Ka nisur seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren Manjola Xhaxho.
Xhaxho është gjyqtare në Gjykatën e Tiranës dhe gjithashtu kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Ajo është bërë pjesë e listës prioritare për të kaluar në sitën e vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Manjola Xhaxho zotëronte një pasuri me vlerë rreth 5.6 milionë lekë në vitin 2003. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj rezulton të jetë rreth 2.9 milionë lekë ose 1.9 herë më e ulët se viti fillestar i deklarimit.
Rrudhja e pasurisë së zonjës Xhaxho lidhet me një apartament të deklaruar prej saj si pronë në vitin 2003, të cilën ajo u aka falur prindërve. Apartamentin e blerë për 5 milionë lekë me burim të deklaruar “dërgesa monetare nga vëllai”, Xhaxho e ka rivlerësuar në vitin 2011 në 13.3 milionë lekë dhe më pas u aka falur prindërve me kontratë dhurimi.
Të ardhurat e gjyqtares Xhaxho vijnë kryesisht nga paga nga funksioni dhe mësimdhënia, të cilat përbëjnë së bashku rreth 78 për qind të të ardhurave. Përgjatë karrierës së saj, të ardhurat totale të zonjës Xhaxho kapin vlerën e 13.1 milionë lekëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Në rastin e zonjës Xhaxho, 13 deklarata pasurie iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik, nga të cilat njëra prej tyre rezultoi me probleme.
Gjyqtarja Xhaxho rezulton me një shumë të pambuluar prej rreth 96 mijë lekësh në vitin 2011. Kjo diferencë negative lidhet edhe me faktin se Xhaxho nuk ka deklaruar të ardhura nga funksioni në të njëjtin vit.