Banorët e ‘5 Majit’ janë thirrur në një seancë dëgjimore me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtorin e Policisë, Gledis Nano dhe Avokatin e Popullin lidhur me shembjen e banesave të tyre. Mungesa e kryebashkiakut ka sjellë pakënaqësi të opozitës.
Veliaj ka argumentuar qëndrimin e Bashkisë me shkrim, por deputetët Dhurata Çupi dhe Enkelejd Alibeaj, kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes deri në ardhjen e kryebashkiakut.
“Ç’është ky që nuk begeniska as njerëzit, po as Kuvendin, të japë sqarime nëse është me ligjin, i themi ne, je me ligjin, ia themi dhe ne, shkresa të tilla ka lëshuar pa fund. Duhet të përballet me njerëzit, duhet të sqarojë, janë në hall, janë pa shtëpi dhe nuk ua ka shkaktuar tërmeti, por shteti, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Duhet të vijë për të ruajtur fytyrën, nderin dhe dinjitetin e Kuvendit të Shqipërisë, të shqiptarëve. Shteti nuk duhet të japë sqarime të vetat, jo po Këshilli Kombëtar është tallje me Kuvendin dhe me ne, është dëgjesë, se nuk janë vetëm këto, po të gjithë që presin t’u shemben shtëpitë”, tha Alibeaj.
“E shtyjmë deri sa të jetë kryetari i Bashkisë, është çështje mbijetese e banorëve, në mes të dimrit janë nxjerrë jashtë, nuk i është dhënë asnjë mundësi strehimi, janë prishur banesa në tetor dhe akoma nuk kanë marrë bonusin e strehimit, marrëveshjet janë copa letrash ku askush nuk kupton çfarë merr dhe çfarë jep. Çdo ditë prishen nga 3 banesa. Abuzim me detyrën e kryebashkiakut Erion Veliaj”, shtoi Çupi.
Por nga ana tjetër deputetja e PS, Klotilda Bushaka ka thënë se Veliaj ka paraqitur infoemacione shteruese, prandaj seanca do të zhvillohet.
“I është përgjigjur duke sjellë përgjigje me shkrim. Kemi organizuar dëgjesën se e kemi detyrim, kemi gatishmërinë për çdo informacion tjetër, do të dëgjojmë dhe të tjerë të ftuar dhe kjo do të vijojë sipas kalendarit që e kemi vendosur bashkë, se i ka përmbushur detyrimet e tij që i jep ligji, ka paraqitur informacione shteruese. Kjo dëgjesë është thirrur dhe do të bëhet sot”,- tha Bushka.