fbpx

Dikur

Vasil Milori, u ekzekutua nga Shefqet Peçi, del i pafajshëm pas vdekjes






               Publikuar në : 13:38 - 08/10/19 |
mapo.al

Vasil Milori, u pushkatua si “armik i popullit”, por organi më i lartë vendimarës i pushtetit popullor e shpalli të pafajshëm pas vdekjes. Kjo është kronikë e një vdekje absurde që vetëm komunizmi shqiptar mund të prodhonte.  Një ekzekutim me vdekje për të kënaqur etjen për terror të komandantëve partizanë, një ekzekutim që u shpall i gabuar nga vetë gjykatat komuniste. Milori u pushkatua me urdhë të Shefqet Peçit e 40 vite pas vdekjes u shpall i pafajshëm. 


Kjo shkresë e shkurtër e 5 shtatorit 1946 është vetëm një prej dokumenteve ku dëshmohet se urdhërat e përbindshëm të ekzekutimit të njerëzve të pafajshëm, krerët e regjimit i jepnin me një lehtësi e qetësi kriminale. Madje çdo vendim gjykate me vdekje ata e përforconin ndërsa kërkonin “të ekzekutohet menjëherë”, ose “sa më parë”….



Shefqet Peçi, një prej autorëve të qindra krimeve që në vitet e luftës e më tej në vitet e para të regjimit komunist, kërkon në këtë shkresë me katër fjali që të shpejtohet ekzekutimi i një të dënuari me vdekje nga Gjykata e Gjirokastrës.

Shkresa e siguruar nga kujto.al ka këtë përmbajtje:

Nr. 02-296/3 Res.

5/9/946

Ministrisë Mbrojtjes Kombëtare

Në lidhje me urdhërin Nr.Al-820 datë 29/VIII/946. Dy të pandehurit ju përcuall Gjykatës Ushtarake të këtushme, e cila vendosi për Vasil Milorin dënimin me vdekje dhe për tjetrin burgim të përjetshëm. Lutemi shpejtoni ekzekutimin e tijë.

Komandant i Divizionit të I-rë

Kolonel

Shefqet Peçi

Sipas të dhënave në “Fjalorin enciklopedik të viktimave të terrorit komunist” Vasil Milori ka lindur në Vrion, më 18 mars 1919. Ishte arrestuar më 26 gusht 1946 dhe dënuar me vdekje e konfiskim të pasurisë me vendim nr. 56, datë 31 gusht 1946 nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, i akuzuar si “armik i popullit” dhe “sabotator i pushtetit”.

Vasil Milori u ekzekutua më 8 shtator 1946, në orën 11: 00. Por më tragjik në këtë rast, ishte fakti se 40 vite pas ekzekutimit, në prill 1984, Plenumi i Gjykatës së Lartë, me vendim nr. 35, vendosi prishjen e vendimit nr. 56, datë 31 gusht 1946 të Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës dhe vendimin nr. 84, datë 5 shtator 1946 të Gjyjatës së Lartë Ushtarake, dhe e deklaroi të pafajshëm.

Vasil Milori u shpall i pafajshëm po prej organeve gjyqësore të regjimit komunist, një pafajësi që nuk vlente më, sidomos për viktimën, që ishte pushkatuar me urgjencë, vetëm 3 ditë pas urdhërit të Shefqet Peçit./kujto.al 


Etiketa: , ,

Pas