fbpx

Kryesore

“Vëlla! Vëlla!”: Zhdukja e 200 kg kokainë ndezi luftën, si u përgjakën rrugët





               Publikuar në : 12:55 - 25/12/18 |
mapo.al

Policia austriake tha se rrugët e Vjenës u përgjakën të premten për shkak të larjeve të hesapeve mes familjeve mafioze ballkanase. Policia thjesht raportoi që bëhej fjalë për një vend të Ballkanit Perëndimor, pa specifikuar se cili, por dëshmitarët thanë se i plagosuri përsëriste në gjuhë sllave fjalën “Vëlla! Vëlla!”


Një person u vra dhe një tjetër u shtrua në spital në gjendje shumë të rëndë, pas sulmit në një restorant të njohur, vetëm 200 metra larg Katedrales së Shën Stefanit, në qendrën historike të qytetit.



Personi i tretë, që ishte në restorant me viktimat gjatë sulmit, u mor në pyetje nga policia si dëshmitar okular. I dyshuari mbetet në arrati. Banorët që po qarkullonin në qendër u përfshinë nga paniku, pasi u hamendësua menjëherë se bëhej fjalë për sulm terrorist.


Plumb kokës pas shnicelit

Ishte një vrasje gjakftohtë, që tronditi kryeqytetin austriak. Katër persona u takuan në mes të Vjenës për të ngrënë drekë në restorantin e famshëm të shnicelit, “Zum figlmueller”.

Restoranti gjendet në një zonë të shumëfrekuentuar nga turistët. Pasi mbaruan drekën, dolën nga lokali. Krejt papritur, njëri nxjerr një armë dhe i qëllon dy të tjerët në kokë.

Njëri nga viktimat vdiq në vendin e ngjarjes, tjetri është në rrezik për jetën. Personi që kreu krimin u largua me një makinë, kurse kalimtarët e terrorizuar kërkonin vend që të fshiheshin.

Vrasja ka shokuar austriakët. Ende nuk dihet me saktësi se kush është autori i krimit, por dihet se viktima është Vladimir Roganoviç. Një dëshmitar tha se ata flisnin një gjuhë sllave.

Sipas mediave serbe, viktima është anëtar i klanit mafioz Kavaçki nga Mali i Zi. Kurse viktima e dytë është 22-vjeçari Stefan V. nga Nikshiçi.

Policia beson se bëhet fjalë për një përplasje të përgjakshme të mafies ballkanike, që ka prodhuar shumë viktima.

Bandat e përfshira në konflikt janë Kavaçki dhe Skaljarski, të emërtuara sipas lagjeve të qytetit të Kotorrit në Malin e Zi.

Ata merren me trafik kokaine nga Amerika e Jugut. Por në fund të vitit 2014 ndodhi diçka që ndezi luftën. 200 kg kokainë u zhdukën pa lënë gjurmë.

Një nga grupet duhet ta ketë vjedhur sasinë e madhe të kokainës. Beteja e nisur mes bandave u ka kushtuar jetën së paku 40 personave. Atentate, shpërthime me bomba dhe përplasje të armatosura janë shënuar kryesisht në Beograd dhe Valencia.

Tashmë krimi mbërriti edhe në Vjenë.


Etiketa: , , , ,

Pas