Aktualitet

Vëmendja për mësuesit është emergjencë kombëtare














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 18/01/21 |
Mirela Karabina

Sistemi arsimor ka mundësinë të kontribuojë në mënyrë thelbësore në formimin e qytetarëve. Ndaj, procesi i ndryshimit dhe përmirësimit të tij është i rëndësishëm. Por, ndryshimi në arsim varet nga ajo që bëjnë dhe mendojnë mësuesit. Dhe kjo është kaq e thjeshtë dhe kaq e ndërlikuar. Klasat dhe shkollat bëhen efektive kur punësohen mësues cilësorë dhe kur vendi i punës u jep energji mësuesve dhe i shpërblen arritjet. Dhe mësuesit, sipas Michael Fullan, studiuesit më në zë të pedagogjisë moderne dhe reformimit në arsim, janë agjentë moralë të ndryshimit të shoqërisë.





Shkolla është i vetmi institucion që merret në mënyrë specifike me zhvillimin e aftësive intelektuale dhe të cilësive morale të nxënësit. Shkollat kanë rolin kryesor në edukimin e nxënësve të cilët përvetësojnë koncepte për të vërtetën, të bukurën dhe drejtësinë,- mbi bazën e të cilave gjykojnë mbi virtytet dhe të metat e shoqërisë.
Dhe roli i mësuesit është primar!


Po, ku janë mësuesi tanë sot?





Fatkeqësisht, janë të keqformuar dhe të nëpërkëmbur, të mbingarkuar dhe jo të vlerësuar.
Pushteti i ka kthyer në marioneta dhe i përdor si do.
Ndërhyrja në arsim nga qeveria Rama në një mjedis që nuk ishte i përgatitur dhe i organizuar për t’u përfshirë në ndryshim, ka përkeqësuar sistemin dhe reformave u ka dhënë emrin, të dështuara. Mënyra se si formohen mësuesit sot, si trajnohen ata, si janë të organizuara shkollat, si trajtohet arsimi nga politikat e qeverisë janë tregues të ruajtjes së një sistemi thellësisht konservativ që po degradon dhe e ka të vështirë të pranojë ndryshimin.



Kështu, formimi universitar i mësuesve është në kaos. Zhvillimi dhe konsolidimi i institucioneve të specializuara pedagogjike është në çorganizm të organizuar. Politikat e mbrapshta klienteliste të qeverisë kanë goditur institucionet arsimore të mësuesisë duke rrezikuar mbylljen përfundimtare të tyre, si rasti i universiteteve rajonale të mësuesisë të Elbasanit, Shkodrës dhe Gjirokastrës. Sipas një gjeopolitike të ndjekur, këto universitete të shtrira në gjithë vendin kanë prodhuar prej dekadash mësues, kanë qenë të specializuara vetëm për këtë profil ndërsa sot, ato dhe disa të tjerë, janë shndërruar në qendra kursesh dhe pa asnjë strategji vazhdimësie.


Dhe këtë strategji shkatërrimi e drejton qeveria!

Mungesa e një platforme unike në strukturën e universiteteve që diplomojnë mësues dhe të kategorive të programeve të studimit apo titujt e ndryshëm të diplomave të mësuesisë kanë krijuar çoroditje në sistem. Për shembull, dhe vetë Universiteti i Tiranës, universiteti më i madh në vend, nuk ka fakultet edukimi që certifikon mësues, por secili fakultet ka programin dhe llojin e tij të diplomës. Buxheti i ulët për arsimin dhe mungesa e investimeve dhe strategjive zhvilluese profesionale të mësuesisë ka ulur cilësinë e shkollimit dhe aftësimit praktik profesional të kandidatëve për mësues. Ndërkohë, për t’u bërë mësues është një rropatje e gjatë 7-8-vjeçare e studentëve dhe familjeve të tyre që i mbështesin financiarisht.

Kështu, pasi diplomohet pas pesë vitesh studimi universitar kandidati për mësues ndjek një vit në stazh dhe më pas i nënshtrohet provimit të licencës, që për nga cilësia, ky provim, është një zhvlerësim që i bëhet diplomës universitare. Dhe për punësim, kandidati për mësues duhet të kalojë një provim në portalin politik “Mësues për Shqipërinë”, i cili varet se në çfarë periudhe të vitit bëhet duke zgjatur pritjen për punësim. Dhe, nëse nuk kalon provimin e portalit nuk fillon dot punë si mësues, kështu që diploma universitare dhe licenca zhvlerësohen. Pra, paradoks i vërtetë përplasjesh institucionesh shtetërore arsimore që nuk njohin njëri- tjetrin! Dhe, në emër të politikave arsimore formimi, aftësimi dhe punësimi i mësuesve është në krizë të thellë!

Kështu, Reforma kurrikulare dhe ndryshimet në arsim përgjatë viteve 2013-2021 gjetën mësuesit të papërgatitur, pasi qeveria përmes shpërfilljes nuk i ka bërë pjesë të përmirësimit, por veç të zbatimit. Të gjendur në vështirësi dhe të detyruar të zbatojë gjëra të reja të panjohura më parë, të patrajnuar dhe të pambështetur, mësuesit janë në sfidë profesionale. Sot ata janë kthyer në burokratë shkresurinash, ndërkohë që koha e përgatitjes së mësimdhënies është nënvlerësuar dhe zvogëluar. Mungesa e motivimit dhe vlerësimit financiar për punën e bërë ka shtuar pakënaqësinë e mësuesve nga puna, ka rritur ankthin, stresin dhe presionin e fajit ndaj tyre për dështimin e sistemit arsimor. Ata përpiqen të mbijetojnë në këtë kaos të cilin politika qeverisëse ka krijuar.

Por, pa mësues të mirë asnjë reformë dhe ndryshim nuk merr jetë! Dhe kjo arrihet me politika reale dhe strategji veprimi duke pasur në qendër mësuesin: rritje të buxhetit për arsimin që të sigurojmë cilësi në formim të tyre, cilësi në formim të tyre jo vetëm në ciklin universitar por dhe atë parauniveristar; unifikimi i institucioneve pedagogjike të formimit të mësuesve në strukturë programesh dhe diploma të njëjta; investim në praktikat reale mësimore për aftësimin profesional të tyre; politika reale punësimi dhe përcaktimi i diplomës për llojin e ciklit të arsimit; rritje të motivimit nëpërmjet vlerësimit moral dhe financiar, pasi mësues të kënaqur do ta bëjnë më mire punën.

Natyrisht që duhen 3 vite për të sjellë përmirësimin dhe 10 vite për të sjellë ndryshimin dhe, matanoia, si një ndryshim themelor i mendjes që është në themel të ndryshimit në arsim, nuk arrihet lehtë dhe për një periudhë të shkurtër kohe. Por, treguesit e arritjeve në arsim për periudhën 2013-2021 dëshmojnë trendin negativ të degradimit të sistemit arsimor dhe goditjes së mësuesit përgjatë këtyre 8 viteve.

Qëllimi moral i një sistemi arsimor është të ndikojë në jetën e nxënësve, të formojë qytetarë të cilët mund të punojnë me produktivet në një shoqëri me dinamizëm në rritje. Dhe, mësuesi është agjent i ndryshimit, vetëm ai mund ta realizojë këtë. Ndaj sot, kujdesi për të është emergjencë kombëtare!

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas