Akuzat e familjarëve për mjekët në rastet e vdekjes së të afërmve nuk shoqërohen me lejimin e tyre për kryerjen e autopsisë së viktimës. Por ky refuzim për autopsinë ka dëmtuar jo vetëm punën e bluzave të bardha, por edhe mjaft persona të tjerë, ndërkohë që vendosja e diagnozës përbën rëndësi publike. Vetëm në dy muajt e fundit ka pasur tri raste të vdekjeve pa diagnozë dhe të afërmit nuk kanë pranuar kryerjen e autopsisë. Ndërkohë që sipas Mjekësisë Ligjore, në një vit mund të numërohen mesatarisht 10 raste. Më problematike situata paraqitet kur vetë të afërmit akuzojnë një mjek për neglizhencë, apo abuzim, ndërkohë që nuk pranojnë të kryhet autopsia. Kur vjen ky moment, ata tërhiqen dhe kështu procesi përfundon pa një vendim nga gjykata. Në fakt kjo është një e drejtë e njohur edhe ligjërisht, që të respektohet e drejta e të afërmve për autopsinë, por mbeten të pavlera akuzat për mjekët përderisa beteja nuk çohet deri në fund. Në vendin tonë, përveç Mjekësisë Ligjore pranë QSUT-së, ekziston në çdo spital rajonal reparti i mjekësisë ligjore.