullsisë me nisjen e aksionit, ku marrin pjesë specialistë të huaj, nëse kjo do të ishte e nevojshme.