Aktualitet

Varfëria/ “Mapo” në marketet e Kamzës, Fushë-Krujës dhe Elbasanit







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:37 - 28/07/19 |
Nga Mirgen Çela

Nga Mirgen Cela


Sipas raporteve të institucioneve të specializuara, Shqipëria është një vend tejet i varfër. Disa prej tyre thonë se 1/3 e popullësisë nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e ujit dhe dritave. Shqiptarët kanë konsumin më të ulët në rajon, thotë një raport dhe një tjetër i Bankës Botërore bën me dije se 35.2% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë. Shifrat e statistikat megjithatë janë pa shpirt. Nëse do të kuptosh përmasat e gjalla të varfërisë, duhet të prekësh nga afër stacionin e fundit. Marketin e lagjes.


Gazeta Mapo ka kryer një vëzhgim në disa qytete dhe zona të Shqipërisë, në Kamëz, Fushë-Krujë, Tiranë dhe Elbasan, për të parë se çfarë ndodh në këto dyqane ku njerëzit marrin bukën dhe ushqimet kryesore për të jetuar. Jemi në rrugën “Frederik Shiroka”, një lagje mesatarisht e pasur në kryeqytet. Të shohësh nga jashtë supermarketin, “Joena”, mendon se punët shkojnë mirë. Askush nuk del pa qeset plot. Një nga punonjëset e kasës, thotë se aty çdo gjë blihet, pra nuk ka borxhe. Dhe njerëzit nuk e masin shumë dorën kur vjen puna tek produktet kryesore.



“Marrin makarona, oriz, vezë, por më shumë ecën gjalpi, gjiza, djathi, mishi. S’njoh njeri që jeton dobët këtu. Mbi 20 mijë lekë e lart ka tek ne. S’më ka ndodhur ndonjëherë t’më vijë njeri të kërkojë ushqime me lekë borxhë apo gjëra të tilla. Eshtë e dukshme dhe nga numri i njerëzve”– tregon shitësja 30 vjeçare.



Por kjo ishte një ndalesë në një lagje të mbajtur të Tiranës.

Ndodhemi në supermarketin “Manreka” në Bathore, rrugës drejt Zall-Herrit. Këtu konsumi është shumë i ulët. Bukë, vaj dhe ndonjë makaron. Në pamje të jashtme duket që është një investim goxha i madh, një supermarket gjigand.

Pronari është Xhevahir Manreka 34 vjeç. Sipas tij rreth 70-80 përqind e familjeve në këtë zonë nuk kanë shumë mundësi të blejnë as gjërat më kryesore. “Marrin bukën e thatë, makarona e vaj dhe nuk e di se si ushqehen, s’di si rregullohen nëpër shtëpi. Deri vonë kam patur njerëz të cilët merrnin borxh, me listë si i themi ne. Por tani nuk kam më, nuk e lejoj këtë gjë. Ndërsa ato që kanë mundësi të mira ekonomike janë shumë të rrallë. Sa herë që vijnë blejnë djathin më të mirë, ushqimet më të mira që kam. Blejnë pije të ndryshme dhe alkoolike, sidomos verën e konsumojnë shumë” u shpreh Manreka.

Por mund të kalojë dhe një orë pa hyrë asnjë person në dyqan. Një 24-vjeçar që nuk dëshiron të identifikohet tha për MAPO se gjendjen ekonomike nuk e kishin shumë të mirë. Ishin katër persona në familje, dy prej tyre punojnë, ndërsa dy të tjerët presin ç’tu sjellin familjarët në darkë. Shpenzimin ditor e kishin 5 mijë lekë të vjetra. Një tjetër klient rreth 45-vjeç, futet nxitimthi në dyqan, lëviz nëpër korridoret e supermarketit deri sa gjen atë që kërkon. Një pampers për fëmijën e vogël. Nuk pranon të flasë. “Ik të lutëm, se ashtu e kam punën time. Nuk kam shumë mundësi”. Del nga supermarketi duke vrapuar.

Jo shumë larg Bathores, nëpër rrugicat e Kamzës nuk sheh shumë njerëz. Dhe ata që takon, nuk ta kanë shumë ngenë të tregojnë për gjendjen e tyre ekonomike. Në rrugën “OSBE” një zonjë rreth 55 vjeç me inicialet H.D., ka marrë një dyqan të vogël me qira. Tregton perime, qumësht, gjërat bazike për tu ushqyer. Xhiroja ditore i shkon deri në 15 mijë lek të vjetra. Gruaja thotë se njerëzit janë zero nga ekonomia. “Kryesisht blejnë vajin, ndonjë vezë. Djathë e mish shumë pak se nuk kanë mundësi”. Tregon se ka akoma njerëz që marrin ushqime borxh në dyqanin e saj. “E kam listën e borxheve çarçaf. Kam blloqet aty, i kam të shënuara të gjitha”. Por njëkohësisht kujdeset për klientët që mos tu lexohen emrat. “Nuk tregoj më shumë. Janë mbi 30 familje të tilla”.

Jemi në Fushë-Krujë. Diku në një cep rruge pa dalë në qendër, bie në sy një mini-dyqan i një të moshuari i cili punon me bashkëshorten. Zotëria nuk dëshiron të shfaqet publikisht dhe as e shoqja. Thotë se bën 30-40 mijë lekë xhiro ditore. Sipas tij jo se nuk ofronte produktet që kërkohen por njerëzit nuk kanë mundësinë. “Shumica kërkojnë gjënë e lirë. Disa të rrallë marrin ndonjë qepë apo domate. Produktet e tjera shumë dobët”.

Diçka më ndryshe është gjendja në qendër të Fushë-Krujës. Në një supermarket, pronari me iniciale A.I, tha: “Shumica e njerëzve që vijnë kanë lekë. 70 për qind kanë, mbase ngaqë jemi një pikë ku ka shumë lëvizje dhe vijnë njerëz të mundësive të ndryshme. Marrin paketat e cigareve më të shtrenjta. Duhanin e kanë numër 1, po dhe nga Redbull nuk heqin dorë. Ata që nuk kanë mundësi blejnë molto 20 lekëshe dhe një shishe ujë.”-tha zotëria.

Nisemi për Elbasan. Situata duket dramatike. Njerëzit marrin ushqimet jetësore me listë, mbeten borxhlinj për kohë të gjatë ndaj dyqaneve. Rasti konkret ishte në dyqanin e shtetasit S.M., 67 vjeç, në rrugën “28 Nëntori”, i cili tha për Mapo se një familjar aty pranë i ka borxh 200 mijë lekë. Zotëria tregon dhe listën. Për këto raste dhe për shkak të rënies së fuqisë blerëse, 67 vjecari po mendonte të mbyllte dhe dyqanin.

Ka arritur puna sa blejnë 50 lekë djathë, marrin nja dy domate sa për të kaluar vaktin dhe nja dy kokrra vezë. Për mish as s’bëhet fjalë. Borxhet pastaj janë gjë tjetër. Ka pafund. Po mendoja me vajzën që ta mbyllja dyqanin fare.”- tha sipërmarrësi i vogël që nuk dëshiron të dalë me emër.

Në shumë dyqane të Elbasanit, e njëjta gjë. Ky udhëtim i Gazetës Mapo nuk është një hulumtim shkencor, por një pasqyrë e gjallë dhe reale e gjendjes ekonomike përtej unazës së Tiranës. Jemi në vitin 2019, dhe listat e borxheve në markete nuk tregojnë aspak mirëqënie, zhvillim dhe ecje përpara.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas