Një përpjekje disavjeçare e kryeministrit Edi Rama për ta zhbërë Akademinë e Shkencave, e cila për të kishte imazhin e një “institucioni sovjetik” u shua brenda një nate, kur në krye të saj u zgjodh një ish-ministër i komunizmit. Po çfarë ndodhi me “reformën” e shumëpritur? Pse Ministria e Arsimit dhe vetë qeveria u shmangën nga kjo reformë? Si Eglantina Gjermeni dhe disa deputetë kaluan me shpejtësi ligjin që solli në krye të akademisë një politikan, për herë të parë pas 47 vitesh që nga krijimi i saj. Historiku: Nga themeluesit, Eqrem Çabej e Aleks Buda te Skënder Gjinushi
Nga Blerina Gjoka
Java që lamë pas riktheu krejt papritur dhe një herë vëmendjen tek Akademia e Shkencave, e cila është përmendur në opinionin publik vitet e fundit sa herë që kryeministri Edi Rama e kritikonte si të pavlerë ekzistencën e saj.
Kur askush nuk e kishte vëmendjen tek ajo çfarë ndodhte në zyrat e ftohta të një ndërtese të vjetër, ku askush nuk merr vesh çfarë ndodh, dhe ku prej shumë vitesh nuk ka asnjë “lajm”, në një procedurë të përshpejtuar u zgjodh kryetari i ri, kandidat i vetëm në garë, kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi.
Habia ia la vendin shumë shpejt zemërimit të një pjese të mirë të opinionit publik duke parë te zgjedhja e tij futjen e politikës në një institucion të shkencës.
Kritikat më të forta erdhën nga një prej partizanëve më të zjarrtë të reformimit të këtij institucioni, e pikërisht akademikut Artan Fuga.
Gjinushi kishte qenë për disa kohë kryetar i komisionit reformues për akademinë, por ndërkohë që hartonte reformën ligjore, ushqeu ambicien e tij që të kapërcente nga politika në krye të këtij institucioni.
Drejtimi i akademisë nga një politikan aktiv dhe me protagonizëm të gjatë në politikën shqiptare duke nisur nga periudha e komunizmit, ku Gjinushi ka shërbyer si ministër i Arsimit, nuk ka ndodhur asnjëherë në jetëgjatësinë e kësaj akademie, as kur ajo i shërbente pushtetit popullor të Partisë së Punës.
Si u shmang ligji “Shahini” dhe “puçi” Gjinushi- Gjermeni
Ministria e Arsimit kishte hartuar një projektligj për reformimin e Akademisë së Shkencave dhe këtë draft para se ta kalonte në mbledhjen e qeverisë ua kishte shpërndarë universiteteve për të marrë në konsideratë propozimet e tyre.
Por ndërkohë një tjetër lëvizje paralele po zhvillohej brenda akademisë. Skënder Gjinushi që kishte marrë përsipër reformën brenda akademisë, i mbështetur nga asambleja vendosën që në fund të muajit maj të mbanin zgjedhjet e reja. Por ky vendim merret në një kohë që Ministria e Arsimit u ka dërguar universiteteve projektligjin për Akademinë, statutin dhe rregulloren e saj shoqëruar dhe me platformën e paraqitur nga profesor Artan Fuga.
Ministria u kërkoi universiteteve që të bëjnë propozime për këtë projektligj. Ky proces do të kalonte me pas në qeveri dhe parlament, ku do të diskutohej dhe miratohej. Po duke shmangur gjithë procesin Akademia e Shkencave vendosi zgjedhje dhe drejtuesit e rinj.
“Akademia e Shkencave nuk është më institucioni mbi të cilin bëhej presion për reformim dhe shihej si bllokuese e procesit. Ajo tashmë e ka kryer detyrën e saj për hartimin e projektligjeve përkatëse dhe ka dëshmuar qartazi se ofrohet për bashkëpunim me Këshillin e Ministrave për ta përmbyllur me sukses procesin e reformimit, duke evituar vonesat e mëtejshme dhe duke tejkaluar çdo faktor frenues të këtij procesi”, thuhej në vendimin e Asamblesë së Akademisë marrë në fillim të majit.
“Projektligji për Akademinë e Shkencave u ka rezistuar kritikave dhe garanton organizimin dhe funksionimin e saj sipas standardeve europiane. Gjatë këtij procesi u arrit një qëndrim e vlerësim i përbashkët përfundimtar dhe i pakontestueshëm për domosdoshmërinë e vazhdimit të Akademisë së Shkencave për reformimin dhe jo shkrirjen apo shpërndarjen e saj; si dhe morën përgjigje të qartë ligjore përpjekjet për të servirur si reformë praktika të dështuara si ato të vitit 2008”, thuhej në vendimin e Asamblesë.
Ky vendim i hapi rrugë politikanit Gjinushi që të synonte kreun e akademisë, duke rrëzuar gjithë skemat për reformimin e saj të vërtetë. Reforma e re solli vetëm disa ndryshime teknike.
Ministria doli jashtë loje pasi 15 deputet të Partisë Socialiste depozituan në Parlament projektligjin për reformimin e Akademisë duke i hapur rrugë zgjedhjes së shpejtë të Gjinushit. Projektin e firmosën emra të vjetër të PS-së si Eglantina Gjermeni, Anastas Angjeli etj. Në relacionin shpjegues shkruhet qëllimi i këtij ligji, që është përcaktimi i kuadrit ligjor për organizimin dhe funksionimin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Objekti i këtij ligji janë Akademia, organet e saj përbërëse dhe ato që veprojnë pranë saj, si dhe marrëdhëniet e Akademisë me institucionet e tjera të kërkimit shkencor dhe të politikave të zhvillimit të saj.
Kritikat e Fugës
Akademiku Artan Fuga i denoncoi zgjedhjet e reja si një farsë dhe një uzurpim i akademisë nga politika. “Këto zgjedhje janë të paligjshme, pasi nuk janë në përputhje me ligjin dhe me statutin e akademisë. Pra, kjo masë që është marrë me urgjencë është një përpjekje për të uzurpuar akademinë, është në përpjekje për të marrë pushtetin në akademi dhe nuk ka lidhje fare me reformimin e saj, është një antireformë dhe unë mendoj se këto zgjedhje do ta fusin akademinë në një krizë edhe më të madhe”, tha Artan Fuga.
Ndryshimet e reja:
- Vendosen kritere të matshme për pranimin e anëtarëve të rinj
- Vendoset mosha 65 vjeç si kufi pranimi për anëtarët e rinj të Akademisë
- Akademikët mbi 75 vjeç marrin statusin Emeritus
- Përfshihen anëtarë të jashtëm me origjinë shqiptare që kanë fituar titullin “akademik”
- Krijohet Akademisë e të Rinjve, si organ këshillues e bashkëpunues
- Kufizohen mandatet e drejtuesve të zgjedhur të Akademisë deri në dy mandate
- Ndryshon vendimmarrja duke e demokratizuar institucionin
- Krijohet Kolegji i Etikës për sanksione për shkeljet e integritetit të kërkimit shkencor
Historiku
Në vitin 1972 në vendin tonë vepronin 25 institucione kërkimore-shkencore. Në këto kushte u bë e domosdoshme nevoja e ngritjes së Akademisë së Shkencave si një institucion kërkimor-shkencor kombëtar. Kështu, më 10 tetor 1972, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u vendos krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 janar 1973. Prof. Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Midis themeluesve të saj spikatnin shkencëtarë të shquar si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Kolë Popa etj. Në fillimet e saj Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespondentë; ajo funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si dhe të shkencave natyrore e teknike.
Akademia e Shkencave kishte në varësi 13 institucione kërkimore, që deri në atë kohë kishin qenë pjesë e Universitetit të Tiranës. Duke i shkëputur institutet nga Universiteti synohej që kërkimet shkencore në fushat e shkencave shoqërore dhe natyrore e teknike të ecnin me ritme më të shpejta, që do të sigurohej nga bashkimi i tyre nën një kupolë udhëheqëse, e cila do të kujdesej vetëm për kërkimin shkencor dhe nuk do të kishte të bënte drejtpërdrejt me mësimdhënien. Detyrat kryesore të Akademisë ishin: studimet në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore, albanologjike, natyrore e teknike dhe mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë; këshillimi dhe ekspertiza në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme në zhvillimin e vendit; bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore; tërheqja në veprimtarinë shkencore e individëve dhe jashtë Akademisë; botimi i revistave shkencore dhe i trashëgimisë së mendimit shkencor; si dhe organizimi i veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare.
Në një reformë që u krye në vitin 2008 ia hoqi institutet nga varësia, duke e kthyer atë në një institucion honorifik. Akademia e Shkencave sot ka 24 anëtarë të rregullt, 4 anëtarë të përhershëm, 11 anëtarë të asociuar dhe 28 “Anëtarë Nderi”, të gjallë e të ikur nga jeta. Ajo i ka ruajtur dy seksionet e mëparshme, të shkencave shoqërore dhe të shkencave natyrore, por këto nuk kanë në varësi asnjë institut, pra janë veçse zyra me zyrtarë akademikë që marrin pagat, por nuk bëjnë kërkime.