Aktualitet

Veliaj konferencë me Dua Lipa: Mirënjohje për këdo që na mbështeti pas tërmetit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:52 - 23/07/21 |
mapo.al

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka falënderuar sot gjatë konferencës për shtyp këngëtaren Dua Lipa dhe babain e saj Dukagjin Lipa, për kontributin e vyer të dhënë përmes fondacionit të tyre humanitar “Sunny Hill” për 300 fëmijë të vegjël që do t’i gëzohen në shtator kopshtit të ri të rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019.






Në përmbyllje të kësaj dite, Veliaj tha se e gjithë vizita e artistes shqiptare me famë ndërkombëtare i dedikohej nismës humanitare “Adopto një kopsht”, ndërsa projektet artistike të cilat do të jenë vitin e ardhshëm kur Tirana do kthehet në kryeqytetin evropian të rinisë do të zbulohen në një moment tjetër.


“Sot kemi pasur një ditë intensive ku nuk ishte Dua si muzikante dhe si star, por Dua si brigadiere me jelekun e verdhë, sepse, mbi të gjitha, unë besoj që, përveç të qenit një artist i mirë, duke qenë edhe një njeri i mirë si në Shqipëri edhe në Kosovë, si në Britani edhe në Amerikë njerëzit ndahen në dy kategori: njerëzit që flasin dhe njerëzit që bëjnë. Kur ishte situata e tërmetit shumë njerëz na çonin lutje dhe mendimet e tyre, – shumë mirënjohës për to, – por kishte dhe disa që thanë “unë do bëj diçka konkrete”. Filluam bisedën që atëherë për të adoptuar një kopësht në Tiranë, kopështi në qendër të Tiranës që është edhe më i populluari i cili do të mbajë emrin “Sunny Hill”. Dua bashkë me dy djemtë e tjerë me origjinë shqiptare bënë një fushatë për ngritje fondesh. Ne kemi bërë një bashkëpunim me Fondacionin e Qatarit dhe me Fondacionin Sunny Hill. Dua do të sigurohet që i gjithë mobilimi, kuzhina, të gjitha pajisjet, karriget, shtretërit e bebeve, e gjithë baza materiale, pjesa artistike, – ndoshta do dal një vip aty nga kopshti ynë “Sunny Hill”, – do të mbulohen prej saj. Kësaj here ishte një vizitë kryesisht humanitare, për t’i dhënë drejtim këtij sponsorizimi, vitin tjetër do gjejmë një moment në kalendar ku do jetë pjesa festive, por fillimisht puna dhe pastaj festa”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Nga ana e tij babai i këngëtares së famshme u shpreh mjaft i lumtur për këtë bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ndërsa duke iu referuar fondacionit deklaroi se ai do të ndërmarrë në të ardhmen edhe të tjera nisma me në fokus mbështetjen e të rinjve në rrugën e tyre artistike.





“Është kënaqësi e veçantë që të jemi sot në Tiranë me ftesën e Kryetarit të Bashkisë, Erionit, të cilin e konsideroj edhe mik personal. Prej vitit 2016 kur kemi filluar bashkëpunimin tonë, së pari në shenjë falënderimi të fansave të Duas nga Kosova dhe Shqipëria, lindi rrugëtimi i bamirësisë, ku të gjitha fondet të cilat u mblodhën shkuan për bamirësi. Jemi në proçes në Prishtinë të hapjes së një objekti, i cili do të jetë një hapësirë ku artistët e rinj do të kenë mundësi që të eksplorojnë talentin e tyre, derisa ne do ta krijojmë atë platformë e cila është e nevojshme për një zhvillim të tillë. Po mendojmë që në të ardhmen të kemi “Sunny Hill Fondation” edhe në Tiranë, ndoshta do jetë në një prej projekteve të vitit 2022, kur Tirana do të jetë Youth Capital of Europe. Sot ishte domethënës kurorëzimi i gjithë punës së bërë në vitin 2019 për gjetjen e fondeve pas tërmetit. Ishte kënaqësi të shikoje një hapësirë të cilën e kishte ndërtuar Bashkia e Tiranës me partnerët e saj dhe “Sunny hill Fondation” të jetë pjesë,” u shpreh Dukagjin Lipa.

Këngëtarja mjaft e dashur për publikun u shpreh mjaft e kënaqur për mundësinë që ajo pati për të kontribuar për komunitetin shqiptar sidomos pas një tragjedie të tillë.

“Është kënaqësi që kam mundësinë të jem këtu sot dhe me “Sunny Hill Fondation” të mund të ndihmoj në çfarëdo lloj mënyre që mundemi për këtë kopësht por edhe më tej. Është një ëndërr e madhe për mua, në veçanti për një komunitet shqiptarësh,” u shpreh ajo.

Këngëtarja ka qenë e rezervuar në zbulimin e detajeve të Sunny Hill Festival i cili pritet të zgjasë për 4 ditë me radhë në kryeqytet vitin e ardhshëm dhe po ashtu ka lënë surprizë edhe datën e koncertit të saj në Tiranë.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas