Komiteti i Ekspertëve pritet të propozojë masa të reja kufizuese në javët në vijim për shkak të përhapjes së pandemisë së COVID-19 në vend. Kryeministri Rama pranoi që në vend kanë hyrë variantet e reja të virusit ndërsa paralajmëroi ashpërsim të masave për bizneset.
Me mbi 1 mijë raste të reja në ditë dhe me një numër dyshifror vdekjesh Shqipëria po përjeton këto javë një përhapje të frikshme të pandemisë së COVID-19. Javën që vjen mund të ndryshojë ora policore dhe do të merren dhe masa të tjera kufizuese, ndërkohë që fushata e vaksinimit ka mbetur në vend numëro në pritje të një furnizimi të ri.
Kryeministri Edi Rama pranoi se ka indicie për të besuar se variantet e reja të Covid kanë hyrë në vend duke e lidhur këtë me shtimin e rasteve dhe rasteve të rënda dhe në moshat e reja. Ai u kërkoi njerëzve që të zbatonin masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes ndërsa paralajmëroi ashpërsim të masave. Po ashtu ai u kërkoi bizneseve që të zbatojnë masat pasi do të përballen me gjoba. “Së shpejti në ditët në vijim do të rrisim gjobat për lokalet, baret, restorantet, dyqanet. Dhe do të bëjmë një shkallëzim sipas hapësirave dhe sipas kushteve për abuzim”, paralajmëroi kryeministri, i cili kishte shumë kohë që nuk i kushtonte vëmendje pandemisë.
Gati izolimi i dytë
Kryeministri pranoi se mund të ketë masa të tjera izoluese për lëvizjen e njerëzve. “Komiteti i Ekspertëve do të vendosi. Po diskutojmë disa masa shtesë. Jo që të ndikojnë në ekonomi por që të kenë impakt maksimal në frenimin e përhapjes së virusit”, -tha ai gjatë një konference live me gazetarët.Sipas Ramës duhet të zbatohen rregullat në mënyrë që të shmangim izolimin si një vit më parë.
“Nuk ka asnjë lloj sensi të rrezikut. Ka një lëshim të vetes dhe një lloj lehtësie të madhe që po merret kjo punë. Në çdo cm që lëshojmë ne, virusi përparon. Se e di shumë mirë që ka plot ekspertë të pashkollë që i dinë të gjitha dhe thonë jo po virusi fle natën e del ditën. Jo se nuk është kështu. Ora policore është kufizimi i mundshëm i kontakteve. Do kufizosh sa të mundesh kontaktet.
Një orë më pak është një orë më pak kontakte, dy orë, tre orë më pak. Është një opsion dhe jemi që nga fundit i javës së shkuar në diskutim se ç’duhet të bëjmë. Presim nga Komiteti i Ekspertëve. Policia të ndryshojë qasje. Më vjen shumë keq por nëse s’ka ndryshim… Inspektorët dhe autoritetet të futen në biznese. Do përgatitemi çfarë mund të bëjmë kufizime të tjera. Pa dashur të kthehemi. Disa kufizime të tjera po i studiojmë. Të kenë impakt maksimal tek infektimet.”
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të gjithë tregtarët e bizneset në vend, që të respektojnë masat anti-Covid, pasi në të kundërt do të detyrohen me forcë nga policia. Ai tha se do të rriten gjobat për tregtarët, që abuzojnë me masat kundër virusit të rrezikshëm. “Nëse nuk marrim masa, situata do të rëndohet patjetër, në kushtet kur është e shmangshme. Jemi të gjithë të qartë që masat propozohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por nga ana tjetër ne që jemi këtu, së pari ne në anën e qeverisë, por edhe ju në media, kemi detyrimin të bëjmë më shumë se tjerët, që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt”, theksoi Rama. Sipas tij duhet përgjegjshmëri në vendet e mbyllura, kryesisht në vendet e punës.
“Nuk është rreziku më i madh në rrugë, në zyra, në shtëpi, por pikërisht aty, ku është dhe ndërveprimi më i madh. Nëse nuk duan të kthehemi te masat e forta kufizuese, duhet sot të mos kërkojnë të nxjerrin maksimumin, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe stabilitetin e sistemit tonë shëndetësor. Policia e Shtetit ka pasur një fleksibilitet maksimal, inspektoratet kanë pasur fleksibilitet maksimal. Ne nuk duam që policia dhe inspektoratet të hyjnë e të dalin nëpër lokale, bare e restorante, sepse sigurisht kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar, apo nëpër qendrat tregtare, dyqane etj., por nëse nga ana e tregtarëve nuk ka reagim të menjëhershëm, sigurisht që do të ndodhë kështu”, paralajmëroi ai.
Variantet e reja të Covid kanë hyrë në vend
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha dje se ka sinjale nga laboratorët tanë për ardhjen e varianteve të reja të Covid në Shqipëri. Po sipas saj, edhe rritja e rasteve me Covid dyshohet se lidhet me variantet e reja të COVID. “Vërehet se në javët e fundit ka një trend të lartë të rasteve të konfirmuara me Covid-19. Rritja e rasteve mund të lidhet edhe me variantet e reja të Covid. Sinjalet kanë ardhur nga laboratorët tanë për variante të reja”, – tha ajo.
Sipas Manastirliut, incidenca 2-javore është 459 raste për 1 mijë banorë. “Spitalet janë të zëna në masën 70%, pra kemi kapacitete, nuk janë të mbingarkuara. Esencial mbetet zbatimi i masave. Alert i shtuar mbetet zbatimi i protokolleve të sigurisë nëpër biznese, institucione. Javët e para të këtij viti kemi një incidencë të shtuar dhe lidhet me grupmoshat e të rinjve. Mosha mesatare e të prekurve është 47.8 vjeç. Prandaj duhet të rrisim vigjilencën”, tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama tha po ashtu se janë shtuar shtrimet në spitale edhe në mosha të reja, duke e vënë theksin te zbatimi i rregullave. Ndryshe, mund të kthehemi te masat e forta kufizuese. “Kemi sinjale te arsyeshme se në Shqipëri kanë hyrë variante të reja të COVID-19… kemi rritje të infektimeve edhe në grupmoshat e reja. Jemi shumë të motivuar të bëjmë çdo gjë si duhet që të mos detyrohemi të kthehemi te masat e forta kufizuese. Për ketë duhet motivim i gjithsecilit. Ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re me numra që u rritën në mënyrë dramatike po reflektohet tani edhe këtu”, pranoi kreu i ekzekutivit.