Vllaznia është në një situatë aspak të këndëshme, por trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata ka vendosur që përpara mediave të sqarojë gjithçka. Shkodranët presin që shumë shpejt të nisen drejt Malit të Zi për fazën përgatitore, ndërsa në skuadër vazhdon fluksi i lojtarëve të huaj që vijnë në provë. Trajneri premton se stafi teknik do të bëjë më të mirën, për të përzgjedhur lojtarët më cilësorë. Vata ka dhënë edhe arsyet për largimin e disa lojtarëve nga skuadra, nga të cilët ka qenë i pakënaqur gjatë pjesës së parë të sezonit. “Kam një listë lojtarësh që nuk i shoh titullarë. Një pjesë janë larguar, me të tjetër do ulem të bisedoj për t’u treguar se në këtë mes nuk ka asgjë personale. Janë thjesht preference trajnerësh, ndaj do të ishte e mirë që këta lojtarë të luanin diku tjetër.” Trajneri u shpreh optimist rreth gjetjes së marrëveshjes me Bylisin, për Amarildo Dimon dhe brazilianin Da Silva, ndërsa bëri komente edhe për kroatin Vuk, i ardhur dy ditë më parë në skuadër dhe malazezin Bërnoviç, i cili pritet t’i bashkohet Vllaznisë në Ulqin për fazën përgatitore. “Da Silva ndodhet në Shkodër sepse ka ardhur këtu me dëshirën për të luajtur me Vllazninë. Unë shpresoj që problemi i tij të zgjidhet nga drejtuesit e klubit pas negociatave që do të bëhen me Bylisin. Shpresoj që të luajë për ne sepse është një lojtar shumë i mirë. Gjithashtu, nuk kam hequr dorë nga Dimo. E dua atë në skuadër,” është shprehur trajneri Vata. Përveç merkatos në hyrje, kuqeblutë kanë qenë mjaft aktiv edhe në dalje, ku nga shitjet e Vajushit dhe Sukajt klubi pret të përfitojë 150 mijë euro. Vllaznia njihet edhe si klubi që ka menaxhimin më të suksesshëm të futbollistëve në merkato, pasi vetëm në dy vitet e fundit shkodranët kanë përfituar 850 mijë euro nga transferimet e 8 lojtarëve, mes të cilëve Teli, Lika e Bala.
Ndërkohë, sa i përket Bekim Balës, pritet një duel i fortë me Skënderbeun. Nëse situata e lojtarit nuk do të gjejë zgjidhje te Tirana, atëherë Bala do të shohë për një vend ku të akomodohet dhe dy skuadrat që e duan me çdo kusht janë pikërisht Vllaznia dhe Skënderbeu.