Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njëherazi koordinator elektoral i PS në Qarkun e Tiranës, ka deklaruar se të gjitha Exit Polle-t e publikuara në media nxjerrin fituese Partinë Socialiste.
Duke folur para simpatizantëve socialistë, Veliaj tha se projeksionet e PS flasin për më shumë se 72 mandate, ndërsa bëri thirrje për durim gjatë procesit të numërimit.
“Faleminderit shumë. Do më lejoni vetëm një minutë sa të bëj një njoftim. Ka qenë një ditë e gjatë, e bukur, frytdhënëse. Lajmi i parë i mirë që morëm, është që të gjitha Exit Poll-et na kanë nxjerr fitues në Republikë me 71-72 mandate. Lajmi i dytë më i mirë është që projeksionet tona janë më shumë se 72 mandate. Por si projeksionet e Exit Polle-ve si tonat, do të duhet që të presin me shumë durim procesin e numërimit. Por në finale do të duhet të presim procesin e numërimit.
Në këtë moment pjesa më e madhe e kutive janë nisur në qendrat e numërimit dhe lipset të tregojmë durim, teksa fitorja të numërohet. Unë besoj që vota është kontratë e shenjtë, dhe për sa kohë është futur në kutitë e votimit duhet të lexohet me respektin më të madh. Fakti që të gjitha sondazhet nxjerrin PS-në si forcë fituese, dhe tani futemi në procesin e numërimit, do tu kërkoj të gjithëve me dashamirësi që ta respektojmë këtë proces deri në fund”, tha Veliaj.