Aktualitet

Venecia mbështet zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:55 - 01/12/21 |
mapo.al

Venecia mbështet zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut

Nga Armand Mero – VOA






Komisioni i Venecias mbështet zgjatjen e mandatit të institucioneve të rivlerësimit të gjyqatrëve dhe prourorëve në Shqipëri. Në projekt opinionin e tij, Komisioni “arrin në përfundimin se zgjatja e propozuar e mandatit deri më 31 dhjetor 2024 mund të konsiderohet si e pajtueshme me standardet evropiane për sa kohë që sigurohet funksionimi i gjyqësorit si i tillë”.


Komisioni i Venecias u vu në lëvizje nga një kërkesë e kryetares së parlamentit Lindita Nikolla, pasi shumica e majtë, në mungesë të një dakortësie me opozitën, vendosi që t’i drejtohej një pale të tretë, me gjasë për të shmangur një debat politik mbi këtë çështje. Komisioni e pranoi kërkesën duke ja nënshtruar atë një vlerësimi urgjent.







Në qershor të vitit të ardhshëm, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerëve publik u përfundon mandati 5 vjeçar. Deri më 30 shtator të këtij viti, nga mbi 800 gjyqtarë e prokurorë që i nënshtrohen rivlerësimit, KPK kishte marrë vendime për 448 prej tyre. Sipas disa përllogaritjeve, deri në qershor të vitit të ardhshëm, kur përfundon mandati aktual, do të mbeteshin pa ju nënshtruar vettingut në KPK gati një e treta e magjistratëve.




Në interpretimin e tyre, ekspertët e Venecias kanë sjellë në kujtesë dhe opinionet e tyre të mëparshme për procesin e vettingut: “Komisioni ka theksuar më parë se zgjatja e mandatit të organeve të vettingut duhet të bazohet në arsye objektive, të ketë bazë legjislative dhe të miratohet nga një shumicë e kualifikuar parlamentare. Komisioni është i mendimit se zgjatja e propozuar e mandatit të KPK dhe Komisionerit Publik i plotëson këto kritere”.



Sa i takon arsyeve objektive, Komisioni i është referuar opinionit të tij të vitit 2015, kur kishte sjellë si shembull të një “arsyeje objektive” për nevojën e zgjatjes së procesit rastin kur “jo të gjithë gjyqtarët në detyrë e kanë kaluar atë”.

Po ashtu, sipas Komisionit “zgjatja do të garantonte barazi në ligj dhe do të kontribuonte në sigurinë juridike, ndërkohë që rezultatet e punës së deritanishme të kryer nga organet e vettingut tregojnë nevojën për të finalizuar procesin për të vlerësuarit e mbetur”.

Kushtetuta shqiptare parashikon që në përfundim të mandatit të KPK-së, rivlerësimi të mund të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjykatësit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët. Por sipas Komisionit “zgjatja e detyrave të KPK-së dhe Komisinerit Publik, do të shmangte mospërputhjet në standardet dhe praktikat e vetingut, si dhe procedurat. Në dritën e numrit të çështjeve, rreziku i mungesës së koherencës në vendimmarrje do të ishte tejet i madh për të imagjinuar se mund të korrigjohej thjesht në apel”.

Më tej, Komisioni vëren se dhe kriteri tjetër, ai i nevojës së miratimit me një shumicë të kualifikuar në parlament plotësohet, përsa kohë “zgjatja do të bëhej përmes një amendamenti kushtetues, i cili kërkon një shumicë prej dy të tretave, pra një mbështetje të gjerë përtej shumicës parlamentare në pushtet”.

Në të njejtën kohë, Komisioni thekson se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të sigurohen garanci të përshtatshme se ky afat i zgjatur përfundimisht do të respektohet dhe se deri më 31 dhjetor 2024, gjykatat mund të funksionojnë. Që kjo të jetë e mundur, është e nevojshme të nxirren mësime nga përvoja e kaluar. Komisioni ka theksuar nevojën që të garantohet se organeve të vettingut do t’u jepen burime dhe kompetenca të mjaftueshme; që të racionalizohet procesi dhe të bëhet kujdes që të plotësohet kuota minimale për vendimmarrje në gjykatat e të gjitha niveleve”.

Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias, pritet të miratohet në seancën plenare të këtij institucioni më 10 dhjetor. Ai pritet ta vërë në vështirësi opozitën për qëndrimin që do të duhet të mbajë, duke qenë se nga të gjithë, ky organizëm është parë si një arbitër mbi palët.

5



Pas