Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Tiranës do të luhet sipas programit edhe pse pritej që të shtyhej. Dueli mes verilindorëve dhe bardhebluve do të zhvillohet më datën 2 qershor ora 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Konfirmimi ka ardhur nga faqja zyrtare e FSHF-së, e cila ka njoftuar të gjithë tifozët se kanë dalë në shitje edhe biletat për këtë 90 minutësh.
“Dalin në shitje biletat e finales së Kupës së Shqipërisë, Kukësi-Tirana, e cila do të zhvillohet në datën 2 qershor ora 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena” Elbasan. Biletat janë në shitje në qytetin e Tiranës, përkatësisht në dyqanin e FSHF dhe biletarinë e stadiumit “Selman Stermasi” dhe në biletarinë e stadiumit në Elbasan. Në posterin e mëposhtëm janë të gjitha detajet: Tribuna VIP 2.000 lekë, Tribuna A+B 1.000 lekë, Tribuna C+D++E+F+G 200”– thuhet në deklaratën e FSHF.
Zhvillimi i këtij takimi ishte vënë në dyshim për shkak se në të njëjtën orë me këtë përballje, opozita ka paralajmëruar një protestë masive përpara Kryeministrisë.