“Venecia” bëri ndryshime në draft-opinionin për Shqipërinë, duke saktësuar se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë të drejtën për t’u zgjedhur. Sipas Komisionit të Venecias, në varësi të situatës politike, një kufizim për një rrethanë të caktuar, që mund të jetë i nevojshëm për një shtet, mund të mos aplikohet për një shtet tjetër.
Këto ndryshime, Komisionit i ishin kërkuar nga PD, ndërsa PS nuk ka paraqitur amendamente. Megjithatë, konkluzionet mbeten të njëjta, sepse amendamentet e relatorit nuk prekin thelbin, por referojnë praktika të GJEDNJ-së.
Varianti do të hidhet në votim ndoshta në seancën e fundit plenare të këtij viti në Kuvendin e Shqipërisë. Por Partia Socialiste dhe ajo Demokratike do të shkojnë me dy raporte për vetting-un në politikë, pasi nuk ka pasur dakordësim deri më tani.
Pas këtij lajmi reagoi edhe kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
“Eh Artist, s’më vjen mirë për ty,po ti s’ve mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar Dialogun mes studentëve e qeverisë,” shkruan Rama.
Ndërkohë, demokrati Bylykbashi e ka cilësuar si lajm të mirë për shqiptarët opinionin e Venecias, e njëkohësisht lajm i keq për politikanët mafiozë.
“Komisioni i Venecias konfirmoi sot kauzën e drejtë dhe legjitime të PD dhe opozitës shqiptare për vettingun e politikanëve të lidhur me krimin e organizuar. Opinioni i miratuar sot nga Komisioni i Venecias përcaktoi guidën e detajuar për miratimin përfundimtar nga Parlamenti të amendamenteve kushtetuese dhe ligjin e detajuar, që ashtu si dekriminalizimi, do të duhet të largojë politikanët e lidhur me mafien. Komisioni i Venecias i bën thirrje mazhorancës të ulet në dialog konstruktiv me opozitën për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit sipas udhëzimeve të Komisionit, e shprehu gatishmërinë për të asistuar më tej në përfundimin e këtij procesi”, shkruan Bylykbashi.