Rreth 204 mijë familje do të përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike duke nisur nga 1 janari 2015, si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë me një fond në dispozicion prej 1.6 miliardë lekësh. Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj ka pohuar dje se në grupin e personave që do të përfitojnë këtë kompensim janë futur familjet që marrin ndihmë ekonomike, kryefamiljarët pensionistë, personat me aftësi të kufizuara, si dhe punonjësit buxhetorë që marrin më pak se 35 mijë lekë të ardhura në muaj. “Fasha e energjisë elektrike, po, do të hiqet. Energjia elektrike, për efekt të kësaj fashe, po, do të subvencionohet. Kjo është arsyeja që ne kemi 16 milionë dollarë, që secili që është në kategoritë e përcaktuara do të marrë 7-8 mijë lekë çdo muaj, si një bonus i rritur mbi pensionin, ose mbi pagesën e vet”, – tha Veliaj. Nga 108 mijë familje që merrnin ndihmë ekonomike janë reduktuar, duke larguar nga skema, 20 mijë abuzues. Tani janë vetëm 88 mijë familje, çka nënkupton që për një familje me ndihmë ekonomike që merrte 3 mijë lekë, sot do të marrë 8 mijë lekë në muaj. Si një pagesë ndihme është trefishi i asaj që merrej në të kaluarën, por sidoqoftë është ende e ulët”, – tha Veliaj. Ministri Veliaj tha se ndihma ekonomike për 88 mijë familje do të pësojë një rritje të ndjeshme, si pasojë e largimit nga skema të familjeve abuzive. Buxheti për Ministrinë e Mirëqenies Sociale është 76 miliardë lekë dhe zë 30% të buxhetit total. Do t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Ne punojmë për një shoqëri që beson tek solidariteti. Do vendosim cilës moshë t’i japim prioritet”, – tha ministri. Sipas tij, ky është “Buxheti i parë ku ne si qeveri e majtë taksojmë më shumë ata që janë në majë të shoqërisë, për të financuar pak më shumë ata që janë më poshtë, që të ngrihen”. Ai shtoi se taksimi i njëjtë nuk funksionon, ndërsa për sa i përket buxhetit 2015, shtoi se do të shpenzohet me efikasitet dhe do u japë më shumë mundësi shtresave në nevojë. Veliaj tha se 27% e buxhetit do të shkojë për mirëqenien sociale, ndërsa prioritet do të kenë reformimi i mbrojtjes sociale, reforma e pensioneve, arsimi dhe edukimi profesional si dhe çështjet e rinisë.