Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mesditë në Tiranë, por është zbuluar në orët e vona të mbrëmjes. Punëtori i ndërtimit, Naim Idrizi, 40 vjeç ka humbur jetën teksa punonte në kantierin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare” në Tiranë. Lajmi është publikuar fillimisht nga Sali Berisha, dhe dy orë më pas ka reaguar policia. Viktima ka rënë nga lartësia, në rrethana ende të panjohura. Një punëtor thotë se mungojnë kushtet e sigurisë nga firma që po ndërton stadiumin.
Sali Berisha shkruan në facebook në orën 20:00:
“Monstra që fshehin dhe vdekjen!
Një tjetër punëtor, baba i dy fëmijëve humbi jetën sot në garazhet e stadiumit. Në një qendrim kriminal edhe ky krim tentohet të fshihet.
Mesazhi i qytetarit dixhital:
Doktor përshëndetje, një djalë i ri ka rënë në garazhet e stadiumit të ri “Arena Kombetare” dhe për fat të keq vdiq. Të lutem interesohu se familjes do i fshehin të verteten për masat e sigurisë brenda kantierit. Na nxorën jashtë stadiumit kur ndodhi fatkeqesia dhe u pezullua puna doktor. Për me teper informacion mund tju japin te Spitali i Traumës. Dhe deri me tani e mbajnë ëe fshehtë lajmin. Por të lutem anonim pasi jam punonjës aty. Ngjarja ka ndodhur në oren 13:00, viktima ishte me origjinë nga Puka u dëgjua, por nuk kam informacion më tepër për arsye sepse na nxoren nga stadiumi te gjithve me detyrim dhe nuk është i vetmi rast. Por sot ndodhi fatkeqesia që vdiq babai i dy fëmijve na nxoren nga stadiumi me detyrim per te fshehur ngjarjen e rend dhe masat e sigurisë që nuk ishin në masen e duhur”.
Ndërkohë pas denoncimit të Berishës, rreth dy orë më pas (22:00), Policia e Tiranës nxjerr një komunikatë për mediat, ku thotë:
“Gjatë paradites të sotme shtetasi N. I., 40 vjeç duke punuar në ambientet e një stadiumi aksidentalisht dyshohet të ketë rënë nga lartësia dhe është transportuar në gjëndje të rëndë shëndetësore për ndihmë mjekësore në spital. Disa orë më vonë shtetasi N. I., ndërroi jetë në spital si pasojë e dëmtimeve të marra. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
/MAPO.AL