Dikur

Vendi gjeografik i Shqipërisë Etnike






               Publikuar në : 08:30 - 14/03/19 |
mapo.al

Punimi i profesor Ahmet Gashit për Shqipërinë etnike dhe harta e Shqipërisë së vërtetë


Përgatiti: Veli Haklaj

-VIJON NGA NUMRI I SË MARTËS

Mbrenda kufijvet që u përmendën përmblidhen tokat e Shqipnis ethnike, të cilat shtrihen në anën jug-perëndimore të gadishullit të Ballkanit, mbi brigjet lindore të detevet të Jonit e të Adriatikut, prej jugu në veri, ndërmjet shkallëvet të gjanësis veriore 38057(Prevezë) dhe 43020 (maja e Jankovit në V.P. të Novipazarit) edhe prej perëndimit në lindje ndërmjet shkallëve të gjatësisë lindore prej Ferros, 36040 (=Sqepi i Luftës së Zezë=Crnirat) mbi Spizza-n edhe 39038 (Kumarovo në lindje të Vranjës).

Për këtë flet edhe dijetari Georg von Hahn në veprën e vet “Albanesische Studien”, Vjenë 1854. Në faqen e parë të kësaj vepre ai thotë: Shqipnija shtrihet ndërmjet shkallëve të gjanësisë veriore 390 dhe 430, që do me thanë prej Prevezës deri në Novipazar.

Në rast se ka me u bâ rivendikimi i plotë i vendevet të humbuna në veri-lindje, më 1878, atëherë shenji veriak shënon shkallën e gjanësisë 43024’ (në Krivirt 1205 afër Karakoll Turska-s) edhe shenji linduer shënon 39052’ në Romanovcin e Sipërm në lindje të Mesuricës. Të gjitha krahinat që përmblidhen me qytetet e Kurshumlis, Prokupjes dhe të Leskovces, domethânë e tânë lagjeja e lumit të Toplicës, deri afër mbarimit të shekullit 19-të, kanë qenë të banueme me popullsi shqiptare. Këtë e vërtetojnë të gjithë shkrimtarët e dijetarët e paanshëm që i kanë shetitun ato anë. Vërtetimin më të mirë të kësaj që thamë e ban konsulli i përgjithshëm i ish-monarkis Austro-Ungare, Lipich-i. Shkrimet e këtij janë raportuem prej Karl Sox-it në studimin që ky bân në “Erleuterunq zu der ethnographische Karte der Evropaische Turkci”, botue në Mitteilungen der K.U.K.Geogr. Gesellscheft in Wien, Bd.XXI, 1878, faqe 177-183.

Këto vende me të vërtetë nuk kanë sot më një popullsi shqiptare (veç një pakicë shumë të vogël), pse barbarizmi, shovinizmi i qeverive serbe i ka shfarosë më një sistem e metodë që njifet edhe sot mbasi edhe në kohët e tashme âshtë tue i zbatuem po ato masa për zhdukjen e racës shqiptare nëpër viset e Kosovës e të Shqipnisë lindore.

Gjinden edhe sot shumë plaka e pleq të atyne viseve të humbuna më 1878, që rrojnë si emigrantë në viset e ndryshme të Kosovës e që mbajnë ndër mend edhe vuajtjet që kanë pasë prej serbvet; këto vuajtje ata ua kallzojnë me mallëngjim nipërvet e stërnipërvet të vet.

III. Justifikimi i kufijve të Shqipnis Ethnike

Caqet e shënueme për vendin gjeografik të Shqipnis Ethnike edhe kufijt e shënuem simbas përshkrimeve të bâme mâ nalt, kallzojnë me përpikeni fytyrën që ka pasë Shqipnija e vërtetë në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, domethânë më 1878, në kohën kur të parët tanë të lidhun e të besatuem me besë shqiptare për me përballue rrezikun që i kërcënohesh vendit arbnuer, për copëtim, paten formue Lidhjen e Prizrenit.

Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit, megjithëse ka qenë e madhe, nuk ka mundun prap me e shpëtuem krejt atdheun pa u dhânun e pa u cunguem ky pjesërisht, sepse pat ndesh në kundërshtim jo vetëm të fqinjëvet lakmues por edhe të fuqive të mëdhaja të atëhershme me qytetni fallso të pluto e pseudo-demokracivet imperialiste të cilat i përkrahën e i ndihmuen me çdo mënyrë, sikundër dihet  në histori, anmiqtë tanë tue u falë atyne tokat thjeshtë shqiptare.

Vendet shqiptare të shkëputuna nga Shqipnija e Veriut iu patën dhurue nga Kongresi i Berlinit të 1878-ës dy fqinjëve tonë sllav, Malit të Zi edhe Serbisë, pse këto u përkrahen me këmbëngulje në atë kongres prej Rusisë së Carvet që donte rritjen e fuqis sllave në Ballkan. Në këtë mënyrë Mali i Zi na pat marrë n’atë kohë këto vende: Tivarin, Ulqinin edhe Podgoricën bashkë me katundet e tyne, edhe Serbija na pat marrë po ashtu kazatë e Nishit e Kurshumlis, të Prokupjes, të Leskovcës dhe të Vranjës, që kanë pasë atëherë popullsi thjesht shqiptare. Një pjesë e kësaj popullsie u shfaros barbarisht prej pushtuesvet edhe një pjesë e sulmueme dhe shtypun rreptë u shtërngue të shpërngulet prej atyne visevet tue i lânë atje vatrat, trojet e vorret e stërgjyshëvet. Këta sot ndodhen të shpërndarë në ish-vilajetin e Shkodrës edhe në atë të Kosovës e madje në Turqi.

Mbas 34 vjetësh Shqipnis i ra edhe një herë coptim i dytë edhe mâ i rreptë se i pari. Ky copëtim u bâ në luftën e parë Ballkanike, më 1912. Këtë herë të tre fqinjët tanë, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, të përkrahun, si përherë, prej Rusisë Cariste, prej Anglisë edhe prej Francës, me vendimet e padrejta të Konferencës së Londonit më 1913, muarën prap sa deshën tokë shqiptare.

Mali i Zi këtë herë na muer të tânë prefekturën e Pejës me Jakovën, Plavën, Gucinen, Rugovën, Rozhajën edhe Beranen. Serbija na muer thuajse të dy ish-vilajetet shqiptare të Kosovës edhe të Manastirit me këto prefektura: Prizrenin, Jenipazarin edhe Shkupin (nga ish-vilajeti i Kosovës) edhe Dibrën e Manastirin (nga ish-vilajeti i Manastirit). Greqija edhe kjo na muer një pjesë të prefekturës së Korçës dhe të Serfixhesë (nga ish-vilajeti i Manastirit), një pjesë të prefekturës së Gjirokastrës edhe gjithë prefekturën e Janinës me Çamërinë. Qytetet e këtyre prefekturave janë përmendur më sipër (çështja e kufirit jugor).

Përpjekjet e malazezëve, serbëve (më vonë edhe jugosllavëve) edhe të grekëve për të zhdukun gjurmat shqiptare në këto treva, kanë qenë gjithmonë fort të mëdhaja e të rrepta. Ata tue mos pas asnjë droe nga bota e atëhershme me qytetni false, që i bânte veshët të shurdhët për ankimet e rënkimet e shqiptarëve, janë mundue me çdo mënyrë për t’ia mbërritun këtij qëllimi, kanë zbatue çdo masë barbare për shfarosjen e elementit shqiptar n’ato vise të pushtueme prej tyne. Asht e mundshme dhe e natyrshme që në disa vende, gjithë ato masa të panjerëzishme të kenë bâmë mjaft punë në dâmin e elementit shqiptar. Elementi shqiptar u shtyp, u ndrydh fort në të gjithë Shqipërinë e robnueme, nuk u përfill asnjë herë si një element njerëzor, iu mohue çdo e drejtë gjallnije, tue mos u përfillun jo vetëm si shqiptarë por edhe si njeri, u grabit, u gjobue me qëllime armiqësore, u zhvesh e u fik. Në shumë vende u shtërngue e u dhunue ta ndërrojë besimin e të bëhet orthodoks që kështu ta gjejë rrugën e humbne e të bëhet malazez, serb, bullgarë ose grek, sepse simbas mendësis që krijuan në të mirë të tyre, vetë të quajtunit shkrimtarë, politikanë e dijetarë serbë e grekë, elementin shqiptar muhamedan e quajshin “Arnaut”, “Arvanit” edhe e merrshin për serb e grek të shqiptarizuem. Këtij mendimi âsht ndër shumë të tjerë Spiridon Gopçeviçi, i cili në librin e vet “Makedonien und Altserbien” shkruan pa turp gjâna të këtilla të padrejta e komike. Shumë pseudoshkrimtarë të tjerë serb e grek të shtymë prej politikanëve të Beligradit e të Athinës, shkruejtën artikuj e botuan libra gjithfarësh, në të cilët banë gjykime me një mendësi të errët të fanatizmës fetare të Mesjetës për elementin shqiptar. Anekset e këtij elementi ata i morën për serbë, për bullgarë ose grekë, simbas vendit. Kjo mendësi ndër këta ishte krijuem qysh afër mbarimit të 18-it shekull e në fillimin e të 19-it shekull edhe me të drejtat që kishin fituar me përkrahjen e Rusis Cariste, me i pasë në tokat e Perandorisë Osmane kishat dhe shkollat serbe, bullgare edhe greke, liri kjo që shqiptari nuk pat mundun me e pasë asnjëherë. Ata qysh atëherë me ndihmën e Popvet e të Papasvet që predikojshin nëpër kishat edhe me mësimet e uçitelvet e të dhaskalëvet që mësojshin nëpër shkolla, patën mundun me e vu në zbatim këtë mendësi në sheshin e trojeve shqiptare që patën gjetë të lirë. Si mjerë ai ortodoks i elementit shqiptar që guxonte me e quajtun vehten shqiptar, si mjerë ai i tillë që kundërshtonte për propagandat që i bâheshin përqark për me shndrruem kombësin, si mjerë ai që i lente fëmijët të flasin shqip, jo vetëm në shkollë e në rrugë por edhe në gjinin e familjes, ai dënohesh fetarisht tue u shkishënuem ose dënohesh me vrasje nga fuqia ekzekutuese (komitaxhitë), ose dënoheshin prej qeverisë turke; pse priftënit edhe mësuesit bashkë me konsujt serbë, bullgarë, zakbe, grekë e rus carista ishin në bashkëpunim më të fortë me autoritetet e Turqisë për t’i ndjekun, për t’i spiunuem atdhetarët shqiptarë. Kush e di se sa mijë e mijë shqiptarë atdhetarë u morën në qafë, u masakruan, u internuan e u kalben në burgjet e largëta të Fezanit, të Jemenit, të Mosulit etj. për të vetmin faj se tue qenë shqiptarë nuk bindeshin me i ra mohit kombësis e me u bâ serbë, bullgarë ose grekë. Me këto plane djallëzore e të poshtërta fqinjët tanë shovinista kanë shkelun dhe kanë verbuar ndërgjegjen kombëtare të orthodoksve shqiptarë në të tri skajet e Shqipnisë Ethnike. Vetëm kështu shpjegohet puna pse të mos gjinden sot shqiptarë orthodoksë në skajet veriake (në Kosovë e në Malin e Zi), në skajet lindore (në Maqedoninë Perëndimore) edhe në skajet jugore (në pjesën e robnueme ndën grekët). Sikur të mos ngjante Rilindja Shqiptare më 1878 edhe sikur të mos kryqëzoheshin interesat e tyne me Shqipninë politike të sotshme do të ishin shkombëtarizue krejt në sajë të kishave e të shkollave serbe e greke, përpara të shpallunit të pamvarësisë sonë me 1912.

Përse ortodoksët shqiptarë të Kosovës e të Malit të Zi tue qenë me fizionomi të tipit shqiptar, tue i pasë të gjitha zakonet shqiptare, tue ditun edhe seicili fisin shqiptar që i përkiste, tue folë një serbishte çalamane me të folme të shqipes (gjë kjo që më ka qëllue shpesh ta vërtetoj edhe vetë) e quejshin veten serbë?! Sepse kujtimi i emnit të fesë ortodokse ndër ata ishte rrënjosun si synonin me kombësinë serbe e jo tjetër.

Përse në shumë katunde të Shqipnisë ethnike lindore (Maqedhoni Perëndimore), sikundër kam muejtun ta vërtetoj vetë, vetëm pleqtë e plakat e folshin me droe shqipen tonë me një të folme të kthjelltë e të kullueme, kur merrshin vesht se ai që kuvendonte me të nuk ishte bullgar ose tjetër kush, por veçse shqiptar, kurse djemt e vajzat e nipat e mbesat e tyne, tue mos ditun veçse pak fjalë shqipe na folshin vetëm bullgarisht? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjenë gjithkush tue bâmë krahasimin me shpjegimet e para. Vetëm puna, pse ata pleq e plaka na e folshin me dreshtje e me sy të përlotun shqipen, gjen shpjegimin se këta i drojshin spiunët e komitaxhinjvet bullgarë, të cilët si fuqi ekzekutuese të propagandës së shkombëtarizimit të shqiptarëvet, me të marrunin vesh këtë punë i gjobitshin shumë rëndë ata edhe i masakrojshin pa mëshirë në shtëpinë e tyne natën. Sot bullgarët e këtillë të Maqedhonisë Perëndimore, me shtypjen jugosllave kanë fillue të serbizohen.

Po kjo gjendje e vajtueshme e shkombëtarizimit të elementit shqiptar orthodoks ka marrë hov e ka vijuem po kështu me të madhe edhe nëpër krahinat tona të skajeve jugore të Shqipnisë ethnike. Në shumë katunde të jugut me fizionomi thjesht shqiptare të greqizuem qysh në shekullin e 19-të, sot flasin një greqishte të shkatërrueme si përkthim të shqipes e me të folmen e saj. Në disa anë ata ende në dasma i këndojnë shqip kângët e vjetra të stërgjyshërvet të tyre edhe në mortet vajtimin e bâjnë shqip. Nëpër katundet e greqizueme tash së voni, mbas 1912-ës, vetëm pleqtë e plakat e flasin shqipen, kurse të rinjtë e të rejat, bijtë e bijat e tyne flasin greqishten.

Me këto baza të shtrembëta e me këto përgatitje propagande të tmerrshme u mbështetën fqinjët tonë shovinistë të pangopun për me i grabitun e me i përvehtësuem trojet tona arbënore. Qeveritarët serbë për t’u shërbye qëllimevet të tyne politike për kohët e mëvonshme shpikën e trilluen emnin e paqenë “Stara Serbia” që do me thânë “Serbia e Vjetër”. Ky trillim i emnit të Stara Serbias për herë të parë është pamë më 1846 në “Carte de la principauté de Serbié” prej Jean Bugarsky-it, e përpara asaj kohe as nuk âshtë ndëgjuem as nuk âshtë pamë kërkundi. Në të gjitha gjeografitë e shtypuna në gjuhën serbe para atij viti nuk haset aspak n’atë emen të çuditshëm.

Qeveritarët bullgarë të atëhershëm tue shkue mbas shembullit të serbëvet qysh më 1876, menjëherë mbas lidhjes së Traktatit të San Stefanos ndërmjet Rusisë e Turqisë, ringjallën termin gjeografik të vjetër të “Maqedonisë”, që u bâ më vonë një term tërheqës e magjik për bullgarët që lakmojshin edhe tokat e hueja përjashta Bullgarisë.

Këto dy sheshe të trillueme e të krijueme prej qeverive shoviniste serbe e bullgare, do me thanë “Stara Serbia” edhe “Maqedonia” shumë kohë nuk kanë pasë ndonjë vijë kufini të shqueme ndërmjet tyne, sepse të dy lakmuesit zgjanojshin kufijtë e sheshevet të propagandës së tyne mbas dëshirit tue i kapërcye caqet e njenës mbi tjetrën.

Po kështu edhe qeveritarët shovinistë grekë, për me ngjallun një shpirt lakmije në popullin e tyne, Shqipnin e jugut filluen ta quajnë “Epir”. Ata me këtë emër historik kanë dashun edhe duen gjithnjë me mbuluem fytyrën e tashmë të vërtetë të kësaj ane të Shqipnisë e me këto dokrra janë përpjekun t’i hedhin hi sysh botës, që të mos mundet me pamë e me gjykuem të vërtetën gjeografike të Shqipnisë jugore.

Përsa i përket elementit shqiptarë muhamedan, që kudo ndër tokat shqiptare të pushtueme e të robnueme përmbante shumicën ndër elementët e tjerë, fqinjët tonë, përveç mendësis së tregueme më nalt, kishin edhe këto mendësi të çuditshme; shqiptarët muhamedanë këta i merrnin për turq, sepse feja e re e importueme prej Turqisë gjatë shekujve të 13-të, 14-të e 15-të në Gadishullin e Ballkanit, u quajt atëherë, e madje quhet edhe sot, feja e turqve, edhe të kthyemit në këtë fe thirreshin dhe thirren turq, megjithëse gjuhën edhe fizionominë nuk e kishin të atillë [si] të turkut. Në të gjitha anët e Ballkanit kjo mendësi mesjetare, që përzien emnin e fesë me atë të racës, që i gjykon njerëzit vetëm mbas fesë tue mos i përfillun aspak racën, se cilës i përkasin ata, ka sjellun shumë pengime e ngatërresa në çështjen e zhvillimit të grumbujve të popujve (të kombevet), sepse shumë antarë të një populli janë thithun në këtë mënyrë prej një populli tjetër.

Anmiqtë e Shqiptaris e dijshin këtë mendësi ballkanike e qysh herët filluen të veprojnë për të mirën e politikës së tyre djallëzore. Shqiptarët muhamedanë i quajshin turq nergut edhe tue i përfillun si të këtillë i shtërnguen me çdo farë mase barbare të shpërngulen prej votrave të tyne e të shkojnë në Azin e Vogël në Turqi.

Shumë të vetëquejtun shkrimtarë serbë e grekë botuan broshura e libra, shkruejtën artikuj nëpër fletoret e tyne e të huaja për këto qëllime shoviniste. Qeveritë e Beligradit e të Athinës shpenzuan miliona e miliona për hirin e kësaj propagande të tmerrshme si brenda ashtu edhe jashtë shteteve të tyne tue blemë ndërgjegjen shumë gazetarëve e publicistëvet e mendjen pseudo-autorëvet të shteteve pluto-demokratike të imperialistëve.

Shovinistët serbë për realizimin e kësaj mendësije të shtrembët kanë pasë qenë të ndihmuem qysh me kohë prej pseudo-dijetarëve rus si Makoushef-i, Florinsky-i, Hilferding-u etj, të cilët si shërbëtorë të politikës cariste imperialiste që kishte për qëllim zgjerimin e sllavëvet në Ballkan, botuen artikuj e libra gjithfarësh kundër shqiptarëvet muhamedanë, të clët i quejtën të huaj, turq të ardhun në vendet e Malit të Zi, në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore e ngjeti, edhe i treguen mbarë botës nevojën që herët a vonë këta duhet të përzihen prej këtyre viseve e të çohen në Anadoll!

Aq shumë u rrënjos kjo mendësi ndër serbët sa që, si mbahet ndërmend e në shënim prej gjithkujt, në Skupshtinen (Parlamentin) e Beligradit, shpesh herë ngjante kur një deputet shqiptar ka pasë guximin me kërkuem ndonjë farë të drejte për banorët shqiptarë të Jugosllavisë ose është ankuem për shtypjen e mizorinat e zakonshme që u bâheshin këtyne nga autoritetet jugosllave, deputetët serbë të verbuem nga kjo mendësi e fanatizmë e kalbët, me gojë të shkumbueme u përgjigjeshin tue gërthitun me sa mujshin tue thanë kështu: “Vendi i juej i popullit që përfaqësoni nuk është këtu, ju edhe populli i juej jeni turq, shporruni në Anadoll, në Turqi!”.

Qeveritë e ndryshme jugosllave gjithmonë kanë zbatuem mësimin e mjeshtrit të tyne të vjetër Pashiqit, i cili si anmiku më i madh i shqiptarëve ka shkruejtun, ka vepruem edhe ka këshilluem pasardhësit e tij të veprojnë me këtë parim: me i zhdukun shqiptarët me çdo mënyrë, ose tue i masakruem, ose tue i fikun ekonomikisht, ose tue i shtyrë e tue i shtrënguem të ikin në Turqi! Ai gjithmonë thoshte se shqiptarët janë të rrezikshëm për racën sllave, duhet të pakësohet numri i shqiptarëve në viset jugosllave që kështu elementi serb të zejë vendin e tyne.

Me të vërtetë ky mësim u zbatue gjithnjë prej çdo qeverie jugosllave për dëmin e elementit shqiptarë muhamedan, në viset arbnore të robnueme. Të ikunit e qindra mijë shqiptarëvet në Turqi, gjatë 28 viteve të sundimit serb në Kosovë e në Maqedoni janë pemët e këtyre përpjekjeve anmiqësore. Qeveria serbe shumë vite radhë bâni gjuetin e shqiptarëve tue i quejtun egersina, i masakruan për t’i shfarosun, i dogjën e i poqën, i torturuan me mijëra me metoda barbare; por, më në fund, si u ngopën e shfryjtën dufin e tyne barbare me derdhjen e gjakut, panë se nuk ishte e mundun të shfaroset e të zhduket një popull i tânë me këto masa barbare në shekullin e 20-të, tue lânë në fuqi këto veprimtari të poshtëra vetëm për gjuejtjen e atdhetarëve nacionalistë shqiptarë, filluen me shtyrë e me shtrënguem grumbullin e popullsisë shqiptare që të emigrojnë për në Turqi. Për t’ia mbërritë këtij qëllimi sunduesit jugosllavë nuk kanë lânë gjâ pa bâmë, u kanë grabitun tokat më pjellore e ua kanë dhânë këto kolonëvet sllavë që kanë sjellë prej Banatit, prej Lika-s e prej Malit të Zi, tue i vendosun këta në katundet shqiptare. U kanë shumëfishue vetëm shqiptarëve taksat qeveritare e i kanë hypun deri në atë shkallë, aq që mos të munden kurrsesi t’i paguajnë e kështu për pak vjet të shiten e të përshiten me ç’kanë e ku kanë e të mbeten në vorfënin më të madhen bashkë me fëmit e tyne.

Lehtësitë më të mëdhaja ua bânë atyne që i kanë bindun të emigrojnë në Turqi. Këtyne për 24 orë u kanë krye formalitetet e pasaportat, ua kanë lirue djemt n’atë çast nga burgjet ose nga shërbimi ushtarak që ishin tue bâmë, u kanë falun taksat e u kanë bâmë lehtësime, vetëm e vetëm pse këta stërnipa të ilirëve, banorë autoktonë të këtyre vendeve, tue shkue në Turqi po lejshin sheshe të lira zgjanimi të sllavizmit dhe kështu zbatoheshin pika kryesore e programit të qeveritarëve jugosllavë.

Ata atdhetarë që guxojshin me ua mbushun mendjen atyne familjeve shqiptare të mos shpërngulen nga votrat arbnore, ata përnjëherësh humbeshin e zhdukeshin tue u masakrue prej njerëzish të panjohun ose kalbeshin në burgje. Sot me mijë atdhetarë, intelektualë shqiptarë, janë tue u dergjun nëpër burgjet jugosllave vetëm për këto faje e vetëm se si shqiptarë kanë pasë guxue ta mbrojnë shqiptarnin.

Qeverivet të ndryshme jugosllave, në lâmen e kësaj veprimtarie, u erdhën ndihmë edhe qeveritarët e Republikës së Turqisë. Këta të fundit tue deshtë me dëndësue popullsinë e rrallë të republikës së tyne, me një element puntuer e të gjallë, kanë favorizuem gjithmonë këtë politikë jugosllave. Kurdoherë janë pamë agjentat e Turqisë që endeshin ndërmjet qytetevet e katundevet të Shqipnisë së robnueme. Këta agjentë të përbërë prej civilësh e hoxhësh të paguem edhe prej qeverisë jugosllave, merreshin me punën e shpërnguljes së familjevet shqiptare prej trojevet arbënore e me punën e të çuarjes së tyne në Turqi.

Në kohët e fundit kjo punë e shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë në Turqi merr një hov edhe më të madh. Të dy qeveritë e interesueme, Jugosllavia dhe Turqia, bânë një marrëveshje për t’i shpërngulë 250 mijë frymë shqiptarë nga Jugosllavia në Turqi, porse ky plan i tmerrshëm i tyne, mbasi ndeshi në vështirësi financiare, lumtunisht ende ka mbetun pa u zbatue.

Edhe në tokën e Shqipnisë së Lirë ndodhen nja 25 mijë frymë emigrantë shqiptarë të ardhun nga pjesë të ndryshme të Shqipnisë së robnueme ndën Jugosllavi. Nji pjesë e këtyne, tue mos mundun me durue zgjedhen e rândë të serbëvet, kanë kaluem tue i kaluem kufijtë vjedhtas, me shiprt ndër dhëmbë, kështu kanë ardhë në Shqipnin e Lirë për me shpëtue jetën e tyne. Një pjesë kanë ardhë me pasaportë, porse vetëm këta e dinë se ç’kanë hjekun deri sa kanë mundun me i shti në dorë ato pasaporta, kur i kanë lypun këto nga autoritetet jugosllave e kur u kanë thânë se duem të dalim në Albani, ata, me një shikim të rândë e të vranët, u janë përgjegjun se mâ mirë do t’u binte të shkojshin në Turqi se sa për në Albani. Tue qenë se këta tonët ngulshin këmbë për me dalun në Shqipninë e Lirë, atëherë ata u thojshin që të paguajshin të gjitha taksat që i detyroheshin shtetit e mbasandej do të mundeshin me e marrë lejen e të shkuemes në Shqipni. Shqiptari i shkretë, që i kishte ardhë shpirti mu në hundë nga ajo robni e zezë, detyrohesh me u shitun e me u përshitun për t’i la të gjitha ato taksa të rënda që i ngarkoheshin nergut me trillime. Për këto, pra, edhe për t’i paguem avokatët serbë të cilët kinse do t’u delshin zot për nxjerrjen e pasaportit, endeshin me vite e me vite, shkundeshin xhepat e fikeshin kryekëput, e kur u mbushesh mendja atyne autoriteteve se me të vertetë të gjitha të hollat e shitjeve shqiptari i ka derdhun mbrenda në Jugosllavi, atëherë ia jepshin lejen e kërkueme. Me këtë gjendje të mjerueshme na kanë ardhun këtu emigrantët. Sa kontrast me punën e atyne që kërkojshin me shkue në Turqi! Shkakun e gjykon çdo njeri që i njeh dashakeqësitë e smirën që ka pasë Jugosllavia shoviniste për këtë çikë Shqipëri të cungueme që na pat mbetun pa u marrun e pa u shkelun prej asaj!

Një pjesë tjetër e emigrantëve shqiptarë të Jugosllavisë na kanë ardhun këtu në Shqipnin e Lirë edhe nga Turqia. Këta të emigruem së parit prej Jugosllavisë në Turqi përnjëherë e kanë pamë vehten e tyne në dhenat e largëta të përbuzun atje prej njerëzish të huej me fjalët më cenuese e fyese për kombësin shqiptare edhe të shpërndamun nëpër vende gjithfarësh simbas planit të autoritetevet turke që synojshin dobin e vendit të tyne me turqizimin e shqiptarëve të emigruem, e kanë pamë vehten e tyne pa asnjë shpresë që të përmbahen ma si shqiptar dhe prandaj u shtërnguen, si na thanë vetë, të bâhen emigrantë në fuqi katrore e të na vinë këtu, të shkëputun së gjithash për të marrë frymë lirisht. Më ka rënë me pamë ndër ata disa plaka e pleq që mbajshin mbi kurrizin e vet emigrimin në fuqinë e tretë, mbasi këta të mjerë vendin e lindjes e kanë pasë një herë në fushat e luginës së Toplicës.

Me këtë gjendje shpirtërore të mjerueme ndodhen me qindra mijë shqiptarësh të emigruem në Turqi. Këta gjithnji janë tue pritun agimin e ditës fatlume të drejtësisë që ka me ua liruem votrat e tyne nga robnija e rândë, janë tue pritun që t’u zgjatet një dorë shpëtimtare, e cila do të mundet me i sjellun ata prap në pragjet e vatravet të tyne, ku kanë lemun! Ky element i fortë, i pajisun me gjakun, me doket, me besën e me virtytet e ilirëvet, din mâ së miri të punojë sa të jetë jeta, besnik e i bindun ndaj ligjit e shtetit për të mirën e Nanës Shqipni.

Gjendja e elementit shqiptar muhamedan në Greqi ashtë porsi ajo e elementit shqiptar muhamedan në Jugosllavi.

Qeveritë e Greqisë në lëmin e veprimtarisë barbare për shfarosjen e këtij elementi kanë konkuruem me qeverinë e fqinjes së tyne veriore, Jugosllavisë. Taktika e këtyne ka qenë gjithnjë porsi ajo e qeverive të Jugosllavisë. Në barbarizmat e të dy palëve nuk mund të gjindet asnjë ndryshim, sepse të dy palët kanë synue po të njëjtin qëllim: TË SHFAROSUNIT E ELEMENTIT SHQIPTAR MUHAMEDAN NË TREVAT ARBNORE TË PUSHTUEME PREJ ATYNE SI EDHE TË SHKOMBTARIZIMIT TË ELEMENTIT TË KRISHTERË SHQIPTAR.

Për me mbërrimun në këtë qëllim, qeveritarët grekë, qysh me kohë, kanë bâmë plane të tmerrshme. Për zbatimin pikë për pikë të këtyne planeve kanë zgjedhë administratorë më të zotë edhe më të përshtatshëm dhe i kanë emnuem nëpër vendet shqiptare të pushtueme. Këta qeveritarë, në çdo anë të këtyne vendevet, me një zell fanatizme fetare e politike e me një program të caktuem filluen t’i zbatojnë planet qeveritare. Ky program kishte për qëllim greqizimin e Shqinisë Jugore e të Epirit, si e quejshin ata vetë këtë anë të Shqipnisë. [Kjo anë deri te Gjiu i Artës ka qenë edhe është tokë shqiptare. Shiko veprën anonime “DER AUFSTAND DER GRIECHEN IN EPIRUS, PESTH, WIEN, Leipzig, 1854, faqe 22. Shiko dokuentimet e veprës “LES REVENDIGATIONS ALBANAISES”, të Lumo Skendos, Lausanne 1919. – shënim i A. Gashit]

Greqizimi i Epirit ishte i siguruem deri diku tue i greqizue ortodoksët shqiptarë gjatë shekullit të 19-të, sikundër e kemi thanë më naltë, por duhesh zhdukur edhe elementi shqiptar muhamedan. Të zhdukunit e këtij elementi filloi të kryhet qysh pas mbarimit të Luftës Ballkanike të 1912-ës, kur grekët pushtuen Shqipnin e Jugut. Nuk lanë gjâ pa bâmë grekët për ta fikun elementin shqiptar muhamedan në këto anë; i dogjën katundet e shqiptarëve muhamedanë në këto anë, i zhbinë fare më 1914, simbas shembullit të vandalëve (shiko kartën përkatëse edhe aneksin nr.7 në “QUESTION DE KORITZA” të Demetre Kolovanit, Paris-shënim i A.Gashit), i vranë, i dogjën e i poqën sa munden; ata që shpëtuen morën malet me rob e fëmijë e u shpërndanë andej e këndej të ndjekun nga komitaxhinjt e Gjiritit (Kretos), nga andartët e Zografos e të Vardhas që ishin fuqia ekzekutuese e planeve të tmerrshme të shfarosjes së këtij elementi. Ata që munden me shpëtuem nga zjarri, pushka e shpata mizore e këtynevet, mezi munden me marrë frymë lirisht në ullishtet e Vlonës ku u dergjen e u farosën nga sëmundja e malarjes.

Vetëm në rrethet e prefekturave të Gjirokastrës, të Korçës e të Beratit u zhbinë më se 400 copë katunde shqiptarësh muhamedanë. Po kjo vepër barbare u zbatua edhe më tepër nëpër rrethet e Janinës e të Çamërisë.

Sot pamja e shkretë, në trajtë gërmadhash, e shumicës së katundeve të elementit shqiptar muhamedan, si këndej kufinit të Shqipnisë së 1913-ës, si edhe n’atë anë tjetër t’atij kufini, është dëshmia më e madhe e këtyne barbarive greke. Qindra mijëra shqiptarë të mbetun pa strehë e pa banesa u ligështuen nga të ftohtit, nga urija, nga mizoritë e emigrimit, humbën fëmijët e njomë edhe pleqtë e plakat e tyne që nuk mund t’u bajshin ballë këtyne vuajtjeve të tmerrshme. Aq u firosen nga numri i frymëve, saqë kur erdhi koha që të ktheheshin në gërmadhat e tyne, ishin përgjysmuem; me mijëra e mijëra individë shqiptarë vdiqën tue u masakrue, tue u djegë e tue u raskapitun prej këtyne barbarive të shekullit të 20-të (shiko librin “Shqiptarët” të George Fred Williamsit, përkthyer prej Shaban Ballës, Tiranë, 1934, f. 50 – shënim i A.Gashit).

Plani i qeveritarëve grekë zbatohej mâ së miri prej autoriteteve për dëmin e elementit shqiptar. Ankimet e rënkimet e shqiptarëve për këto të zeza nuk gjejshin kërkundi në botën e qytetnimit falso një shesh të mbarë dëgjimi, pse demokracitë e perëndimit në shtypin e tyne u delshin zot gjithnjë propagandave dhe përgënjështrimeve të fqinjëve tanë imperialista, të cilët e ushqejshin atë shtyp me buxhetin e tyne që kishin ndamë posaçërisht për këtë qëllim.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas