Të gjitha pallatet e reja që do të ndërtohen në Tiranë do të vënë në dispozicion Bashkisë së Tiranës një pjesë të sipërfaqes së banimit për fondin e banesave sociale. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin “Për kontributin e sektorit privat në krijimin e fondit të banesave sociale që kalojnë në pronësitë Bashkisë Tiranë nga ndërtimet e reja”, i cili parashikon që çdo ndërtues që zhvillon një pronë, duhet të japë në këmbim për strehim social 3% të sipërfaqes totale të ndërtimit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke folur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, tha se ky është një vendim që i jep zgjidhje përfundimtare një ngërçi që ishte krijuar më parë dhe detyron ndërtuesit që përveç taksës, të vënë në dispozicion edhe 3% të ndërtimit ose vlerën ekuivalente të tij.
“Ne kemi qenë në një ngërç sepse na duhet të përkthejmë në aktet nënligjore se si do zbatohet 3% i banesave sociale për ndërtuesit. Pra përveç taksës që i paguhet bashkisë, ka edhe një fond të banesave sociale. Ligji ua ka kaluar bashkive sesi duhet ta interpretojmë. Pra, ajo që kemi bërë me këtë vendim, i kemi dhënë sot disa mundësi privatit, mund të na japi 3% aty ku ndërton, mund të na e japi këtë 3% sipas vlerës së vendit ku po ndërton në një vend tjetër, në qoftë se ka një fond banesash të pa shitura. Pra jo të njëjtat metra katror, por në të njëjtën vlerë të këtij 3% të vendit ku është e vlefshme leja. Ose tjetra, 3% mund të zgjedh ta paguajë edhe në cash me vlerën e ndërtimit të asaj zone kadastrale. Ky shkon në një fond të posaçëm vetëm për banesa sociale”, tha Veliaj.