Mapo.al
Dy njerëzit me më shumë pushtet në vend, Edi Rama dhe Erjon Veliaj, janë shfaqur sot në publik, me asgjë të re. E reja e vetme është se, të kapur në faj, retorika e tyre luftarake e nxjerrjes se ka komplot kundër tyre, se ata janë në rregull po bash forcat e errëta po i pengojnë, nuk ka më efekt.
Shihni se ç’ndodh me Ramën. Çështja e hapjes së negociatave është në fije të perit. I vetmi që nuk ka përgjegjësi në rruzull për këtë mungesë sigurie, është ai, kryeministri. E ka nisur sot një mesazh në parlament, dhe, dynjaja pasi kanë kryer dy- tre punë, kanë pirë ca kafe, dhe ndonjëri ka bërë një ecje të mirë, e ka gjetur sërish në ekran duke folur në të njëjtin vend, pa lëvizur fare.
Kuptohet, sipas tij, opozita ka bërë gjithçka ka mundur për të penguar integrimin, dhe kur opozita nuk ia ka dalë, janë vete vendet e BE që me hallet dhe problemet e tyre të brendshme, kanë sabotuar këtë proces.
Eshtë fare e qartë. Rama duket se po ndjell një vendim të keq për vendin. Po parashikon moshapje të negociatave. Puna është që ai, si çdo here, të gjejë anën për të përfituar prej kësaj. Dhe ja ku e ka skemën. Të hedhë baltë dhe të mallkojë opozitën, e t’ua tregojë shqiptarëve me gisht se, demokratët e aleatët e tyre, ata e ndërprenë rrugën.
Më anë tjetër, ai me qeverinë, bënë gjithçka për të luftuar krimin, drogën, për të forcuar administratën, bënë gjithçka për zgjidhjen e krizës politike, për të mundësuar zgjedhje të lira e të ndershme. Po këto punë, nuk mjaftokan, pasi opozita paska një fuqi madhore, gati të mbinatyrshme, sa këtë rezultat të fortë arritjesh e suksesesh e hedh në tokë me fjalë. Me fjalët që u pëshpërit në vesh europianëve.
Këtë kërkon Rama të besojnë shqiptarët. S’ka më asnjë dyshim se ai çështjen e integrimit e ka futur në menunë e luftës së brendshme politike dhe kërkon të marrë ç’të mundet nga aty.
Po a ka më njeri që, edhe për një hop, ta mendojë, ta shohë e jo më, ta hajë këtë gjellë. Kjo retorikë tashmë ka degraduar. Kryeministri thjesht s’duhet të ndërpritet më teksa shkon në këtë ligatinë logjike, e aspak të replikohet. Duhet lënë të flasë.
Kemi numrin 2 të rilindjes, Erjon Veliaj.
Krejt bota e ka marrë vesh se ai ka në plan të mbushë me mrekullitë e tij të betonit edhe një pjesë të Kopshtit Botanik, të shndërrojë edhe atë cep oazi bimësie e oksigjeni në një gri kullash, dhe kjo nuk ka fare rëndësi për të, por fajtorët, të poshtrit, janë ata që kundërshtojnë, të cilët, sipas kryebashkiakut, në vend se të merren me shkencë, merren me punët e tij.
“Po si ka mundësi mo?”, mund të ulërijë secili njeri me logjikë normale në këtë qytet, kur dëgjon si mbron Veliaj planin e tij për pallate botanike, duke hedhur helm e vrer të kësaj natyre ndaj atyre që po e denoncojnë.
Dhe asnjëra prej ngjyrave që tregojnë pak turp e sedër nuk kalon në portretin e tij, po falë pushtetit mediatik që ka, vazhdon e sulmon e sulmon live, këdo që po e pengon këtë projekt. Sigurisht, targeti i preferuar, është opozita. Sepse rruga më e shpejtë për të mbjellë mjegullën e duhur, e larguar transparencën, është ta politizosh një çështje. Me shpresën se publiku do të hutohet, dhe do thotë, hajde se punë partish. Pra jo punë pallatesh, po punë PS-PD.
A mund të gjendet dikush që ta besojë këtë retorikë të kryebashkiakut. Vështirë se ka të tillë, edhe në radhët më të patundura të militantëve të rilindjes. Ndaj edhe në këtë rast, nuk ja vlen as të ndërpritet, dhe as të replikohet. Vetëm lëreni të flasë. Ka më shumë efekt në publik.