Aktualitet

Veliaj e pranon që Fusha pagoi për hotelin e Maznikut














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:03 - 31/08/19 |
mapo.al

Prej dy ditësh, mediat kanë denoncuar atë që e kanë quajtur skandal, mbulimin e shpenzimit superluksoz, 907 euro një natë në hotel në Barcelonë, për nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës Mazniku, nga kompania Fusha. Sot Partia Demokratike doli në një konferencë shtypi dhe e denoncoi si aferë korruptive, ku renditi edhe favoret që kompania Fusha merr nga Bashkia. Zedhënësja e PD ndërkohë, u shpreh se Mazniku jo vetëm duhej të dorëhiqej, por duhej të ndiqej penalisht pasi ka konsumuar veprën penale të korrupsionit.






Zëri i Amerikës ka pyetur sot zëdhënësin e Bashkisë, lidhur me këtë cështje. Nga reagimi, del qartë se Bashkia e Tiranës, e pranon se kompania Fusha ka mbuluar shpenzimet e Maznikut, dhe të delegacionit që e shoqëronte atë gjatë një aktiviteti në Spanjë, për marrjen e një cmimi.


“Në datat 19 – 20 qershor 2018 në Barcelonë u mbajt ceremonia e dhënies së çmimeve “European Prize for Urban Public Space 2018’, ku sheshi “Skënderbej” fitoi Çmimin e parë, – thuhet në reagimin e bashkisë së Tiranës për “Zërin e Amerikës”. – Ky çmim i shkoi Arkitektit ‘54N4E’/Kompanisë Zbatuese “Fusha” dhe Kontraktorit – Bashkia Tiranë. Me rastin e marrjes së këtij Çmimi prestigjoz, një grup nga Shqipëria udhëtoi për në Barcelonë për të marrë pjesë në ceremoni dhe për të tërhequr çmimin. Kompania “Fusha” mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin”, ka thënë zyra e shtypit për VOA-n. Duke e ditur se si funksionojnë institucionet dhe marrdhëniet e tyre me mediat, është e sigurtë se këtë reagim e ka konfirmuar kryetari Veliaj, përpara se sa t’i jepej Zërit të Amerikës. Pra, ky është njëkohësisht edhe qendrimi i tij.







Zëri i Amerikës ndërkohë ka përmendur edhe një rrethanë specifike se kur ka ndodhur ky udhëtim dhe kjo vizitë në Barcelonë. Pikërisht, afro një vit më parë, në kulmin e protestës së artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar para parlamentit, ku po miratohej një ligj special bashkë me planet e firmës Fusha për të ndërtuar një seri kullash shumëkatëshe dhe një teatër të ri. Dhe tamam në këtë kohë, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka udhëtuar drejt Spanjës në një hotel luksi, ku shpenzimet e fjetjes, së paku 900 euro në natë, i pagoi Shkëlqim Fusha, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave të bashkisë së kryeqytetit.



Sot Partia Demokratike publikoi një dokument që kishte dalë më parë në mediat on line, ku shihet se si nga karta e kreditit e Shkëlqim Fushës janë paguar mbi 1800 euro për nënkryetarin e bashkisë së kryeqytetit Arbjan Mazniku, për dy netë në një hotel luksoz të Barcelonës.



Zëri i Amerikës, përmend se ka një ligj të vitit 2005 për konfliktin e interesit që i ndalon rreptësisht dhurata të tilla drejtuar zyrtarëve publikë nga persona dhe subjekte private.

Por ndërkohë, VOA thotë se bashkia nuk ka dhënë shpjegime të tjera mbi akuzat e opozitës, sipas të cilës, firma “Fusha” favorizohet duke fituar në 4 vjet, 145 tendera me vlerë rreth 101 milion euro, nga të cilat, 85 me vetëm një operator në garë. Nga të dhënat zyrtare del se nga 145 tendera gjithsej, në 140 tendera ose 97% në total, vlera e fondit limit është thuajse e njëjtë me vlerën e kontratës.

Vetëm nga bashkia e Tiranës në vitet 2015-2019 kjo kompani përfitoi 49 tendera me vlerë mbi 40 milion euro, nga të cilat, 34 pa garë dhe në 47 prej këtyre tenderave vlera e fondit limit është thuajse e njëjtë me vlerën e kontratës.

Mapo.al

1



CLOSE
CLOSE
Pas