fbpx

Mapo Letrare

Vajzukja kundrejt botës lemerisur (Poezi nga Anna Mattsson)





               Publikuar në : 16:45 - 15/06/19 |
mapo.alm

Poezi nga Anna Mattsson


 Mes për mes kufijve të qelqtë rrëzohet



rrëzohet thërrmuar si krisalizë


vajzukja kundrejt botës lemerisur

virgjëreshë me grushte në vaj

m’u hidh në krahë vashë e motër imja

eja bëhu degëz kërcitëse

gjethe prushëruese ndanë udhe

frymëmarrje e bardhë – mërkur

po aq e bezdisshme, po aq e gjallë

në gjakun tend tash do të frymoj

vashë tmerri në sytë e gjithkujt

zvarritur në gjithçka, rraskapitur në gjithçka

ngjyrat hapërdahen

çdo ditë diçka të re mëson

emra të rinj për zogj e vende

skaje blu e pika të gjelbra

Të pashë duke kërcyer, të lashë të ishe

The se ishe vashë tmerri që unë lashë të ishe

Errësirë e ndritshme të lashë të jesh

duke kënduar nëntokë të lashë

dhe poshtë nën asfalt duart të skuqeshin

mbërthyer tek unë përmes dritareve të tokës

mbërthyer tek unë si zëra e plagë

ftesa festash lëkunden në tufë

aty do jesh, ti dërgove letrën

duke dërguar farëza në anktartidën tënde të re

Strehëz frike arteriet e tua

brendia jote rrezaton tmerr

befas ishe një fëmijë nën pelerinë

ra duke të zhveshur si një statujë

një përzierje e freskët barishte mermeri e mishi

vështrime që tmerrin ta ngrinë

e mbuluar nga klithmat e të afërmve

të peshuan në mënyrat e tyre brutale

 

sapo kapin dorën tënde e dashur

hidhesh prej tyre drejt hekurudhës

dhe hekurudha bëhet det e qiell

dhe qielli kthehet në një kuti blu

dhe diku atje zë të digjet

digjet në kazanët e fabrikave dhe shtëpi, e digjet ndër duar

tani smund të mbani një kastor

as mund të mbani një çafkë a një lejlek

mund ta mbani si fjalët në gojën tuaj

duke i mbajtur në çdo anë, duke i mbajtur mbi ujë

me gjethe të vogla e të shëndritshme

udhëtojmë drejt emrash të rinj

e tmerri do të varroset nëpër erë

në rrënjët që po shpërthejnë

një farë çdo ditë

pikëllimi juaj ka njohur

 

se jeta juaj shtrihet në pyll

 

në botën e nëndheshme askush ska nevojë të marrë frymë

ata kërcejnë pa pushim

për ca kohë kjo është shtëpia e vashës së tmerrit

botët pasqyruese të kohës së mbytjes

por tmerri e çoi përsëri në tmerr

ringjallur prej së vdekurish

dhe fjalët janë çka përfaqësojnë

pemë top lojë harresë

sërish e sërish ajo i thotë këto fjalë

dhe gurët vihen në dukje

vargu i vetmuar i premtimeve të gjalla

insekte që udhëtojnë nga një luftë në tjetrën

një letër që po digjej

the se nuk do të lindësh fëmijë

ishe vetë dikur fëmijë

që erdhi në një botë gjëmimi

magnetë e bimë pa emër

quhet hithër u përgjigja

hithër djegëse, madje

ti nuk e dije

ajo zbehet e tmerruar

me turp, vasha e tmerrit

Nuk i kërkoj justifikim

E lë të qëndrojë atje të zbehtë

 

dielli ka dalë

vasha e tmerrit është e ngazëllyer

asnjë këngë s’është më e fuqishme

sesa rrezet e diellit

tani jam lutur për të vetmuarit

e u kam dërguar rreze dielli

së shpejti dhe unë do të jem vetëm

kafshët janë më të vetmuarit nga të gjithë…

përmes qelqit dëgjuan të tanishmen

dëshpërimi i heshtur i kufirit të qelqit

a po dëgjon gërvishtje kufiri

zë që gërvisht qelq e këngë

 

Përktheu:Miri Çelaj

Redaktoi:Alisa Velaj

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas