Mapo Letrare

Vetë do ta kisha të vështirë të përzgjidhja





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:00 - 27/01/20 |
Nga Mark Simoni

Bashkëbisedim me shkrimtaren dhe studiuesen e njohur Majlinda Rama


Bashkëbisedon Mark Simoni



A mund të na tregoni relacionet tuaja krijuese me letërsinë. Me cilat vepra ke depërtuar më tepër tek lexuesi, duke e ditur që autorët kanë shumë prurje, por jo të gjitha ngjisin tek lexuesi?


Pasioni krijues te njeriu është i natyrshëm dhe lind vetvetiu. Është ndjenja dhe koncepti për të bukurën, shijen estetike, perceptimin mbi gjithësinë, dominanca e së mirës mbi të keqen, ngadhënjimi i virtytshmërisë që të çon te ky relacion… Sekush kërkon ta shprehë në forma të ndryshme këndvështrimin e vet mbi organizimin dhe funksionimin e botës. Kahershëm më ka mbërthyer një thënie e Volterit, i cili i shkruante D’ Alamberit: “Të gjithë filozofët janë shumë të vakët. Ata kënaqen dhe qeshin me gabimet e njerëzve në vend që t’i godasin” dhe, në fakt kjo është indicja e parë tek një krijues: të gjejë mënyra depërtuese tek mendjet njerëzore, për të përmirësuar diçka. Për t’ju kthyer pyetjes, rimëzimet e mia të para, i përkasin moshës së shkollës fillore. Pastaj, komunikimi im i parë me lexuesin ka qenë vëllimi poetik “Merrma lotin peng”, botuar në vitin 2004. Ajo që unë dua të shpreh, është fakti që ndihem mirë brenda relacioneve që më mundëson letërsia si fushë, edhe pse s’di të them se cila gjini më uzurpon më shumë. Nga njëra anë, më josh lakonizmi dhe koncentrimi i tharmit poetik, e nga ana tjetër mundësia e madhe shprehëse e gjuhësore që krijon proza, por më grish, po ashtu, edhe këndvështrimi individual, hulumtimi e lirshmëria që të japin studimet… të gjitha këto, janë dilema hamletiane gjithëkohëshe për të përcaktuar veten në një relacion të tillë… Përsa i përket librit që ka ngjitur tek lexuesi…Vetë do ta kisha të vështirë të përzgjidhja librin tim më interesant, sepse secili ka veçantinë e vet tipologjike. Te lexuesi kanë patur sukses befasues, dy romanet e mi “Perandorët” dhe “Zonja me të kuqe”, si dhe vëllimi poetik “Lulet e egra”.

Çfarë mendimi keni për letërsinë sot, duke përfshirë edhe kritikën letrare?

Shkruhet, botohet, më pak lexohet. Si në çdo kohë, letërsia do të ketë heronjtë  e vetë, sikurse do të ketë edhe të harruarit e saj. Ka ndodhur dhe do të ndodh. Natyrisht, që është lexuesi ai që selekton. Aleihandre, poeti i njohur spanjoll i shekullit të kaluar, thotë se  “Nëpërmjet qenies së vet, poeti bën thirrje për komunikim..”, pra nëse një  letërsi e botuar nuk bëhet ftuese, ajo vetvetiu nuk mbetet për nesër. Por, ka edhe një problem këtu, problem që buron edhe nga mungesa e institucionit të kritikës letrare. Lexuesi nuk mundet të lexojë gjithçka që botohet, sepse edhe po të dojë, nuk i mjafton koha fizike, prandaj duhej të funksionte mirë një kritikë serioze letrare, që të orientonte drejt librit të duhur. Në kushtet kur kjo hallkë mungon, ka çorientim. Megjithatë, unë prapë jam optimiste, sepse lexuesi i “stërvitur”, di ku e gjenë letërsinë e vërtetë. Më shumë punë duhet bërë me promovimin e  letrarëve të rinj të talentuar. Unë s’dua të përmend emra, sepse përherë në këto raste krijohet subjektivizëm dhe mbeten hapësira për intepretim, por do doja që të ktheheshin sytë nga letërsia e re. Mund të ketë përshembull të rinj të heshtur që duhen zbuluar, evidentuar. Ne këtë nuk e bëjmë, ose e bëjmë rrallë dhe letërsia natyrshëm, mbetet monopol i disave. Letërsia nuk duhet të nënshkruhet në bazë emrash të certifikuar, por në bazë tekstesh.

Ju udhëtoni shpesh nëpër Evropë. Si e shihni letërsinë tuaj në raport me këtë letërsi? Po kritika letrare si e ka pritur letersinë tuaj? Keni vjedhur vëmendjen e kritikëve me në zë  vend. Çfarë do të thotë kjo për një krijues?

Po, udhëtoj shpesh. Kryesisht, kur më ftojnë për ngjarje të veçanta ose kur kam promovime a takime me lexuesit e mi andej. Kuptohet që, kur shkoj, takoj edhe autorë nga vendet ku më ftojnë. Këto udhëtime, më kanë favorizuar të njoh nga afër shkrimtarë të huaj e shqiptarë në Evropë, me të cilët kemi shkëmbyer edhe mendime mbi letërsitë e vendeve respektive. Fakti që kam marrë mendime pozitive, por edhe oferta për përkthim të veprave të mia, më ka bërë të mendoj pozitivisht. Kuptohet që unë s’jam si Mopasani që thoshte: “Unë hyra në jetën letrare si një meteor dhe do dalë prej saj si një rrufe”. Shkruaj modestisht dhe ndihem mirë nëse kam bërë diçka të mirë, pa e parë letërsinë time si paraqitet në raport me letërsinë matanë kufijve. Për një gjë kam krijuar bindjen: letërsia shqipe merret seriozisht jashtë kufijve tanë gjeografikë. Do përdorja një shprehje të Apolinarit për Konicën “encikopedi që lëviz”, të tillë e shoh letërsinë shqiptare në Evropë dhe kjo falë shkrimtarëve të njohur të shumëpërkthyer, si Kadare, Kongoli etj…

Përsa i përket vlerësimit nga kritika letrare, padyshim që kjo, është ngazëllyese por edhe përgjegjësi. Për një krijues që hapëron drejt letërsisë, jo me dëshirën fluturake, për një çast, emocion apo situatë, por me dëshirën që, letërsia t’i bëhet edhe gjak, edhe lëkurë, pritja mirë dhe përkrahja e kritikëve seriozë, është një udhë e hapur për tek lexuesi. Dhe kjo nuk është pak, prandaj i falenderoj që më kanë lexuar dhe vlerësuar mëpastaj.

Gjithmonë bëhet një pyetje, që ndoshta është nga më kureshtaret për lexuesin. Sa është Majlinda në librat e saj, apo sa është jeta jote në ato libra?

Ndonjëherë, hezitoj t’ja pranoj vetes që ka diçka nga unë në librat e mi, por e vërteta është se çdo shkrimtar nuk i shpëton dot kësaj. Shpesh, letërsia nis si rrëfim nga fragmente personale, nga ngjarje, njerëz e vende që i njeh, nga histori apo si rrjedhojë këndvështrimi, pra buron nga realitete individuale, e pastaj strukturohet si vepër artistike, por gjithmonë shoqërohet nga një vizion personal a figure të gjallë apo të prekur. Si i thotë Çehovi, kur e takon për herë të parë Lidia Avillovën “Figurat e gjalla krijojnë mendimin, kurse mendimi nuk krijon figura”. Kuptohet që magjia e artit të shkruar, është komplekse, ajo të rrëmben dhe shpesh të bënë edhe vartës të ngjarjes, në atë që unë e kam quajtur kurth të narracionit, që të rrëmben dhe ta tregon rrugën, jo ajo çka ti ke dashur të trajtosh, ajo çka ti shkruan. Pra, të kontrollon.

Shumë shkrimtarë e kanë pranuar se ka patur vepra që kanë nisur dhe i kanë lënë përgjysmë. Ju ka ndodhur ndonjëherë juve kjo gjë? Nëse po, përse e latë në gjysmë?

Po, më ka ndodhur dy herë. Një herë kur isha, diku në klasë të tetë dhe një herë tjetër, para se të shkruaja romanin “Perandorët”. Për atë kur isha adoleshente, s’po flas se, më kujtohet, siç thotë Kadareja, “Kur botova vjershën e parë…ishte një vjershë budallaqe dhe… Ata u tallën me mua, se nuk dija të shkruaja”. Edhe unë prandaj hoqa dorë që të mos bëhesha qesharake. Nuk e  mendova kështu në atë kohë, por bëra mirë që s’i shkova deri në fund. Rasti tjetër ka qenë në 2010, lidhur me një roman, ngjarjet e të cilit e kishin burimin nga vitet ’60. Ishte sfilitëse, sepse nuk e kisha jetuar atë kohë dhe pata vështirësi të hyja emocionalisht në lëkurën e personazheve… U mërzita… e flaka…

Keni shkruar shumë për gruan. Pse, pikërisht për të. E keni të vështirë të shkruani për botën e burrave apo është ikje nga burrat?

Gjithmonë e kam thënë se unë i kam besuar shumë gruas. Kam besuar te shpirti i saj, te pasuria që ajo bart si qenie njerëzore. Duke e trajtuar atë si një vokacion përfaqësues e dinjitoz, kam dashur ta proklamoj si promotore të zhvillimit. I dua gratë luftarake! S’dua t’u iki burrave, jo. Dua t’u qëndroj përballë!

Romanet tuaja, mbylljet i kanë patur sa dramatike aq edhe tragjike. Ju dukeni natyrë pozitive, optimiste, pse këto zgjidhje të subjektit, kur dihet se lexuesi kërkon mbyllje të lumtura?

Letërsia është jetë. Ndodh shpesh, që njerëzit nga frika se mos degradojnë shkojnë deri në vetëvrasje, ashtu sikurse ndodh që të humbasin gjithçka e të mos kenë arsye të jetojnë. Kjo e fundit sjellë edhe viktima të tjera rreth vetes. Edhe personazhet e mi janë zhvilluar në një mjedis të mbushur me makthe, shpërfytyrime njerëzore, monstra, maska, ngjarje të përbindshme, tmerre, ditë gri, shpirtra të hazdisur, e duke qenë pjesë e këtij lëmshi të zjarrtë, ngacmues deri në përvëlim të psikologjisë njerëzore, ata degradojnë dhe shkojnë drejt fundit. Ky fund i trishtë është një frymë ekzistenciale, është një klithmë për t’i kërkuar shoqërisë më shumë sy të vëmendshëm ndaj të dëshpëruarve, të heshturve, eremitëve etj.

Çfarë keni momentalisht në tryezën tuaj të punës?

Nuk jam shumë e disiplinuar, në kuptimin që ta nis një libër e ta përfundoj. I shkruaj ngacmimet, ashtu si më vijnë e kjo më ka shpërndarë në disa libra, që s’dihet kur e kanë fundin. Por, duke qenë se prej vitesh kam poezi të shpërndara, të harruara, të hedhura, edhe disa të reja, mendoj t’i mbledh dhe besoj që do kem gati një vëllim të ri poetik për ta botuar. Po ashtu, romani “Lulet e bardha të janarit”, që u bë pjesë e dhjetëshes finaliste të edicionit të kaluar të çmimit “Kadare”, besoj se këtë vit do të dalë për lexuesin.

Përveç jetës krijuese, ju mbani lidhje ende me gazetarinë. Sa e ndihmon letërsia gazetarinë dhe sa e dëmton atë? Pse shumë gazetarë nuk kanë ia kanë dalë dot të bëjnë letërsi artistike për shkak të stilit gazetaresk?

Mendoj se është krijimi që e lidh artin me gazetarinë. Nëse arti krijon një urë komunikimi permanent dhe të pashkëputur me lexuesin, gazetaria ofron mundësinë për të komunikuar dhe për të qenë më pranë komunitetit. Emëruesi i përbashkët është shkrirja brenda masës së gjerë të njerëzve; jeton mes tyre, ecën mes tyre, percepton brengat, shqetësimet, gëzimet…jeton. Stili gazetaresk ndihet, por sfumohet gradualisht dhe nuk dëmton.

Aktiviteti juaj është shumë i larmishëm si shkrimtare, studiuese, aktiviste, organizatore, por daljet e tua në media janë të rezervuara. Pse kjo zgjedhje?

Nuk është se jam izoluar. Kam dalë në media kur kam patur diçka të re për t’i thënë publikut. Duke qenë edhe vetë gazetare, e di mirë se si transformohesh kur përsërit vetveten dhe unë s’dua ta bëj këtë.

Majlinda Rama –  Botime:

  1. Merrma lotin peng– (Poezi) – 2004.
  2. Hene e qiellit tim – (Poezi) – 2006.
  3. … Por gjyqi vazhdon …– (Eseistike) – 2006.
  4. Perandorët– roman – 2014.
  5. Kritika Letrare– studime, kritika, ese, publicistikë, Shkup, 2014.
  6. Zonja me të kuqe– roman, 2015, red. Kim MEHMETI
  7. Metalogjika policentrike e një shteti të ri- studim, 2016
  8. Koncept i përkufizuar i një modeli ekonomik- studim, 2016
  9. Ikja- novelë, 2016, red. Klara KODRA
  10. Antologji e prozës poetike- 2017
  11. Kthimi- novelë, 2017, red. Ali ALIU
  12. Lulet e egra- poezi, Shkup, 2017
  13. Kodi poetik i Agollit- studim monografik, 2018, red.shkencor Ali ALIU
  14. Kumte që lëvizin(Mbi poezinë e Ali Podrimes) – studim monografik, 2018, red.shkencor Ali ALIU
  15. Arzoe- Novelë, 2019
  16. Shënime Letrare- Studime, kritikë letrare, 2019.

 

Majlinda Rama – Çmime:

  • Çmimi Ndërkombëtar “Gruaja 2019” akorduar nga Universum Academy Sëitzerland, Zvicër.
  • Çmimi “Libri më i Mirë Poetik“ (“Lulet e egra“) dhënë në Panairin e XX Ndërkombëtar të Prishtinës;
  • Çmimi i Parë në Maqedoni dhënë nga Ministria e Kulturës dhe Klubi “Karadaku“, Maqedoni;
  • Çmimi “Faik Konica” për Kritikën më të mirë Letrare;
  • Është shpallur “Ambasadore e Paqes“, Tiranë, Shqipëri;
  • Çmimi “Naim Frashëri”, dhënë në Institutin Albanologjik, Prishtinë;
  • Çmimi “Esad Mekuli”, dhënë në Bibliotekën Kombëtare në Kosovë;
  • Çmimi “Ora e Maleve”, dhënë në Rozhajë, Mali i Zi;
  • Çmimi “Muza Poetike Budiane”, dhënë në Mat, Shqipëri;
  • Është shpallur “Njeriu i vitit” në vitin 2014, Tiranë, Shqipëri;
  • Çmimi “Muza poetike 2012”, dhënë në Tiranë, Shqipëri.

Krijimtaria e Majlindës është pritur mirë dhe vlerësuar nga kritika letrare brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e saj është promovuar dhe përkthyer në disa shtete, si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Gjermani, Francë, Zvicër, Austri, Belgjikë, Poloni, Holandë, Hungari, Spanjë etj.

 


Etiketa: ,

Pas