Kryetari i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që la në fuqi dekretin e presidentit Thaçi për t’i kaluar mandatin për formimin e qeverisë së re Avdullah Hotit, dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.
Sipas tij, “LDK gjithëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë“.
“Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri. Vendimi i Gjykatës nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen”.
“I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, thekson ai.