Aktualitet

Venecia fshikullon Ramën – Ndryshimet zgjedhore: Të nxituara, të njëanshme dhe antidemokratike









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 03/12/20 |
mapo.al

Një gjuhë aspak të zakontë ka përdorur Komisioni i Venecias në opinionin e tij për ndryshimet zgjedhore që ndodhën në korrik-shtatorin e këtij viti.



Sipas raportit që pritet të votohet së shpejti, ato kanë qenë të nxituara dhe të njëanshme.


Venecia shpreh shqetësimin dhe keqardhjen nga mënyra se si u procedua nga ana e mazhorancës, gjë e cila sipas saj shkon në kundërshtim me parimet themelore demokratike të hartimit të ligjit.




Komisioni shprehet se nuk është në tagrin e tij të flasë në lidhje me kushtetutshmërinë e tyre, por për shkak të faktorit kohë deri në zgjedhje dhe mungesës së Gjykatës Kushtetuese, rekomandon të mos bëhen ndryshime të tjera në ligjin zgjedhor.



Të nxituara, të njëanshme dhe kundër parimeve demokratike i ka konsideruar Komisioni i Venecias, ndryshimet kushtetuese në korrik-shtatorin e këtij viti dhe ato të Kodit Zgjedhor nga mazhoranca në shtatorin e këtij viti.


Opinioni i Komisionit të Venecias, ka qenë fshikullues për Kryeministrin dhe mazhorancën. Ndryshimet që iu bënë Kushtetutës, për ekspertët e këtij organizmi janë antidemokratike ndërkohë që shprehet shqetësim për mënyrën arrogante me të cilën ato u kryen pasi loja ka filluar menjëherë me caktimin e datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit.

Pavarësisht se nuk është në tagrin e këtij komisioni të shprehet në lidhje me kushtetutshmërinë e ndryshimeve zgjedhore, tagër që e ka Gjykata Kushtetuese, nga një vështrim i përgjithshëm i raportit vihet re se gjuha e drunjtë e përdorur, është aspak e zakonshme për organizma të tillë.

Pavarësisht se do na duhet të shkojmë në zgjedhje me këtë kod, për shkak të faktorit kohë ose dhe mungesës së Gjykatës Kushtetuese ngritja e së cilës po zvarritet prej më shumë se tre vjetësh, sërish mesazhi është i qartë.

Rregullat e lojës dhe demokracia janë cenuar.

Arroganca

Ekspertët e Venecias e thonë qartë dhe prerazi se mënyra e sjelljes së mazhorancës me ligjet e vendit shkon kundër parimeve themelore mbi të cilat ngrihet sistemi demokratik.

Në opinionin e Venecias demokracia s’ka të bëjë vetëm me rregullat formalë që lejojnë një mazhorancë për të qeverisur, por dhe me shkëmbimin e mendimeve dhe pikëpamjeve, sidomos kur ka të bëjë me vendosjen e rregullave në zgjedhje.

“Ndërsa nuk bie brenda mandatit të Komisionit të Venecias dhe ODIHR për të hetuar negociatat politike të cilat mund të jenë kryer në prapaskenë dhe që çuan në miratimin e ndryshimeve të 5 tetorit, ne nuk mund të mos shprehim keqardhjen edhe një herë që ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelorë demokratikë të hartimit të ligjit, madje duke supozuar se objekti i ndryshimeve ishte diskutuar më parë me opozitën jashtëparlamentare.

Demokracia e qeverisur nga shteti ligjor nuk ka të bëjë vetëm me respektimin formal të procedurave që lejojnë shumicën për të qeverisur, por edhe rreth diskutimit dhe shkëmbimit kuptimplotë të pikëpamjeve midis mazhorancës dhe opozitës”, thuhet në raport, duke shtuar se vendimet e mazhorancës për të ndryshuar kodin dhe kushtetutën u morën pasi Presidenti i Republikës kishte caktuar datën e zgjedhjeve.

“Në përgjithësi çdo reformë e legjislacionit zgjedhor që do të zbatohet gjatë një periudhe zgjedhjesh duhet të ndodhin mjaft herët që ato të jenë vërtet të zbatueshme për zgjedhjet.

Kjo do të thotë se ndryshimet duhet të jenë të kuptueshme dhe të zbatueshme nga administrata zgjedhore, kandidatët, votuesit dhe vëzhguesit.

Në këtë kontekst duhet të theksohet që ndryshimet hynë në fuqi pasi Presidenti kishte caktuar datën e zgjedhjeve, dhe kjo është pasi procesi zgjedhor ka filluar”.

Nxitimi

Në draftin paraprak që pritet të miratohet në dhjetëditëshin e parë të dhjetorit shprehet keqardhja për procedurën e ndjekur, ndërsa kujton se ndryshimi i rregullave në mes të lojës duhet të bëhet në kushtet e “besimit të mirë”.

“Procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe në Ligjin Nr. 118 ishin jashtëzakonisht të nxituara.

Konsultime të gjera ndërmjet aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar një afat të duhur, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre ndryshimeve themelore”, thuhet që në hyrje të raportit.

Për arsye të pamjaftueshmërisë së kohës, Venecia rekomandon që mos bëhen ndryshime të tjera në kod dhe ato të lihen për një moment tjetër pas zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa në lidhje me kushtetutshmërinë e tyre komisioni rekomandon që kjo të shqyrtohet nga gjykata kushtetuese.

Lexo edhe :  Marrëdhëniet me Ramën? - Kurti: Jemi dy shtete për një komb

“Palët të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato.

Opinioni nuk merr përsipër të trajtojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve pasi kjo duhet të jetë detyra e Gjykata Kushtetuese sapo të bëhet përsëri funksionale.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR tashmë e kanë bërë të qartë se është me rëndësi jetike për Shqipërinë të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë sa më shpejt të jetë e mundur, për më tepër në një kohë në të cilën shumë çështje komplekse që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e çështjeve publike në Shqipëri janë të pranishme”, thuhet në raport.

Efektet

Megjithatë komisioni vëren se ndryshimet në vigjilje të zgjedhjeve elektorale mund të ndikojnë në rezultat, pasi stabiliteti i ligjit elektoral është thelbësor në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër ekspertët vlerësojnë se në një rezultat të ngushtë, riformulimi i koalicioneve dhe të tilla ndryshime mund të jenë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve.

“Nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime në shpërndarjen e një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament”.

Ekspertët theksojnë se është e vështirë të parashikohet hapja pjesërisht e listave, për sa kohë nuk dihet sjellja e elektoratit, në raport me kandidatët është e vështirë të parashikohet efekti i futjes së listave pjesërisht të hapura në rezultatin zgjedhor.

Votimi me preferencë do të jetë efektiv vetëm nëse arrin një prag të caktuar (deri në 10,000 vota). Efekti i kësaj risie do varen nga sjellja e votuesve, më saktësisht nga përdorimi pak a shumë i gjerë i mundësisë për të votuar për një kandidat specifik, thuhet në draftin paraprak.

Një pikë tjetër ku rekomandohet të kihet kujdes, është dhe kandidimi i kryetarëve të partive në më shumë se një zonë. Komisioni i Venecias, bën thirrje që ata të vetëpërmbahen.

Rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias

Komisioni i Venecias dhe ODIHR bëjnë rekomandimet kryesore vijuese që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:

A. Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;

B. Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;

C. Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;

D. Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:

A. Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zona elektorale;

B. Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicionit;

C. Të prezantohet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;

D. Të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;

E. Të rishikojë nenin 67 (4) të Kodit Zgjedhor në mënyrë që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve për t’u paraqitur në listë;

F. Të konsiderohet që të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare.

G. Të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.

1


Etiketa: ,

Pas