Nëse i hedh një sy mediave holandeze, atyre pak që kanë raportuar për debatin në parlamentin e tyre për mundësinë e nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e kupton që edhe aty ka mbërritur shqetësimi se vendet e Ballkanit Perëndimor po bien nën ndikimin e vendeve të treta si Rusia, Kina apo Turqia.
Jo vetëm kaq, por ka një shqetësim për të rinjtë shqiptarë, që të cilët po e braktisin masivisht vendin. A do i ndihmonte ata një sinjal pozitiv që të qëndrojnë në Shqipëri?
Me peshën e fortë mbi shpinë se mund të jenë ata që do i vënë vizën Shqipërisë, deputetët holandezë diskutuan të martën në mbrëmje pa dalë me një përfundim të qartë se çfarë do të vendosin për nisjen e negociatave me Tiranën.
Deri tani është në fuqi mocioni i qershorit kundër hapjes së negociatave, por sipas këtij parashtrimi nga ambasada holandeze asgjë nuk është kategorike.
Holanda rithekson se vlerësimi i dy vendeve duhet të bëhet sipas meritës, ku fillimisht për Maqedoninë e Veriut veçon marrëveshjen e Prespës dhe rezultatet në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa kërkon pavarësi të kësaj prokurorie në rastet e ardhshme të korrupsionit në nivelet e larta.
Për Shqipërinë, Holanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit, por thekson se më shumë punë duhet bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Burimet pohuan se edhe pse ne parim është ende JO, Holanda la mbrëmë një shteg hapur për të votuar si Gjermania për çeljen me kushte të negociatave me Shqipërinë, por vendimin final pritet ta marrë pasi të shohë votën e Francës më 15 tetor në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të unionit.
Sipas po të njëjtave burime një “PO” franceze do ta kthente qeverinë holandeze në Parlament për të unifikuar qëndrimin me dy shtetet kryesore të unionit në votën e krerëve të shteteve të unionit më 18 tetor.