Lajmi që po dominon orët e fundit në mediat britanike lidhet me Shamima Begum, një nga tre vajzat adoleshente që la Londrën në vitin 2015 për t’u bashkuar me Shtetin Islamik.
Shamima, tashmë 19 vjeç, thotë se kërkon të kthehet në Britani, edhe pse nuk i vjen keq për vendimet e saj.
Duke folur nga një kamp refugjatësh në Siri, ajo tha se është në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe kërkon të kthehet në shtëpi për shkak të bebes.
Ajo tha se ka lindur edhe dy fëmijë të tjerë, por të dy kanë vdekur. Shamima u shpreh se një nga vajzat që la Londrën, bashkë me të, ka vdekur gjatë bombardimeve. Fati i tjetrës nuk dihet.
“Kur shkova tek ISIS, aplikova për t’u martuar me dikë që dinte anglisht, një luftëtar nga mosha 20-25 vjeç”.
Dhjetë ditë më vonë ajo u martua me një holandez 27-vjeçar, të konvertuar në mysliman.
I shoqi iu dorëzua një grupi luftëtarësh sirianë dhe ajo tani jeton në një kamp refugjatësh në veri të Sirisë.
E pyetur se si e ka jetuar në mes të luftës, ajo tha se ishte diçka normale.
Madje shtoi se nuk u shqetësua kur pa njerëz me koka të prera.
“Nuk jam ajo vajza budallaqe 15-vjeçare që u largua nga shtëpia katër vjet më parë. Por nuk më vjen keq që kam ardhur këtu,” tha ajo.
Pavarësisht thirrjes së saj për rikthim në Britani, ministri i Sigurisë Ben Wallace shprehu rezerva.
“Veprimet kanë pasoja,” tha ai.
“Nuk kam ndërmend të vë në rrezik jetën e qytetarëve britanikë për të shpëtuar ish-terroristët,” tha ministri.
Sipas tij, ajo mund të hetohet në rast se kthehet në Britani.