Ardi Veliu mund ta kishte kursyer dje konferencën për shtyp, kur doli të fliste për ngjarjen e Elbasanit. Nuk tha asgjë të re, asnjë detaj që do të çonte në sqarimin disi të ngjarjes ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën katër të tjerë. Nuk arriti të dilte, dhe s’ka se si, nga korniza e deklaratave alla rrumpallhane të Taulant Ballës që si qëllim të vetin ka çorientimin e opinionit publik.
Një dëgjuesi të vëmendshëm, nuk do i ketë rrëshqitur pohimi se policia ka mbërritur në vendngjarje përpara se të niste konflikti. Madje jo vetëm kaq, por prezent kanë qenë dhe dy nëndrejtorët e policies së qarkut. Fillimisht paska pasur përplasje fizike dhe më pas janë nxjerrë armët. Policia në këtë rast ka mbajtur rolin e sehirxhiut. Ata ishin thirrur aty për të ndërhyrë, dhe s’e kanë luajtur këmbën dhe kur u pa se po rrezikohej jeta e qytetarëve. Madje, policia nuk paska parë as se kush ka nxjerrë armën i pari, nuk ka ndërhyrë as në momentin e përplasjes fizike, dhe as kur ka krisur koburja. Nuk e bënë këtë as kur një prej efektivëve që ndodheshin aty mori një plumb rikoshetë. Nuk di të thotë as se si iku Klement Xhaferri nga vendngjarja, dhe pse nuk ndërhyri për ta ndaluar.
Policia nuk diti të thoshte se përse një makinë pa targa dhe me xhama të errët bredh serbes në mes të Elbasanit dhe në emër të kujt ishte, por ama nxitoi të bënte verifikimet se në të nuk kishte pasur materiale komprometuese. Siç nxitoi të thoshte, se prej disa ditësh fugona të bardhë me logon e PD bridhnin në qytet, por harroi të thoshte se ato ishin të targuara dhe mjaftonte të shkonte te zyrat e shtabit elektoral që të merrte informacion se të kujt ishin, dhe kush ishin brenda në to. Do mjaftonin këto për të shkarkuar të gjithë zinxhirin drejtues të policisë së Elbasanit, madje disa të çoheshin dhe për ndjekje penale.
Po Ardi Veliu, që dje duhet të kishte dhënë dorëheqjen, së bashku me prokurorinë që Taulant Balla e ka në listën e kandidatëve për deputet të Elbasanit, nuk hezitoi të ngrinte akuzë për vrasje në rrethana cilësuese për Arbër Paplekaj, si dhe të arrestonte rreth 9 persona mbështetës të opozitës të angazhuar në mbrojtje të votës, me akuzën e “heqjes së lirisë së paligjshme” për ndonja 20 minuta të Met Dafllakut, i cili e kish shndërruar makinën e tij të patarguar në një lloj tezge për shitjen dhe blerjen e votës.
Vrasja e Pjerin Xhuvanit është një ngjarje e rëndë që kurrsesi nuk duhet të ndodhte, por duket se drejtuesi politik i Elbasanit, i flakur nga Rama në vendin e tetë nuk është dhe shumë I mërzitur. Me këtë që ndodhi, ai shpreson te një pjesëmarrje sa më e ulët në zgjedhje (gjë që i leverdis jo pak dhe Ramës) dhe të rrisë presionin tek administrata dhe shtresat vulnerabël për votat nominale. Pjerin Xhuvani dhe të tjerë kishin dalë atje për të blerë vota për Ballën, një detyrë që ata e kryenin me devotshmëri në çdo zgjedhje. Por policia këtë nuk e thotë, madje qëllimisht e fsheh.
Në rast se zbardhet plotësisht atëherë do shikohen vërtet përmasat e asaj çfarë ka ndodhur në këtë qytet, sidomos në këto tetë vite të pushtetit të PS-së. Policia, institucioni të cilin kemi zgjedhur që të na mbrojë, dje jo vetëm që vuri në rrezik jetën e qytetarëve me indiferencën e saj, por u angazhua fort në 24 orët e ardhshme për të fshehur autorët e vërtetë të ngjarjes. Sot janë 20 gëzhoja në vendngjarje, dhe Arbër Papleka kishte vetëm një pistoletë të tipit Glock me 8 fishekë. 12 të tjerat janë nxjerrë nga armë të tjera që disponoheshin nga të tjerë. Kjo s’do ndonjë formim të madh juridik për t’u kuptuar, dhe s’duhet të jetë aq e vështirë sa për të dalë në një konkluzion nëse ish-efektivi i RENEA-s ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes apo ka qenë ai që ka sulmuar i pari.
Vorbulla në të cilën është futur policia dhe prokuroria , jo vetëm e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë, të jep një panoramë të trishtë të asaj që përgatitet në katër vite në rast se Rama mban dhe një mandat tjetër. Kush do e ndalojë të prishë ato 100 mijë shtëpi të palegalizuara? A ishte kjo polici që u hidhte gaz lotsjellës në shtëpi banorëve për interesa korruptivë? A ishte ky drejtor që u përpoq të fshihte vrasjen e Klodian Rashës? Kush do i luftojë bandat që rrezikojnë jetët tona, kur ato janë angazhuar fort në fushatë elektorale për të mbajtur në këmbë pushtetin e kalbur të Ramës. Kush do u dalë kundër atyre, Çuçi apo Veliu? Ky realitet duhet të ndryshojë këtë të diel. Askush s’ka pse largohet nga vendi i tij se nuk do Rama, përkundrazi është ky i fundit që duhet të ikë nga sytë këmbët.