Dikur

Valentini, Koliqi, Harapi, trinia e “shenjtë” e mendimit shqiptar














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 01:01 - 20/11/21 |
mapo.al

Nga Ndriçim Kulla






Njerëzit e jashtëzakonshëm shkojnë një jetë, le të thuash baras me të tjerët, porse dallohen në këta se shpirti i tyre, si në një vegim të qartë, e sheh idenë, e lehtas i përfshin në një sintezë mendimet, zakonet, veprën e jetës e shumicës . Në po këtë rrugë, eci dhe përfaqësuesi më i madh i brezit të dytë të françeskanëve, Anton Harapi. Ai ishte i bindur se “kemi pse të mbahemi shqyptarë, kemi njerëz për të cilët të lëvdohemi, kemi gjuhë, shpirt e zakone mos me i pasë lakmi kuj…”. Kjo ishte deviza udhëheqëse e të gjithë atij koncepti të kulturës që brumosi dhe rrezatoi e gjithë Shkolla Katolike e Veriut. Gani Bobi pedagog i filozofisë dhe studiues kosovar, këtë rrymë ose grupim intelektual e ka quajtur tip monumental i kulturës, kurse unë do ta perifrazoja të tipit esencialist, të orientuar drejt ruajtjes së ekuilibrit psikiko-mendor të zhvillimit të shqiptarit, duke ia ruajtur visaret morale dhe shpirtërore, por pa u bërë i huaj për të. Bëhet fjalë për një ideologji të tërë që mbështet tradicionalizmin, prirjet e natyrshme të kombit, vetitë pozitive të racës. “Lumnija shoqërore gjindet ndër ne”, do të vërente Fishta, “ajo qëndron brenda zakoneve tona si një statujë e bukur hyjneshe”. “Palci i jetës dhe i shpirtit shqiptarë asht i shëndoshë e i papritun” do të parashtronte Harapi si bazë nga ku duhej nisur puna rindërtuese. Del i qartë një kontrast i tillë në recensionin që Harapi i bën librit të Koliqit “Tregtar flamujsh” kur vlerëson synimin e tij mbi reformën e dokeve shqiptare, së cilës ai kërkon t’i bashkëngjitë edhe problemin e moralit publik. “Po deshtët vërtet ta edukoni popullin shqyptar, e jo ta dejni”, këshillon Harapi shkrimtarin, “merrni parasysh fuqinë morale e shkallën e kulturës shpirtërore të lexuesve, e peshojeni mirë shka atyre mund t’u mbajë kërçiku i shpirtit, e shka nuk e ban”. Është kjo kërkesë për masë, konstantja që do e dallojë gjithë kohën Harapin në procesin e emancipimit shqiptar, që ai ndërmori në faqet e “Hyllit të Dritës”.


“Jemi për udhë, e do t’ia mbrrijmë, por jo me kapërcime të rrezikshme, veç me hapat e evolucionit të arsyeshëm, i cili është njimend më i kadalshëm, por i sigurtë – këshillonte ai. Mirëpo në këtë udhë, problemi thelbësor që duhej zgjidhur ishte qëndrimi ndaj Kanunit, dhe raportit të tij me traditën shqiptare. Koliqi, njëri nga njohësit më të thellë dhe vlerësuesit më objektivë të këtyre traditave ka arritur në veprat e tij të argumentojë bindshëm njohjen dhe ndjekjen e tyre, duke i vënë në themel të bashkëjetesës sonë. “Pa tharmet e traditës s’ka përparim qytetërues shqiptar”, shpjegon ai. “Ata që kujtojnë se duke u nisur nga asgjëja mund të krijojnë një histori kombëtare të re, u ngjajnë personazheve të përrallës persiane që besonin se mund të bëhen litarë me rërën e detit.







Në këtë përpjekje të tij Koliqi do të gjejë një mbështetës dhe propagandues akoma dhe më të madh, Zef Valentinin, nëpërmjet studimeve shkencore që ai kreu për Kanunin e Lekë Dukagjinit ose më saktësisht, Kodin e Maleve Shqiptare, ku përmbahej tërësia e rregullave dhe të drejtave zakonore që udhëhiqnin jetën dhe botën tonë. Atë, ai e quante çelësin për të depërtuar në hapësirat më të fshehta të shpirtit shqiptar. “I ngjallin mëshirë ata shqiptarë të cilët, tue u heqë si të përparuem, e konsideronin Kanunin si nji tanësi ligjesh barbare që hedhin hije mbi dhuntìt qytetare të rracës sonë”. Kështu do të shkruante autori në përkujtimin e 70-vjetorit të tij të lindjes, në një numër të posaçëm që Shejzat botuan për të.




Padre Valentini, duke u bërë vetë shembull udhëheqës i këtij pozicioni, i këshillonte studiuesit e rinj të dilnin prej nebulozës së miteve patriotike dhe t’u përvisheshin hulumtimeve historike. Ishte ky një mision jete, për pasurimin gati kapilar të historiografisë shqiptare, sidomos asaj mesjetare dhe skënderbegiane. Shkëlqejnë në këtë kurorë që ai i ka dhënë Shqipërisë, 30 vëllimet monumentale të kryeveprës së Valentinit, që përbëjnë edhe një gur themeli të albanologjisë moderne shqiptare, “Aktet shqiptaro-venete”, që përfshijnë dokumente që nisin nga 17.VI.1301 deri në fund të vitit 1463, e që përmbledhin një numër të jashtëzakonshëm dokumentesh, plot 7667 akte, të gjitha të mirësistemuara, të transkriptuara e të shoqëruara me një koment thelbësor, për ndodhitë dhe fjalët më të rëndësishme, të formuar përmes indekseve të ndryshme dhe glosarëve (fjalorë dhe glosa të vjetra) që i bashkëngjiten normalisht çdo vëllimi. Ato janë redaktuar kryesisht në latinishten mesjetare, të pasura me elemente lokale, venetë, shqiptarë etj., ose në gjuhën e vjetër venete, ose pjesërisht në gjuhë të tjera si katalane apo bizantine, gjuhë këto të gjitha të njohura nga autori.



Po njëlloj, nuk ke si të mos mbetesh i mahnitur edhe përballë ndërmarrjes që ai i kushtoi studimit të kodit tonë zakonor, për t’i dhuruar kështu kësaj fushe të kulturës sonë, një korpus të tërë veprash monumentale. E filloi me “Mendime paraprake dhe të përgjithshme mbi kanunin” të botuar më vete në vitin 1942 në “Studime dhe tekste”, së cilës i shtoi “Fiset e Shqipërisë së Veriut: Shënime mbi organizimin e tyre shoqëror dhe politik” (botuar në vitin 1943). Pastaj vazhdoi me “Kanunin e Lek Dukagjinit sipas versionit të Mark Sadikut, të parit të djelmnisë së Shalës” . Për ta përfunduar me ajkën e hulumtimeve të tij në lëmin e studimeve mbi kodin tonë zakonor, ku spikat një treshe e madhe. Do të fillojë me “Familja në të drejtën tradicionale shqiptare” (Vatikan, 1945). Argumentet e trajtuara në këtë libër kanë të bëjnë me shoqërinë familjare shqiptare, ashtu siç ajo konsiderohet nga Kanuni e ashtu siç ajo njihet në doket dhe në zakonet civile, d.m.th. jo si një “bërthamë” natyrale (nënë, babë, fëmijë ose të afërm që jetojnë nën një çati), por në një kolektivitet prej shumë familjesh (natyrale) që jetojnë në të njëjtin vend, në udhëheqjen e një kreu, e që kultivojnë një pronë të pandarë, duke nxjerrë e duke marrë në mënyrë të barabartë frytet e saj. Vijon me “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (Firence, 1956), ku trajtohen gjerësisht parimet themelore të së drejtës publike shqiptare dhe në shtojca të veçanta jepet një informacion i bollshëm mbi fiset antike ilire dhe fiset shqiptare të mesjetës dhe kohëve moderne.

Nëpërmjet gjithë këtyre punimeve, ai do të argumentonte shkencërisht një përfundim gati paradigmatik në historinë e kulturës sonë. “Në Shqipëri gjejmë një tërësi traditash juridike edhe sipër së drejtës civile, edhe poshtë, në thellësi të saj, në mënyrë që duke ruajtur dhe shpjeguar parimet e përgjithshme ose normat e përgjithshme të së drejtës, dhe duke e bërë një gjë të tillë në mënyrë befasueshmërisht logjike e të pranueshme, ajo të na paraqesë spektaklin e një konceptimi të vërtetë e special juridik të ruajtur, të paktën sipas asaj që njohim ne, për jo më pak se 16 shekuj”. Ndërsa në parathënien e librit “Ligji i maleve” do të shkonte edhe më tej: “antikiteti, personaliteti dhe fisnikëria e popullit shqiptar demonstrohet nga mentaliteti i fuqishëm juridik, jo më pak e ndoshta më shumë se sa dhe vetë gjuha dhe poezia e tij”.

Mesit të gjithë kësaj vale, që mund të quhet edhe një lëvizje kulturore mendore dhe filozofike për të nxjerrë në pah vlerat e mentalitetit juridik të ngulitur në psikikën historike të shqiptarit, nuk do të ngelte natyrisht pa u përfshirë edhe Koliqi, sidomos me një studim sa origjinal, aq edhe të punuar në një këndvështrim shumë të veçantë, siç është leksioni i mbajtur pranë Institutit Mbretëror të studimeve romake në Romë, më 1942, me titullin “ E drejta e kanunit shqiptar dhe e drejta romake”. Ishte ky ligj ai që ruajti tharmin e vet indoevropian përgjatë shekujve, duke përbërë kështu një bllok ersatik për mbrojtjen e personalitetit iliro-shqiptar deri në ditët tona. Kjo ide e shtyu Koliqin të hiqte një paralele midis kuptimit të lartë, moral dhe qytetar që e frymëzon këtë ligj dhe antikitetit romak dhe ligjeve të tij. Kështu, ai nis të bëjë krahasimin me librin e famshëm të Ciceronit “Republika”, për të gjetur ngjashmëritë e qeverisjes romake dhe Kanunit tonë. Sipas Ciceronit, ndër të tri trajtat e qeverisjes – monarkisë, aristokracisë dhe demokracisë – asnjëra s’duket në vetvete më e mira, përkundrazi, më e pëlqyeshme do të qe një trajtë e katërt, që përbëhet nga elemente të matura e të mirëpeshuara, të marra nga secila prej tyre. Në përfundim të studimit të vet krahasues për të gjitha këto elemente, Koliqi do të shpallte arritjen e tij të madhe, duke thënë: “Është për t’u theksuar se të tre këto lloje qeverisjeje gjenden të bashkuara përpjestimisht në konstitucionin e fisit shqiptar, pasi aty shohim fuqinë monarkike te institucioni i bajraktarit, fuqinë oligarkike te këshilli i pleqve dhe fuqinë demokratike te institucioni i djelmnisë”.

Fatkeqësisht, dallgë tronditëse idesh kundërshtare, siç ishin idetë komuniste, e ndërprenë veprën e filluar nga brezi që u shfaq plot vullnet përtëritës në skenën kulturore e politike të Shqipërisë në fillimet e viteve tridhjetë. Me këtë brez dhe lëvizjen e mendimit që ai krijoi, ra dhe barriera e fundit e patriotizmit me frymëzim europian. Regjimi komunist, sapo erdhi në fuqi lëshoi akuza të rënda edhe ndaj kësaj trinie të shenjtë të Shqipërisë që përfaqësonin shpirtin shqiptar të shfaqur në tri format e tij madhështori të eruditit, poetit dhe martirit. Po si reaguan ata? At Valentini përballë gjithë kësaj mosmirënjohjeje vazhdoi qetësisht aktivitetin e tij në fushën e albanologjisë. Me këtë qëndrim të tijin, shpjegon Koliqi, “ai zbuloi karakterin e vet burrnor, të denjë për idealin e fuqìs njerëzore të trajtuem në Kanun, duke dhënë provën se në të ishin mishëruar jo vetëm burrnia, por edhe dashurìa për Shqipërinë, që kish arritur të lëshojë rrajë të forta thellë në shpirtin e tij”.

Patër Anton Harapin xhelatët e vranë.

Koliqi, i treti i mbetur gjallë në azil politik, duke iu referuar komunistëve do të parathotë: “Profetët e rremë mashtrojnë veten: karakteri shqiptar i farkëtuem në shekuj nëpër shtërngata e fatkeqësi, as edhe këtë here nuk do të përulet. Do t’i rikthehet autoktonisë e atëherë edhe ndihmesa e dhanë nga At Valentini për kulturën dhe jetën e vendit tone, do të ketë mirënjohjen e meritueme prej atyne që e duen popullin me gjak shqiptari dhe shpirtin e tij”. Ky është dhe misioni i brezave të ardhshëm të studiuesve të këtyre përfaqësuesve të mëdhenj të mendimit: t’i njohin këto tradita si një trashëgimi e shpirtit kombëtar e ta derdhim yndyrën e saj në kulturën dhe qytetërimin shqiptar të shekullit XXI.

1



CLOSE
CLOSE
Pas