Po jetojmë në një kohë ku të gjithë flasin se çfarë duhet bërë, por nuk bëjnë se çfarë thonë.
Jetojmë në një vend ku flitet për marrëveshje, por nuk ka diskutime, ku forca është tek të rinjtë, por pushteti tek të vjetërit, ku ka më shumë flamuj partie se flamuj kombëtar, ku kërkohet kaq shumë, por jepet kaq pak, ku ka drejtora, por nuk ka drejtori, ku ka ekonomi politike por nuk ka politika ekonomike, ku ka interesa të përbashkëta, por nuk ka kauza, ku ka takime por nuk ka bashkëpunime, ku ka premtime, por nuk ka besë, ku ka media, por nuk ka lajm, ku ka institucione por nuk ka përgjegjës, ku ka parti por nuk ka ideologji, ku ka votime por nuk ka zgjedhje, ku ka qeveritarë por nuk ka burra shteti.
Vazhdojmë të jetojmë në një vend ku veprohet duke folur, por nuk flitet me vepra, në një vend ku ka deshira, por nuk ka sakrifica, ku ka zhurma por nuk ka veshë, ku ka dhe njerëz por nuk ka ndjenja, ku çdokush flet për fundin e botës por askush për fundin e njerëzimit, ku ka ambicie, por nuk ka punë, por dhe kur ka punë, nuk ka profesionistë, ku ka synime por nuk ka prioritete, ku ka urrejtje por nuk ka arsye, ku ka respekte, por nuk ka mirënjohje, ku ka nevojë për të shërbyer më shumë se sa të udhëheqësh, ku ka nevojë të mblidhen firma për të kërkuar referendum më shume se sa firma për regjistrime partish, ku e vetmja gjë për të cilën jemi të vetmit në botë është fakti se të gjithë themi për çdo gjë jonormale që jemi të vetmit në botë. Mbi të gjitha vazhdojmë të jetojmë në një vend ku ka pyetje, por nuk ka përgjigje.
Shqipërisë nuk i duhen vetingje, as mitingje, kampingje, apo lobingje për të cilat e dimë paraprakisht rezultatin.
Ne duhet të kërkojmë një vend ku të mbillet dije dhe jo hashash, një vend ku të punohet fort, jo të merren rroga kot, ku të shërbehet jo të servilet, ku të vritet frika jo fjala e lirë, ku të ketë ndëshkim jo doreheqje, ku të ketë drejtësi jo strategji, ku të ketë ligj jo telefonatë, ku të ketë barazi jo miqësi, ku të këtë protestë jo bllokim, ku të ketë qendresë jo imponim, ku të ketë konsensus jo pazar, ku të ketë shembuj jo idhuj, dhe ndër të tjera të ketë popull jo grupime!