Aktualitet

“Veprimtaritë e Ndaluara”/ Kryeministri dhe e gjithë rilindja në shkelje të ligjit dhe vendimit të KQZ








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:05 - 05/01/21 |
mapo.al

Prej datës 25 dhjetor ka hyrë në fuqi vendimi i KQZ, që i ndalon administratës publike veprimtaritë propagandistike që paguhen me paratë publike, por sanksione të ashpra ka dhe për operatorët mediatikë që i transmetojnë ato. Në KQZ kanë mbërritur rreth 29 denoncime dhe janë regjistruar 67 subjekte si shkelës të ligjit. Burime zyrtare nga ky institucion thanë për MAPO se brenda pak ditëve komisioneri do të marrë në shqyrtim të gjitha raportimet. Sekretari për zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, tha se në mbledhjen më të afërt do të kërkohen sanksione dhe për faqet mediatike në rrjetet sociale, si për shembull ERTV-ja e kryeministrit Rama. 



Nga Armand Maho


Që prej datës 25 dhjetor, ka hyrë në fuqi vendimi i KQZ, “Për Veprimtaritë e Ndaluara”, ose e thënë më qartë çdo inaugurim, dhënie tapish apo të rindërtimit të kryera me fondet publike dhe që shihen rëndom në kronikat televizive apo transmetimet direkte të kryeministrit, kryetarit të bashkisë etj. Në bazë të këtij vendimi janë të ndaluara të zhvillohen por edhe të transmetohen nga operatorët mediatikë. Deri më tani sipas të dhënave të KQZ, në këtë institucion kanë shkuar rreth 29 raportime, kryesisht për kryeministrin që duket se e ka shkelur vendimin e KQZ dhe nenin 92 të kodit zgjedhor. Rekordin duket se e mban kryetari i Bashkisë së Tiranës, të cilit i numëruam rreth 22 shkelje që nga hyrja në fuqi e ligjit. Më paskryeministri me 18 të tilla. Pjesë e shkeljes së ligjit me aq sa mundëm të konstatojmë, janë dhe kryetarë të tjerë bashkie apo deputetë.



Të hënën, Taulant Balla ishte në Hotolisht për të inauguruar ujësjellësin e fshatit. Kronika e tij u transmetua në shumë televizione. Sipas njoftimit të KQZ, deri më tani janë regjistruar rreth 69 institucione që janë pjesëmarrës në shkeljen e ligjit. Burime zyrtare të KQZ thanë për MAPO se brenda pak ditëve komisioneri për zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, do të marrë në shqyrtim raportimet dhe më pas do të marrë një vendim, i cili parashikon sanksione jo vetëm për shkelësit e ligjit por edhe për transmetuesit mediatikë. Sanksionet shkojnë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë për shkelësit e ligjit, deri në bllokimin e sinjalit për operatorët televizivë për një periudhë 2 ditore.



Ankesat


Por nga kanë ardhur ankesat? Burime zyrtare të KQZ nuk pranuan të komentojnë raportuesit në bazë të nenit të kodit zgjedhor për ruajtjen e anonimatit të denoncuesve zgjedhorë. Megjithatë Sekretari për zgjedhjet në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, thotë se denoncimet kanë ardhur kryesisht nga PD dhe LSI. Kaso pranon se ka pasur një vonesë në zhvillimin e mbledhjes së KQZ për këtë çështje, për shkak të festave.”Denoncimet kanë shkuar në adresë të KQZ nga PD dhe LSI. Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm të veprimtarisë dhe besoj se për një vendim, brenda këtyre ditëve do zhvillohet mbledhja e KQZ” , – thotë Kaso.

Nga ana tjetër, në mbledhjen më të afërt, do të propozohet nga ana e opozitës që i njëjti ligj që funksionon për mediat audiovizive të funksionojë dhe për mediat sociale. Fjala vjen, Facebook-u i kryeministrit ka 1.2 milion ndjekës. “Në teori duhet të funksionojë që bllokimi të kryhet dhe për rrjetet sociale, për këdo funksionar publik apo administratës që kryen veprimtari të ndaluar. Në mbledhjen e radhës ne do të kërkojmë sanksione dhe për ato. Pse jo, bllokimin e faqeve, sidomos ato që kanë audiencë të lartë dhe mirëmbahen me fonde publike”,- thotë Kaso.

Një ndër faqet që ka audiencë të lartë dhe mirëmbahet me fonde publike është pikërisht ERTV. Pavarësisht se kryeministri Edi Rama ka deklaruar se punonjësit e saj paguhen me fondet e PS-së, ose vullnetarë, kjo mbetet për t’u verifikuar nga institucionet.

Kryeson Rama

Në faqen zyrtare të KQZ raportimet fillojnë që nga data 28 dhjetor, por po të shikosh në faqen e kryeministrit shkelja ka filluar që më datë 25 dhjetor, pra ditën e parë që ka hyrë në fuqi vendimi i KQZ. Në këtë ditë Rama ka qenë në zonën e Maminasit ku ka inauguruar shtëpitë e rindërtuara dhe një shkollë. Më tej ka vazhduar me një inspektim në zonën e QSUT. Gazeta Mapo ka numëruar vetëm në këtë datë katër shkelje të ligjit nga ana e kryeministrit. Të nesërmen Rama ka vijuar me shkelje të tjera, siç është inaugurimi i nënstacionit të Rubikut, shkolla e Paskuqanit në 3D, një rikonstruksion i një kishe në Libohovë, prezantimi i një shkolle tjetër në 3D në zonën e Kamzës, e kështu me radhë.

Lexo edhe :  Rama tregon pse mori detyrën e ministrit të Jashtëm dy vite më parë

Rastet e paraportuara në KQZ, për tre ditët e para të hyrjes në fuqi të vendimit, 25-27 dhjetor, nga kryeministri janë 9 të tilla. Më tej shkeljet vijojnë. Të tilla janë raportuar dhe prezantimi i ministrave, apo inspektimet në qendrën ku po bëhet gati salla e vaksinimit në Air Albania.

Veliaj 25 shkelje

Natyrisht, në shkeljen e ligjit nuk qëndron pas dhe kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj. Deri më datë 5 janar atij i regjistrohen 25 shkelje të ligjit, të paktën në faqen e tij në Facebook, si dhe në transmetime live që i bëhen nga TV-të. Që nga rindërtimi, mbjellja e pemëve dhe deri tek nxjerrja me urdhër e punonjësve të Bashkisë së Tiranës për të kërcyer në sheshe dhe oborre kopshtesh, duke paraqitur mrekullinë që po i bëhet kryeqytetit. Natyrisht, Veliaj, në performancat e tij apo pamjet që shfaq nga kryeqyteti, është kujdesur që të fshijë ndërtimin e kullave në qendër, duke dhënë një imazh ndryshe nga ajo që shohin çdo ditë qytetarët.

Dhe nuk është vetëm Veliaj. Për shembull, të njëjtën praktikë ndjek dhe Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar, që më datë 4 janar ishte në Hotolisht për të inauguruar ujësjellësin në këtë fshat të Librazhdit. Lista është e gjatë, dhe pothuaj të gjithë të zgjedhurit e rilindjes, ministra deputetë apo kryetarë bashkish, duket sikur janë futur në një garë kush e kush ta shkelë ligjin më shumë. Një ligj për të cilin janë dakordësuar në marrëveshjen e qershorit, dhe vetë Rama ka vendosur firmën për ta votuar më pas në parlament. Por me sa shihet, ky ligj po funksionon vetëm në letër.

*****

Neni 92 i Kodit

Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni, sipas pikës 3 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ-ja” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ-ja” vendoset jo më vonë se dy ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga publiku, nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione. Transmetimi ose pasqyrimi i tyre në kundërshtim me këtë pikë ngarkon me përgjegjësi sipas këtij ligji transmetuesin radioteleviziv.

Disa prej raportimeve të mbërritura në KQZ

Vizitë pune në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë| Janar 4, 2021

Inspektim i flotës Anti-Covid
Kryeministria| Janar 4, 2021

Inspektim i banesave në rindërtim dhe ambienteve të përbashkëta
Kryeministria| Janar 4, 2021

Inspektim i posteve të vaksinimit
Kryeministria| Janar 3, 2021

Rehabilitim i rrugës së lumit të Vlorës, LOTI 2 dhe LOTI 3
Kryeministria| Dhjetor 31, 2020

Rikualifikim bllok banesash
Kryeministria| Dhjetor 31, 2020

Inspektim i përfundimit të punimeve të rindërtimit
Kryeministria| Dhjetor 28, 2020

Inspektim tek Arkivi Qendror i Shtetit
Kryeministria| Dhjetor 28, 2020


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas