Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga protesta e paralajmëruar për sot në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën “jokushtetues dhe të turpshëm” mocionin e së premtes dhe thanë se me protestat e së dielës synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe politikisht. “Me protestën tonë të nesërme, sërish ne synojmë që t’ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë dhe t’ia japim këtë pushtet shtetit të Kosovës, të cilin duam ta forcojmë. Prandaj, kërkojmë nga Policia e Kosovës, e posaçërisht nga njësitë e saj speciale që të mos na pengojnë në pengimin e Serbisë. Neve po na zhduket Republika, përderisa nuk kemi reciprocitet me Serbinë”,- tha Kurti. Kreu i Vetëvendosjes i bëri këto komente në një konferencë për mediat, ku drejtoi akuza ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, duke thënë se nga zyra e tij “ka urdhëruar dhunën policore ndaj protestuesve më 14 janar”, si dhe kërkoi që përmes 10 pyetjeve të sqarojë në detaje takimet që, sipas Kurtit, kryeministri Thaçi i ka zhvilluar dy herë me presidentin serb, Boris Tadiç. Kuvendi i Kosovës miratoi të premten me 59 vota për mocionin e ri për reciprocitet me Serbinë, i cili shfuqizon jo vetëm mocionin e iniciuar nga Vetëvendosja më datën 7 dhjetor, por edhe të gjitha vendimet e Kuvendit që kishin të bënin me reciprocitet ndaj Serbisë. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se mocioni i së premtes nënkupton vdekje të republikanizmit dhe parlamentarizmit. “Me ditën e djeshme, Kosova si shtet ka hyrë në një fazë të re të autoritarizmit të pushtetit. Tash të gjithë po e kuptojmë se kemi një Qeveri tërësisht të pakufizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dje, Qeveria na ka thënë ‘unë bëj ç’të dua me shtetin, sepse i kam 59 deputetë’. Miratimi i marrëveshjeve me Serbinë me 59 deputetë tregon se Qeveria e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë”,- u shpreh Konjufca. Ai la të kuptohet se mund të kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mocionin e djeshëm, por shprehu dyshimin se Qeveria, sipas tij, sërish do të dalë edhe mbi vendimin e Kushtetueses, po qe se gjykata thotë se mocioni është jokushtetues.