Aktualitet

Vëllimi më i ri, gjeneza poetike e Ndue Dedajt














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:03 - 08/06/21 |
Isuf Neli

Shumë poezi të këtij vëllimi, në analizë të fundit, janë të denja për tekstet shkollore të letërsisë, ku autorët e pas viteve ’90, dallohen për individualitet të veçantë e tematika trazuese






Isuf Neli, Tiranë


Vëllimi poetik “Mjegullat e gjenezës” i poetit dhe publicistit të njohur Ndue Dedaj është një ndër prurjet më cilësore të krijimtarisë artistike të botuar në vitet e fundit. Ai vjen te lexuesi me librin e tij të pestë poetik, me një profil të lartë, me një vështrim të veçantë, herë të ëmbël, herë trazues, por të freskët e gjithmonë origjinal.







Ekzistenca, mbijetesa dhe shpresa e vakët dhe e përhumbur janë kolonat që e bëjnë solide këtë vepër, çka dëshmohet edhe në një poezi të vetme të zgjedhur në korpusin poetik të këtij vëllimi, që titullohet “Vendi im”:



Vendi im – shullâ në një kreshtë të bardhë dimri



Pingrojnë orët e zanat, verrkeqet e orlat…

Prej Motit të Madh pret të mirë mot.

Vendi im – qytet amfiteatrosh, kështjellash, ballosh

Log bjeshkënamunash, gurrë lugjeverdhash

Si një barrë e vrame në brigje të planetit…

Ashtu sipas një “tërmeti” të fuqishëm (metaforik) në “Dheu i kuq”, poezi pas poezie, poeti sjell mjeshtërisht te lexuesi: legjenda, histori, individë, gurë, lisa, lumenj, mademe, kaos etj., të vizatuara me ngjyrë gri, por dhe rrezatime të së bardhës, siç duken malet mbas një agimi të mjegullt.

Tërë ky “inventar” poetik, përmes një këndelljeje shpirtërore dhe grishëse, i vështruar vertikalisht nga poeti, ka përcaktuar fizionominë dhe filozofinë autoriale.

Enigmat, varësitë apo pavarësitë e gjerave, zullumi dhe lavdia, mëkati dhe çmitizimi janë raporte të lexuesit me poezitë e këtij vëllimi, përjetime dhe gjykime që nuk i prek me një lexim të thjeshtë. Në këtë kuptim, Dedaj, tamlin poetik të bjeshkëve e çon te lexuesi i kultivuar si një marrëdhënie profesionale për ta shijuar sipas parapëlqimit individual.

Ndue Dedaj është poet malësor. Mjafton të shikosh tematikën e poezive apo epizmin, raportin e komunikimit për ndodhi të veçanta, dramacitetin, nderimin për paraardhësit e shquar të letrave, distancën dhe përulësinë, mënyrën e gdhendjes së vargut, strukturimin e poezive dhe përdorimin me mend dhe me vend të fjalëve që po humbin nga ligjërimi gjuhësor, fjalë prej guri apo prej lisi, siç i quan poeti.
Në këtë vështrim, ky poet nuk vjen te lexuesi si “Zog i true” (njëra nga poezitë e librit), por si “zog i bekue”, që shkruan për të hyrë me dinjitet në odën e burrave, ku u “pagëzuan” poetët malësorë të këtij trualli.

Shumë poezi të këtij vëllimi, në analizë të fundit, janë të denja për tekstet shkollore të letërsisë, ku autorët e pas viteve ’90, që dallohen për individualitet të veçantë e tematika trazuese, ata që vizatojnë mbi rrashtin e gurëve të alpeve, duket se do të jetojnë në “pandeminë” e gjatë të veçimit, mbase gjer në “Post mortum”…

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas