Kryesore

Vazhdon beteja me tone më të ulura mes qeverisë dhe Presidencës






               Publikuar në : 09:20 - 12/06/19 |
mapo.al

Mazhoranca ia botoi Ilir Metës dekretin për anulimin e zgjedhjeve në Fletoren Zyrtare, kurse në rezolutën për kreun e shtetit nuk përmendet shkarkimi. Megjithatë akuzat vazhduan mes palëve deri në orët e vona


Dita e martë mund t’i ketë çoroditur shqiptarët, që prisnin të përshkallëzohej akoma më shumë përplasja e nisur mes kreut të shtetit dhe drejtuesit të ekzekutivit. Por në kohën kur Ilir Meta lajmëroi për një konferencë për shtyp në orën 16:00, mazhoranca publikoi vetë detaje nga draft-rezoluta që do të diskutohet të enjten në pesë orë diskutim në Kuvend.

Në draft-rezolutë nuk përmendet shkarkimi i kreut të shtetit, ndryshe nga paralajmërimet e një dite më parë. “Akti i Presidentit, në mënyrë të kundraligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, siç është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 Qershor 2019”, thuhet në projekt-rezolutë.

Pak minuta pasi presidenti Ilir Meta mbajti fjalën e tij në konferencë për shtyp, u lajmërua se dekreti presidencial ka hyrë në Fletoren Zyrtare, çka tregon se tani ai është në fuqi. Por mazhoranca vazhdoi me lojën e fjalëve, madje këtë herë edhe me ndihmën e Brukselit. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, kryeqeveritari në largim i BE, tha se zgjedhjet duhet të mbahen më 30 qershor.

Komentet e Metës

Kreu i shtetit doli në orën 16:00 përpara gazetarëve, këtë herë për të folur më shumë si kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Vendimmarrja e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e Dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve më datë 30 qershor, u bë e domosdoshme në kushtet e përshkallëzimit të ndërsjellë dhe të vullnetshëm të qëndrimeve dhe aksioneve histerike të të dy palëve politike për rritjen e tensionit në vend, dhe rrezikut për të kulmuar përplasjen mes tyre më 30 qershor. Të dy palët e kishin shpallur datën e caktuar nga Presidenti për zgjedhjet vendore, pra 30 qershorin, si ditën kur do të përballeshin në një betejë force dhe jetë a vdekje midis tyre.

Ndaj, me bindje të plotë dhe të palëkundur, edhe me përgjegjësinë si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mora vendimin e duhur për të shmangur një konflikt civil në vend dhe për të shpëtuar demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit.

Që në momentin e shpalljes së këtij vendimi, dhe më pas të argumentave shterues, kam vënë re për fat të keq, edhe disa reagime emotive, akuza të ndryshme, apo interpretime konstitucionalisto-politike se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën, madje ka cenuar edhe Republikën, duke krijuar qëllimisht një gjendje amullie dhe konfuzioni mbi këtë çështje dhe Kushtetutën”, -tha Meta.

Por interesante ishin mesazhet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të zotit Meta për ndërkombëtarët. Teksa tregoi disa herë Kushtetutën përpara kamerave, Meta pyeti nëse ka në Bruksel njerëz që mund të vendosin për datën e zgjedhjeve. Sipas tij, për këtë çështje vendos vetëm ai, ndërsa vendimet ia shqyrton vetëm Gjykata Kushtetuese.

Duke ditur fort mirë se, në Tiranë qarkullojnë edhe disa modele e botime të ndryshme të tekstit të Kushtetutës, disa të përkthyera edhe krejtësisht gabim në anglisht, italisht, apo ndonjë gjuhë tjetër, jam i detyruar të dal sërish përpara jush. Për të ndihmuar të gjithë ata që janë keqinformuar, apo kanë lexuar një tekst të përkthyer keq dhe që dëshirojnë të lexojnë siç duhet ligjin themeltar të Shtetit shqiptar, ju bëj me dije se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, zyrtare dhe në fuqi, është pikërisht kjo këtu, kjo që po ju tregoj unë, tha Meta.

Duke folur për Edi Ramën, Meta tha se ai e ka ditur këtë që do të ndodhë, pasi kanë patur një drekë sekrete.

Kurse për Bashën, tha se ai e ka mësuar gjithçka pak minuta para se të niste protesta e 8 qershorit, nga një telefonatë, të cilën tha se e ka regjistruar.

Në fund, Meta theksoi se vetëm sa ka krijuar një dritare kohore për të nisur dialogun, duke theksuar se kjo dritare mund të mbyllet shpejt.


Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas