Në 5 vitet e drejtimit të Bashkisë së Tiranës prej tij, kryeqyteti është mbushur me gropa kantieresh ndërtimi. Çdo lagje ka një ose dy gropa pallati shumëkatësh. Kamionët dhe eskavatorët nuk pushojnë 24 orë në ditë.
Erion Veliaj do të mbahet mend si kryebashkiaku që hodhi më shumë beton në Tiranë, ndërkohë që problemet infrastrukturore të qytetit nuk morën zgjidhje asnjëherë. Lagje të tëra janë lënë në amortizim total, ndërsa administrata e bashkisë me kryebashkiakun në krye kanë qenë të fokusuar te lëshimi i lejeve të ndërtimit.
Në këtë funksion është edhe objekti 17-katësh që po ndërtohet në hyrje të Liqenit Artificial të Tiranës, te “Rruga e Elbasanit”. Pamjet që sjell Gazeta MAPO i përkasin pikërisht objektit që po ndërtohet. Investitor është “Lion Construction” dhe leja është firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe mban datën 23 tetor 2019.
Grataçela do të ndërtohet fare pranë me apartamentin ku banon zv/kryeministri Erion Braçe te rruga “Faik Konica”. Zhurmat e makinerive të ndërtimit kanë disa ditë që po ndjehen. Kjo kullë shumëkatëshe, siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga MAPO, ndodhet në zonën e Liqenit të Tiranës. Çuditërisht nuk kemi parë asnjë protestë nga aktivistë apo shoqatat ambientaliste. Edhe pse aty ka disa ditë që puna ka nisur.