Jonida Tashi
Epidemia e gripit ka mbërthyer gjithë vendin, duke shënuar kulmin e saj për këtë vit me 16 mijë persona të prekur brenda një jave. Vetëm në urgjencën e Infektivit dhe atë të Pediatrisë në QSUT, brenda një dite paraqiten 600-700 persona të prekur nga virozat dhe infeksionet e sistemit të frymëmarrjes. Por edhe më e rëndë pritet të jetë situata në ditët në vijim, kur edhe kushtet e motit parashikohen që të jenë aspak favorizuese për shëndetin, pasi temperaturat do të zbresin nën zero gradë celsius në të gjithë territorin e vendit. Specialistët e shëndetit bëjnë të ditur se ky është vetëm fillimi i një epidemie kombëtare, e cila pritet të zgjasë së paku një muaj. “Mund të themi me plot gojën që jemi futur në epidemi. Dyndja më e madhe në spitale vërehet kryesisht në repartet e pediatrisë. 40% e të prekurve janë të moshës 0-5 vjeç dhe disa raste kanë ardhur në spitale në gjendje vërtetë të rëndë. Gjendja gripale është e rrezikshme, pasi shpesh herë krijon diagnoza të tjera të rrezikshme, siç është pneumonia”, – ka pohuar specialisti i ISHP-së, Dritan Ulqinaku. Sipas bluzave të bardha, rastet kanë shfaqur shumë komplikacione, probleme të shëndetit me kollë, sekrecione, temperaturë shumë të lartë, të miksuara me diarre, e deri te probleme më serioze të frymëmarrjes. Kjo, pasi është verifikuar në qarkullim më shumë se një virozë. “Ne kemi identifikuar dy tipe virusi, por ka edhe të tjerë në qarkullim që nuk janë viroza gripale. Mund të ketë viruse respiratorë, të cilët japin simptoma pothuajse të njëjta me atë të gjendje virale”.
Në këto kushte, ekspertët e shëndetësisë thonë se nuk duhet anashkaluar në asnjë rast kjo situatë dhe të prekurit duhet t’i drejtohen detyrimisht mjekut, sidomos në rastin e të moshuarve dhe fëmijëve. Mjekët shpjegojnë se për vetë natyrën e këtyre viruseve, ekziston mundësia që pacientët të shfaqin komplikacione deri në pneumoni. Situatë kjo e cila krijon probleme serioze për jetën. Po kështu, mjekët këshillojnë që kujdes duhet të kenë ata persona, të cilëve brenda pak ditëve nga kalimi i virozës iu rikthehet temperatura, pasi kanë kaluar në komplikacione të sëmundjes. Problem mbetet sipas mjekëve, përdorimi i medikamenteve të marra drejtpërdrejt në farmaci, apo mbërritja në spital e pacientëve pas qëndrimit për ditë të tëra në shtëpi.
Shqipëria pritet të përshihet nga mot i acartë në ditët e para të shkurtit, me temperatura që do të arrijnë deri në minus 15 gradë celsius. Sipas sinoptikanëve, natën e së mërkurës pritet të fillojnë reshjet e shiut e borës që do të përfshijnë fillimisht jugun e vendit, ndërsa nuk do të përjashtohen edhe në Tiranë.
600-700 persona të prekur nga virozat dhe infeksionet e sistemit të frymëmarrjes paraqiten çdo ditë në QSUT
40% e të prekurve janë të moshës 0-5 vjeç dhe sipas mjekëve, disa raste kanë shkuar në spitale në gjendje të rëndë
Kukës, 300 raste të reja në ditë
Dimri i ashpër në Qarkun e Kukësit me temperatura nga -5 deri në -14 gradë, prej një muaji ka shtuar numrin e personave të prekur nga gripi. Vetëm në një ditë në spitalin e qytetit dhe urgjencën e tij janë paraqitur 300 raste të pacientëve me temperaturë të lartë, kollë, të vjella e diarre. Drejtori i Shëndetit Publik, Nikolin Martini bën të ditur se për banorët e zonave të izoluara në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë është vënë në dispozicion një helikopter. “Situata vazhdon të jetë në kushtet e një epidemie, por duhet thënë që është një grip që vërtetë paraqet probleme për shëndetin, por përgjithësisht ka shkuar mirë, nuk kemi pasur komplikacione”, – thotë Martini.
Korçë, fluks pacientësh në sanatorium
Sanatoriumi i Korçës është pushtuar nga pacientët, të cilët kanë probleme me mushkëritë. Ditët e fundit pranë këtij spitali ka pasur një shtim të ndjeshëm të rasteve për sa u përket vizitave, të cilat arrijnë edhe 30 raste në dite, por edhe shtrimit të personave, të cilët kanë paraqitur probleme me mushkëritë. Më kritike situata është paraqitur për rastet e astmatikëve, të cilët në këtë periudhë kanë pasur një dyfishim. Aktualisht në Sanatoriumin e Korçës janë të shtruar 45 persona me sëmundje të mushkërive, ku pjesa më e madhe e rasteve janë të moshuarit, tek të cilët gjendja shëndetësore paraqitet më e rëndë dhe kërkohet një vëzhgim mjekësor i vazhdueshëm.