Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, shprehet se vendimi i Gjykatës Administrative pro “Duty Free” dhe duke rrëzuar kompaninë amerikane, është një mesazh negativ për investitorët. Ai e cilëson si shembull shumë të keq këtë vendim. Jaço thekson se nuk i di hapat e ardhshëm të kompanisë por shton se arbitrazhi ka provuar që ka qenë me pasoja negative për shtetin shqiptar.
“Sapo u njohëm me vendimin e Gjykatës i cili ishte në fakt shumë zhgënjyes. Kemi një mesazh tepër negativ ndaj komunitetit të investitorëve të huaj. Në këtë rast nuk jam në gjendje të them kush janë hapat e ardhshëm të investitorit por është një shembull i keq dhe një mesazh shumë negativ që po i dërgojmë investitorëve por edhe klimës së investimeve. Nuk i di hapat që do ndjekë investitorët por arbitrazhi ka provuar që ka qenë me pasoja negative për shtetin shqiptar kryesisht, sigurisht edhe për njerëz të tjerë”, tha ai.
Ministria e Financave: Keqardhje!
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar duke shprehur keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, që i dha të drejtë “Duty Free” për të kontrolluar dyqanet në Rinas.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj Cështjes Administrative Civile, mbi vendimin administrativ për anullimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop. Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në çështjen në fjale, theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend.
Forcimi i Shtetit të së Drejtës mbetet prioritet për Qeverinë Shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi çështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj”, deklaron Ministria e Financave.
LEXO EDHE:
Beteja për dyqanet në Rinas/ Gjykata i jep të drejtë “Duty Free”, reagon ambasada e SHBA