Aktualitet

Vdekja e të atit regjisor, Kostandin Xhuvani kërkon leje nga burgu







               Publikuar në : 20:06 - 14/08/19 |
mapo.al

Sot u nda nga jeta në Romë në moshën 55-vjeçare regjisori Gjergj Xhuvani. Ai ndërroi jetë pas një ataku kardiak. Djali i tij Kostandin Xhuvani, i cili ndodhet në burg për vrasje të katërfishtë ka bërë kërkesë për leje nga burgu. Kërkesa është bërë për të marrë pjesë në varrimin e të atit.


Masakra te katërfishtë  te “Rruga e Elbasanit” (Kronologjia)
Më datë 04 nëntor 2014 rreth orës 04.20 është njoftuar Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, se në vendin e quajtur “Rruga e Elbasanit” në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur. Pas këtij momenti autopatrulla e Komisariatit të Policisë Nr.1, e cila ka qenë aty pranë, ka shkuar në afërsi të lokalit ku në rrugën kryesore ka konstatuar një automjet “Mercedes ML” me targa TR0250N në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip “Benz ML” dhe në këtë moment një person i veshur me kostum tuta gri ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë.

Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë, i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është Kostandin Xhuvani i datëlindjes 1989.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se: Vendi i ngjarjes është bar “Ante Grand” në “Rrugën e Elbasanit” përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes është konkretisht lokali i sipërcituar, i cili është një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyrë në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkallëve janë gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra-tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jahos dhe Enea Xhaj. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë model 54 me numër xxxxx me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të çrregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara.

Nga këqyrja e këtij ambienti janë gjetur e fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh, të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të “Rrugës së Elbasanit” përballë hyrjes së lokalit është gjetur një automjet me targa TR0250N me dyer të hapura ku në ndenjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i Arbër Demirajt. Po kështu, në distancë 52 metra nga hyrja e lokalit në oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike me krehër të vendosur dhe pa fishekë. Vendi ku është gjetur pistoleta korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i Kostandin Xhuvanit.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij, e cila rezulton të ishte pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj dhe Edison Jahos e Enea Xhaj ka patur një konflikt. Gjatë këtij konfliktit, Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj kanë patur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit A.B, roje sigurie në lokal shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar.

Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arber Demiraj i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas në spital edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

Punonjësi i sigurisë
A.B, i cili punon si roje sigurie në lokalin “Ante Grand”, ka shpjeguar para prokurorëve, se rreth orës 03.45 në lokal kanë ardhur katër persona ku ai ka njohur si fytyrë njërin prej tyre, i cili është klient i rregullt. Këto persona janë ulur në një tavolinë në fundin e lokalit. Bashkë me të ka qenë dhe një person tjetër i veshur me tuta sportive ngjyre gri. Roja i sigurisë, deklaron se në lokal kanë qenë dhe dy persona të tjerë, të cilët i ka fiksuar fizikisht. Në një moment njëri nga personat që A.B, e identifikon si “Beratasi” ka bërë fjalë me një djalë tjetër pranë banakut dhe e ka qëlluar me pëllëmbë. Roja i sigurisë, shpjegon se personi që u qëllua është larguar bashkë me dy persona të tjerë.

Në këtë çast aty është afruar djali me tuta gri i përshkruar më lart dhe e ka pyetur rojën e sigurisë, nëse kishte ndonjë problem. Ky i fundit i ka thënë se nuk ka probleme dhe nisur sa më sipër deklaruesi shprehet se personi i njohur si “Beratasi” kishte njohje me këtë të fundit. Me pas të këta dy persona janë ulur në të njëjtën tavolinë. Gjithashtu, roja i sigurisë, shpjegon se në tavolinën e parë sapo futesh tek dera ishte Italiani Gianpaolo dhe A.SH. Rreth orës 04.10, bodigardi i lokalit, ka parë që tavolina ku ndodhej “Beratasi” po debatonte me disa të tjerë. Në këtë moment, roja shpjegon se është afruar për t’i qetësuar. Në këtë moment ai ka parë që Kostandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj kanë patur armë zjarri të tipit pistoleta në duar.

Ai shpjegon se nuk i ka identifikuar me emra këta dy persona, por nga paraqitja për njohje ai ka njohur shtetasin Kostandin Xhuvani si personin me tuta dhe në deklarim ka sqaruar se personi tjetër që kishte armë zjarri ishte ai që kishte vdekur dhe që ishte i shtrirë në sediljen e pasme të mjetit tip “Mercedes” dhe që i korrespondon Arbër Demiraj. Pas ndërhyrjes së bodigardit A.B. për të qetësuar situatën grupi në mes të të cilëve ishin edhe Kostandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj janë çuar nga tavolina për të dalë dhe pas tyre kanë shkuar Edison Jaho e Enea Xhaj.

Në këtë moment janë futur përsëri në lokal, Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj me pistoleta në duar dhe shtetasi Kostandin Xhuvani u është drejtuar personave të identifikuar nga roja i sigurisë së lokalit, si “Beratasi” dhe “Kolonjari”, duke u thënë “Çfarë kishit ju të dy?” dhe menjëherë ka qëlluar me armë në drejtim të tyre. Deklaruesi sqaron se ka dalë me shpejtësi jashtë lokalit dhe në këtë kohë ka dëgjuar dhe krisma të tjera dhe ka njoftuar policinë.

Ndërsa, Alban Ballcaj, kushëri i viktimës Arbër Demiraj, shpjegon se kanë qenë bashke gjatë gjithë mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit. Ai deklaron se ka shkuar me Arbër Demirajn rreth orës 02.00 në lokal “Ante Grand”. Në kohën që kanë zbritur nga makina dhe janë afruar të dera e lokalit ata kane takuar dy persona të tjerë ku njëri ishte i veshur me tuta gri sportive me flokë të zeza i gjatë rreth 183 cm dhe një tjetër qeros me një nishan në kokë. Keta dy persona janë përshëndetur me Arbrin pasi njiheshin dhe janë ulur të katërt në një tavolinë në lokal ku kanë pirë nga një xhin me shveps. Pas disa çastesh Arbëri dhe personi qeros janë çuar nga tavolina dhe kanë shkuar duke u ulur në një tavolinë tjetër. Ai sqaron se më vonë Erald Side është larguar me një femër nga lokali.

Kushëriri i Demirajt, shpjegon se rreth orës 04.00 ai ka shkuar për të marrë ajër të pastër jashtë lokalit dhe pasi ka qëndruar përreth pesë minuta ka dëgjuar krisma arme që vinin nga brenda lokalit. Ai është futur brenda menjëherë dhe ka parë të shtrirë në tokë tre persona mes të cilëve dhe kushëririn e tij Arbër Demiraj. Ai shpjegon se ka parë Kostandin Xhuvanin, i cili kishte një pistoletë në dorë dhe po qëllonte në drejtim të personave të shtrirë në tokë. Ai ka vënë re se pranë trupit të Arbrit në tokë ka qenë një tjetër pistoletë.

Alban Ballcaj sqaron se në këtë moment në lokal është kthyer Erald Side, i cili e ka pyetur djalin me tuta gri se ç’farë kishte bërë dhe ky i fundit i është përgjigjur se “Më duket se kam vrarë edhe Arbrin”. Ballcaj ka shpjeguar se ai, Kostandin Xhuvani dhe Erald Side kanë marrë Arbrin dhe pasi e kanë nxjerrë jashtë e kanë futur në automjetin me targa TR0250N për ta çuar në spital, por në këtë moment është afruar një automjet policie i cili nuk i ka lejuar të largohen. Kostandin Xhuvani në këtë çast ka dalë nga dera e pasme e automjetit dhe është larguar me vrap duke mbajtur pistoletën në dorë dhe një punonjës policie e ka ndjekur me vrap.

E ndoqi polici në këmbë
Punonjësi i policisë L.A., shpjegon se ka qenë në shërbim me kolegun K.SH. dhe kanë marrë njoftim nga radio se në lokalin e Xhelo Vasiarit kishte konflikt me armë dhe bashkë me kolegun kanë qenë afër vendit në makinën e policisë. Ai shpjegon se duke u afruar kanë konstatuar një automjet tip “Mercedes ML” ku po futeshin disa persona. Makina e policisë u ka zënë rrugën dhe punonjësit e policisë kanë dalë nga makina duke bërë thirrjen “Ndal Policia”.

Në këtë moment nga automjeti ka dalë një person me tuta gri, i cili mbante në dorë një pistoletë dhe është larguar me vrap. Deklaruesi shpjegon se e ka ndjekur me vrap atë duke thërritur policia dhe ka qëlluar me armën e zjarrit të tij në ajër. Në këtë moment personi ka hedhur armën në oborrin e shkollës dhe ka vazhduar vrapin. Punonjësi i policisë e ka ndjekur deri kur e ka neutralizuar me ndihmën e një qytetari tjetër deri në ardhjen e autopatrullave. Ky qytetar, motorristi, shpjegon se personi me tuta gri i ka sharë dhe kanosur fillimisht dhe më pas u ka thënë se ishte djali i Luiza Xhuvanit dhe nëse e lëshonin ai do t’u jepte flori.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas