Aktualitet

“Vaj retorika dhe medet qeverisja”








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:28 - 31/08/20 |
Ardit Gjinali

Ky muaj politik po mbyllet nën rutinën e imponuar nga e keqja qeverisëse dhe që ndërthuret me një situatë aspak të favorshme globale; e tilla që është shënjuar nga fenomene dhe dukuri të pazakonta. Republika nuk mund të qëndrojë e pashënjuar nga ngjarjet apo dukuritë globale, por dukuria lokale e keqqeverisjes thellon efektet negative të cilat shtojnë praninë dhe ndikimin e tyre në jetën e çdo qytetari, pavarësisht përkatësisë të secilës formë. Rrugëtimi segmentar ndërmjet mungesës së bilancit dhe bilancit të zi thellon dhe imponon zhvillimin e një retorike të qëllimtë politike të pazakontë për të zhurmuar, sfumuar, larguar vëmendjen dhe relativizuar të keqen në sytë e aktorëve të tretë apo për të mjegulluar vëmendjen e qytetarit që vuan dhe ndjen në shpinën e tij shkelmin e arrogancës qeverisëse që reflektohet në dhunimin e parimit të transparencës dhe mungesës së llogaridhënies ndaj të tillit.


Raportet e njëpasnjëshme të organizatave të pavarura ndërkombëtare dëshmojnë regresin e thellë dhe të vazhdueshëm në çdo tregues qeverisjeje; dëshpërimin e thellë shoqëror; të rinjtë e larguar apo dhe të tjerë që i kanë sytë nga toka, ajri dhe deti për të shpëtuar nga dallgët mbytëse të medet qeverisjes. Raportet dhe sondazhet ndërkombëtare të publikuara gjatë gushtit të këtij viti janë shkundja më e mirë për pluhurin që shërben si mbulues i ndryshkjes të çdo segmenti efektiv qeverisjeje; – janë kambanat e alarmit që kumbojnë fuqishëm për të tashmen e rrezikuar dhe për të ardhmen në kufijtë e së panjohurës negative; – mbeten paralajmëruesi që qetësia e rreme për shkaqe stinore nuk shuan shqetësimin e vërtetë për pasojat përvëluese të praktikave keqqeverisëse që do të ndihen më së shumti gjatë dimrit të ftohtë, i tilli që nuk do të jetë vetëm stinor.


Humbja e fabulës qeverisëse e shoqëruar me kultivimin e mosbesimit të thellë shoqëror në planin e brendshëm dhe besueshmërinë e cenuar në planin e jashtëm janë shkaqet kryesore që KryeKreu thuajse çerekshekullor në pushtet thërret në apel “retorikën e sapunit”- një dëshirë e pashprehur për të gjetur një sapun që të pastronte fytyrën e njollosur të një qeverisjeje që nuk mbulohet nga makijazhi i propagandës false; një sapun i pagjetur sepse do të shkrinte në detin e madh të të pavërtetave të vazhdueshme që kanë shoqëruar rrugëtimin e kësaj qeverisjeje- një rrugëtim që ka nxirë faqen e Shqipërisë, por as nuk skuq apo nxin faqen e mazhorancës, që mund të nxihet apo skuqet vetëm nga rrezet e pushimeve që janë të bollshme në ditë dhe jo vetëm për të tillët, por të munguara për qytetarin e thjeshtë.


Ofshama njerëzore e artikuluar me një zë të ndrojtur në formën e pëshpërimës nën fjalinë “Ah kë na hodhi fati politik” nuk mund të jetë dekurajimi dhe dorëzimi i qytetarit të thjeshtë përballë murit të mermertë të medet qeverisjes. Ofshama, psherëtima dhe pëshpërima duhet të shndërrohen në zërin e lartë dhe të vendosur që inkurajon dhe motivon një bashkim të madh të ideve, vlerave, synimeve, energjive pozitive njerëzore; një bashkim i madh për vlerat më të mira të lirisë dhe mirëqeverisjes. Bashkimi i madh për ditë më të mira nuk është një thirrje rutinore, por një thirrje për të shkundur rutinën e së keqes që tenton të imponojë keqqeverisja përmes tentativës së vazhdueshme së të konsideruarit të të tillës si një normalitet. Bashkë sepse ka ende shpresë…



Etiketa:

Pas