22-vjeçarja nga Kenia që u dhunua barbarisht në Tiranë ka qëndruar për disa orë në gjendje të rëndë në oborrin e një hoteli dhe sot e kësaj dite ajo ndodhet e shtruar në spital. Ende nuk ka asnjë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj saj.
“Çdo jetë ka rëndësi”. Më këtë moto po zhvillohet një protestë në Tiranë në shenjë mospajtimi ndaj dhunimit barbar të 22-vjeçares nga Kenia, e cila ndodhet prej muajsh në gjendje të rëndë, në spitalin e Traumës.
Aktivistja Xheni Karaj, e cila mori pjesë në protestë u shpreh se shteti tentoi të fshehë ngjarjen. Ajo kërkoi drejtësi për 22-vjeçaren që po lufton për jetën. – “Vetëm për njerëzit e kamur punon drejtësia? Fshehja e këtij krimi vendos një precedent ndaj të pambrojturve në vendin tonë. Kërkojmë më forcë hetimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Institucionet të paguajnë faturat për kurimin e saj jashtë vendit”, u shpreh Karaj.
Ndërsa avokati Idajet Beqiri u shpreh i revoltuar se fshehja e krimit është një krim në vetvete. – “Mora pjesë në këtë protestë si qytetar. E konsideroj një turp të madh për institucionet shqiptare. Ngjarja ka ndodhur më 14 gusht dhe policia nuk njoftoi qytetarët. Policia e shtetit e fshehu krimin, Ka të bëjë me racizëm apo ka arsye të tjera? Fshehja e krimit është krim në vetvete”, tha ai.