Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi dje mbledhjen e parë, ndërsa bëri të ditur se rreth 40 magjistratë dhe jo magjistratë kanë kandiduar për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
Në lidhje me këtë numër të lartë të kandidatëve, KED kërkoi shtimin e personelit administrativ pranë Gjykatës së Lartë në dispozicion të veprimtarive të këtij Këshilli. “KED shqyrtoi dhe vlerësoi ngarkesën e pazakontë të punës dhe të angazhimeve që kërkohet për verifikimin dhe vlerësimin e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Deri më tani, për të gjitha pozicionet vakante janë kandiduar 40 magjistratë dhe jo magjistratë, të cilët, njëkohësisht, sipas rastit, duhen verifikuar dhe/ ose vlerësuar nga KED”, njoftoi Këshilli. Gjithashtu, në lidhje me zhvillimin e shpejtë të kësaj procedure, KED-i njoftoi se ka parë të arsyeshme t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor me një kërkesë që anëtarëve të KEDit t’u lehtësohet ose hiqet ngarkesa e punës gjyqësore dhe prokuroriale.
“Po kështu, KED vlerësoi t’i drejtohet KLGJ-së dhe KLP-së duke i kërkuar që, bazuar në kompetencat që i cakton ligji, të mundësojë edhe lehtësimin apo heqjen e ngarkesës së punës gjyqësore dhe prokuroriale të anëtarëve të KED-it, në mënyrë që ata t’i kushtohen maksimalisht ngarkesës së punës për realizimin e procedurave komplekse të verifikimin dhe vlerësimit të kandidaturave për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë”, njoftoi zyrtarisht Këshilli.
Ndërkohë, mbledhja e ardhshme e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të zhvillohet në datën 21 janar, në orën 15:00. Kujtojmë se anëtarët e KED-it janë: Ardian Dvorani, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, kryesues; Vitore Tusha nga Gjykata Kushtetuese; Arta Marku nga Prokuroria e Përgjithshme; Fatri Islamaj nga Gjykatat e Apelit; Margarita Buhali nga Gjykatat e Apelit; Fatjona Memçaj, prokurore pranë Gjykatave të Apelit; Eriol Roshi nga Gjykatat Administratave; Medi Bici nga Gjykata e Lartë; Gurali Brahimllari nga Gjykatat e Apelit dhe Klodiana Veizi (Mema) nga Gjykatat Administrative.
PANORAMA