Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, janë bërë bashkë nga dje për të mos lejuar kalimin e Kopshtit Botanik në administrim të Bashkisë. Ata kanë nisur sot, prej orës 11:00 një marshim protestë nga godina e universitetit dhe do t’i drejtohen Gjykatës Administrative, ku do të merret vendimi.
Pedagogia Mimoza Hafizi e konsideron transferimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës, grabitje të pastër.
“Jemi bashkë dhe protestojmë ndaj kësaj grabitjeje të universitetit publik. Kjo është një grabitje e pastër. Profesor Petriti është një nga kontributorët kryesorë për krijimin e këtij aseti. Është një zhbërje e një kontributi të gjatë dhe një grabitje e pastër”-shprehet Hafizi.
Ndërsa profesor Petrit Hoda i hedh poshtë pretendimet e kryebashkiakut Erion Veliaj për gjendjen e mjerueshme të kopshtit botanik.
“Kjo pronë i është dhënë pa argument bashkisë. Ne kemi argumente tonat që kanë të bëjnë me kontributin 50-vjeçar të klasës botanike, zoologëve, studentëve , jo vetëm nga universiteti ynë. Ne shkurre bëjmë, nuk bëjmë raketa kozmike. Është ndërhyrë në kopsht, por kopshti nuk është kompensuar me asnjë qindarkë. Ndërhyrja do të prishë shumë ekuilibra në Kopshtin Botanik. Gjendja e tij është shumë e mirë dhe të gjitha insinuatat që bëhen nuk janë korrekte, nuk janë dashamirëse”-thotë profesor Hoda.
Risjellim në vëmendje se Gjykata Administrative e Apelit e shtyu seancën më 9 tetor për më 29 tetor, pasi palët e paditura, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit, nuk u paraqitën në seancë.
Kopshti Botanik i Tiranës u ndërtua në vitin 1964 dhe zë një sipërfaqe prej 15 hektarësh. Ai përdoret për qëllime edukimi, si atraksion turistik dhe konsiderohet si një parajsë e gjelbërt në kryeqytet.