fbpx

Aktualitet

Vajza e Kadaresë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar






               Publikuar në : 12:48 - 27/08/19 |
mapo.al

Mbrojtja e godinës së Teatrit Kombëtar është kthyer në një kauzë të vërtetë për një grup artistësh e qytetarësh që e gdhijnë çdo natë aty dhe organizojnë shfaqje falas që prej 24 korrikut, kur u tentua zbrazja e godinës si hap i parë drejt shembjes.


Çdo ditë këtij grupi i bashkohen njerëz të rinj, artistë ose qytetarë të thjeshtë. Të hënën në darkë, grupit protestues i janë bashkuar dhe vajza e shkrimtarit Ismail Kadare me bashkëshortin.



“Dje, rreth orës 19:00 në sheshin e teatrit erdhi Gresa Kadare dhe Risto Siliqi (djali i Llazar Siliqit). Bashkëshortë, ajo pedagoge në Francë e ai kërkues shkencor në një kompani. Kanë studiuar bio kimi dhe prej pothuaj 30 vitesh jetojnë në vendin e “lirisë, barazisë e vëllazërisë”. Vajza e shkrimtarit me të shoqin u ulën pranë Edmond Budinës dhe folën gjatë. Thanë se e kanë mbështetur gjithnjë kauzën. Thanë se përfaqësojnë vetveten dhe se nuk i janë fshehur atyre që mendojnë. Regjisori u rrëfeu 19 muaj protestë, 13 muaj përditë, e 30 ditë 24 orë. U rrëfeu “24 korrikun”. Bashkëshortët treguan mbështetjen e tyre në mbrojtje të teatrit. Më pas, kur erdhi ora e fjalimeve në shesh, të dy u ulën mes njerëzve. Edmond Budina i prezantoi dhe i falenderoi. “Jemi njerëz që e duam teatrin. Njerëz që besojmë. Ne jemi bashkë. Nuk na përçan askush, kam kënaqësinë të them se sonte kauzës sonë i shtohen edhe dy miq. Janë dy shkencëtarë. Gresa Kadare dhe Risto Siliqi. Ju faleminderit që jeni me ne. Ndaj ky teatër nuk do bjerë. Teatro të rinj të bëhen sa të duan. Këtu është vënë Doruntina, Nata me hënë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë”, tha Budina, – shkruan GSH. Ndërkohë vetë Kadare nuk është shprehur asnjëherë për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar.


Etiketa: ,

Pas