Vendimi i parë i vettingut shkarkon një gjyqtar të Kushtetueses dhe e kthen në inekzistent institucionin. Ikja e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla që shmangu “gjyqin publik”, por jo hetimin penal dhe pse është i vështirë justifikimi i pasurisë për njerëzit e drejtësisë. Vetting selektiv apo askush nuk do të shpëtojë dhe “gongu” që po bie për politikanët
Nga Sebi Alla
Pretendoi se një shtëpi, zyrë, dhe 100 mijë dollarë “lekë xhepi”, ia kishte dhuruar motra biznesmene dhe me këtë argument, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo kishte ngritur gjithë kalanë mbrojtëse, për t’i shpëtuar procesit të vettingut. “Gjyqtari Lulo nuk justifikon pasurinë prej 480 mijë dollarëve dhe shkarkohet nga detyra”, -tha relatorja e çështjes, fare shkurt, duke mbyllur një kapitull për një anëtar të kushtetueses, por hapur rrugën që nëse do të mbahet ky kriter, pak njerëz të sistemit të drejtësisë mund ta kalojnë në vrimën e ngushtë të vettingut.
Frika ndihet kudo ndër gjyqtarë dhe prokurorë, ku në kushte të tilla nuk po mendojnë më vetëm për karrierën që mund t’u pritet në mes, por rrezikun se do të përfundojnë të hetuar dhe dënuar. I tillë është rasti i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili vërtet i shpëtoi “gjyqit publik” të vettingut, por nuk mundi të mbyllë çështjen me drejtësinë, pasi po hetohet nga Prokuroria e Durrësit, për pastrim të produkteve të veprës penale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit aktualisht ka në duar materialet për drejtuesit e lartë të sistemit të drejtësisë dhe pas pak ditësh, një tjetër anëtare e Gjykatës Kushtetuese do të përballet me KPK-në, ajo është Vitore Tusha.
E më pas me radhë, të Gjykatës së Lartë, Apelit, Prokurorisë së Përgjithshme, Krimeve të Rënda, për të zbritur deri në gjykatat dhe prokuroritë e shkallëve të parë në rang vendi. Për nga mënyra si po veprohet dhe shqyrtohen çështjet, vendimet e para po tregojnë se u krijuan precedentë juridik, për të ruajtur të njëjtin ritëm në gjykimin e rasteve. I ngjashëm me procesin e dekriminalizimit në rangun politik, ku qoftë edhe për një gabim në plotësimin e formularit rrezikojnë shkarkimin, denigrimin për disa ditë dhe më pas edhe humbjen e të drejtës për t’u kthyer në protagonistë të politikës.
Dilema mbetet nëse ky proces mund të përdoret politikisht, duke shmangur qëllimin për të cilën është krijuar, në verifikimin e figurës së gjyqtarit ose prokurorit dhe kaluar individë të veçantë të sistemit aktual të drejtësisë që anojnë politikisht nga pushteti. Rastet ende nuk janë krijuar dhe kjo mbetet një frikë hipotetike.
Procesi i vettingut edhe pa e patur qëllim po shërben për të fituar pikë në imazhin ndërkombëtar. Një urdhër-arresti më shumë ndaj ish-zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë dhe shkarkime të tjera si shkak i procesit të vettingut, do të ishin “kritere” jo pa rëndësi për t’i mbushur mendjen Europës për të dhënë aprovimin që Shqipëria të hapë negociatat për vend kandidat për në BE.
Vetting-u si proces juridik
Në momentin e plotësimit me 12 anëtarë, KPK (Kolegji i Pavarur i Kualifikimit), kishte vetëm tre rrugë për të shkuar në shkeljet e njerëzve të drejtësisë, duke marrë në shqyrtim; integritetin moral, aftësinë profesionale dhe pasuritë. Burime konfidenciale pranë komisionit të vlerësimit shprehen se materialet komprometuese për integritetin moral dhe atë profesional janë të pakta, ndaj vëmendja është përqendruar kryesisht në hetimin që lidhet me justifikimin e pasurisë. I pari i kaluar në filtër, gjyqtari Fatos Lulo, ishte në rregull me “integritetin moral dhe profesional”, por kleçka iu gjet te pasuria. Ai kishte deklaruar një pasuri prej 480 mijë dollarësh që përkthehej në apartament në Tiranë, zyrë, një shtëpi në Kanada dhe ca dollarë të thata, një pjesë e të cilave pretendoi se i ishin dhuruar nga motra e tij.
Kur u pyet se si i kishte rritur llogaritë bankare dhe shtuar pasurinë e patundshme, Lulo nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se kishte punuar si avokat më parë, por edhe kjo pikë u rrëzua kur nuk e justifikonte me taksat e derdhura si avokat në Drejtorinë e Tatimeve. Shkarkimi i tij shkaktoi “traumë” te kolegët, që tashmë po bëjnë llogaritë e deklaratës së pasurisë që kanë arkivuar pranë ILDKPI-së. Lehtësisht plotësonin disa formularë sepse ashtu ua kërkonte ligji, por shumë nga gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë treguar aq sqimatarë në kopsitjen e deklaratës së pasurisë, ndoshta me mendimin se nuk do vinte kurrë ai moment që do kalonin në një sitë kaq të imët.
Duke parë të dhënat e vetëdeklarimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, disa prej tyre janë dukshëm në kapërcime logjike. Një pjesë deklarojnë të ardhura të mëdha nga puna e bashkëshortëve apo fëmijëve, që në të shumtën e rasteve figurojnë avokatë dhe noterë. Të ardhurat vjetore të tyre në disa raste shkojnë edhe në shifrën 200-300 mijë euro, dhe kur vjen çështja për t’i justifikuar si të ardhura që janë tatuar këtu çedon gjithçka. Gjithashtu, vështirë të dalin nga “vrima e ngushtë” e vettingut disa gjyqtarë që pretendojnë se një pjesë të parave të depozituara në banka e kanë arritur duke fituar skedina në futboll.
Të tjerë pretendojnë se të ardhurat u janë shumëfishuar nga paratë e dhuruara nga një vëlla emigrant në Greqi apo vjehrri pensionist. Është fakt që rreth 75 për qind e gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit në vend, në deklaratën e pasurisë justifikohen se kanë siguruar prona të patundshme dhe para në kesh nëpërmjet dhurimit nga të afërmit. Gjithashtu në jo pak raste ka “xhonglime” që më së paku të lënë të dyshosh, kur paraqesin akte noteriale në blerjen e një prone në një shumë të caktuar dhe as dy javë më pas, këtë pronë e kanë shitur në një vlerë dyfish më të lartë. Nëse do të ndiqet i njëjti kriter si me gjyqtarin e parë të marrë në shqyrtim Fatos Lulo, atëherë mund të konsiderohet një “drejtësi e rënë”…
Vetting-u tremb
Aktualisht Gjykata Kushtetuese ekziston vetëm si godinë, prej dy javësh ka humbur çdo funksion të saj. Me shkarkimin e njërit prej anëtarëve të saj, kjo gjykatë ra përfundimisht, duke mbetur vetëm me pesë anëtarë, nga nëntë që ka në organikë. Nuk është çudi që të rrudhet edhe më shumë nëse edhe për anëtarët e tjerë të Kushtetueses vettingu do i shkarkojë. E njëjta situatë parashikohet edhe në Gjykatën e Lartë. Ky institucion ka bërë një pirg të madh me dosje të pashqyrtuara dhe është i dorëzuar prej të paktën dy vitesh, duke ngritur shqetësimin se nuk ka gjyqtarët e mjaftueshëm për të shqyrtuar çështjet. Një pjesë e gjyqtarëve janë larguar me dëshirë (edhe për t’i shpëtuar vettingut), të tjerë janë shkarkuar dhe disa janë larguar sepse u ka përfunduar mandati.
Nga 19 anëtarë që kishte ky institucion, ka mbetur me vetëm 9 dhe gjasat janë që të firojnë edhe disa kur të kalojnë nga filtri vetting. E vetmja shpresë për të rinisur funksionimin mbetet plotësimi i vendeve bosh me anëtarë të rinj, por koha nuk është në favor. Kolegji Pavarur i Kualifikimit njofton se po punon me prioritet mbi të gjitha dosjet që janë shortuar sipas ligjit përfshi dhe kandidatët për në KED, por ecuria e punës varet nga kompleksiteti i dosjeve. Në këtë mënyrë pa u ngritur KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) dhe pa kaluar më parë vettingun kandidatët, Gjykata Kushtetuese mbetet krejtësisht nul, ndërsa rrezikon shumë edhe Gjykata e Lartë.
Një lajm i “ri” që KPK bëri publik është se një pjesë të materialeve që ata dispononin gjatë kohës kur ish-kryeprokurori Llalla ende nuk e kishte dhënë dorëheqjen, ia kanë dërguar Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në zbatim rigoroz të Kushtetutës dhe ligjit, i ka vënë në dispozicion këtij organi më datë 15 mars 2018 dosjen e subjektit të rivlerësimit, z. Adriatik Llalla”, thuhet në reagimin e Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, duke shuar përfundimisht dyshimin se kushdo që dorëhiqet mund të shmangë vettingun, por nëse rezultojnë shkelje ligjore materialet i kalojnë prokurorisë për hetim. I ngjashëm është edhe rasti i ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj ku pas dorëheqjes do i duhet të kapërcejë derën e “frikshme” të Prokurorisë.
Po qarkullojnë zëra (jo pa motiv) se vendimmarrësit e vërtetë të procesit të vettingut nuk janë anëtarët e KPK-së, por kolegji këshillues i përbërë nga juristë të njohur ndërkombëtarë, që kanë rolin e tyre në sistemin e vettingut, si pjesë e ONM-së (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit). Për praninë e tyre në procesin e vettingut pati debate të gjata politike, duke u treguar “sovranistë”, që të huajt të mos ndërhyjnë, që reformën do e bëjmë me njerëzit tanë dhe pretendime të ngjashme që më shumë synonin një zgjatje të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Në fund u gjet një e “mesme e artë” që ndërkombëtarët të ishin në proces, por si këshillues dhe jo vendimmarrës. Koha po tregon se “këshillat” mund të kthehen edhe në vendim…
Politikë me vetting brenda
Pritej vetëm një rast për të krijuar një fabul me “shkrimtarët” politikëbërës. Detaji u erdhi pasi në vendimin e parë publik KPK vendosi shkarkimin e një gjyqtari pasi nuk kaloi kriterin e justifikimit të pasurisë. “Sot, zbatimi i Reformës në Drejtësi shënoi një hap tjetër të rëndësishëm, të shumëpritur! Vendimi i parë i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit garanton ecurinë përpara të procesit të vettingut si dhe rikthen besimin tek qytetarët për pastrimin e sistemit të drejtësisë.
Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë që besojnë në detyrën e rëndësishme që kanë marrë përsipër dhe mbrojnë vetëm interesin më të lartë të qytetarëve dhe shoqërisë dhe jo interesat e tyre personale financiare ose politike”, deklaroi menjëherë pas shkarkimit të Lulos, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Situata po përdoret edhe për politikë më të madhe se kaq. Kryeministri Edi Rama në çdo dalje publike jashtë vendit, kudo që të jetë, çështjen e vettingut dhe rinovimin e sistemit të drejtësisë e ka si kryefjalë.
Fort i ndërgjegjshëm se Brukseli zyrtar nuk ngopet më me fjalë, por me veprime konkrete në fushën e drejtësisë, kryeministri Edi Rama po përdor kalin e betejës me ndërkombëtarët, pikërisht zhvillimet që vijnë nga procesi i vettingut. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një tjetër pikë që të huajt janë sy e veshë për të parë rezultatet. Statistikat në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk janë aq optimiste dhe jo pa qëllim Rama e shmang, duke përdorur edhe mjeshtërinë e tij komunikuese.
Para ndërkombëtarëve kryeministri ka një justifikim: “Po bëjmë drejtësinë, më pas pritni rezultatet ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Një logjikë që shkon, por jo për shumë kohë, sepse fenomeni i korrupsionit në nivele të larta, implikimi i drejtuesve të policisë me krimin e organizuar, nuk është vetëm përgjegjësi e atyre që nuk e ndëshkojnë (gjyqtarëve dhe prokurorëve), por e personave që e lejojnë.
Në këtë linjë gjykimi, shkon edhe procesi i vettingut në polici, që pritet të jetë i ngjashëm për nga verifikimi me atë të sistemit të drejtësisë, por justifikim politik nuk mund të ketë. Qeveria e ka disi të lehtë të ankohet për gjyqësorin dhe prokurorinë, pasi janë institucione të pavarura, por nuk kanë “zë” për rastet kur krerë të policisë, të politikës, ministra apo ish-ministra dyshohen për afera të dyshimta./Mapo.al/