Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një rritje të ndjeshme të financimit të projekteve për njësinë e Farkës. Këtë e ka shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Farkës, ku u ndal në kuadër të turit të llogaridhënies.
Duke u ndalur tek projektet dhe puna e Bashkisë së Tiranës, Veliaj ta se Farka ka përfituar një sërë investimesh të rëndësishme, që kanë sjellë përmirësim në infrastrukturë.
“Në Farkë kemi bërë punë që s’ishin bërë prej vitesh. Zonat janë duke u formalizuar, dhe pas legalizimin e kemi më të lehtë për të investuar në infrastrukturë. Në buxhetin e këtij viti do të reflektohet që një pjesë e investimeve të shkojnë në nivel kalipar, tani që janë rregulluar pjesët kryesore. Investimet në Farkë do të vijnë duke u rritur”,- tha ai.
Gjatë këtij takimi, kryebashkiaku Veliaj është ndalur edhe tek çështja e Teatrit Kombëtar. Ai tha se bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i treguar në këto raste, është shembulli më i mirë për t’i dhënë zgjidhje edhe çështjeve për të cilat ka mendime të ndryshme.
“Në disa raste na duhet të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit me njëri-tjetrin. Kjo nuk vlen vetëm për një rrugë lagje, por kudo. Këto ditë kemi pasur takime me artistë, arkitektë e urbanistë për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit për teatrin.
Ne, shqiptarët, kemi treguar që kur gjejmë gjuhën, kur komunikojmë, mund të bëjmë rrugë, mund të bëjmë parqe, mund të bëjmë edhe një teatër shumë të bukur, por kjo kërkon bashkëpunim nga të gjithë.
Ndaj, besoj se mesazhi që japim si bashki, kudo ku kemi ndërhyrë, qoftë duke negociuar me artistët, arkitektët, urbanistët, qoftë me banorët në fshat, që na kanë lejuar të mbjellim pemë, qoftë me ata që na kanë lejuar të bëjmë një trotuar, të shtrojmë një rrugë, është mirëkuptimi mes nesh”,- u shpreh Veliaj.
Më tej, ai tha senë Farkë ka një rritje të ndjeshme të shërbimit të transportit urban, dhe se çdo ditë e më shumë kjo zonë po kthehet në një nga zonat më të frekuentuara për banorët e Tiranës, pasi ka tashmë parkun e dytë më të madh pas atij të liqenit artificial.