Gentian Osmani është një prokuror karriere që ka punuar për shumë vite tek Krimet e Rënda dhe mes dosjeve, më e famshmja që ka hetuar është ajo e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kushdo e kujton se si prokuori arriti në konkluzionin se zëri në audio-përgjim nuk është i Agron Xhafajt dhe në burg përfundoi Fredi Alizoti, personi që pranoi se ka folur me Albert Veliun (Babale). Për këtë, PD e akuzuar prokurorin se nuk ka hetuar siç duhet dosjen.
Por në kulmin e debatin për çështjen “Babale”, verën e vitit 2018, Gentian Osmani e kaloi hallkën e parë të vettingun dhe u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Më pas vendimi u ankimua në Komisionin e Posaçëm të Apelimit (KPA) nga Komisioneri Publik me rekomandim e Organit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Gjatë këtij viti (2019) prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sot kur është në majë të karrierës, si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Osmani rrezikon sërish shkarkimin. Sipas Komisionerit Publik, Osmani gjendet ne kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. “Nga krahasimi i deklaratës në vetting të Osmanit, me të tjera, është deklaruar një pasuri 96 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten. Burimi i krijimit të pasurisë 82 mijë euro është deklaruar shitja e një apartamenti të mëparshëm 72 m2. Për t’u vlerësuar nëse pasuria është krijuar në burime të ligjshme, analiza bëhët për burimin e krijimit të pasurisë së parë. Për të, subjekti ka deklaruar si burim, kursimet cash të grumbulluara prej tij dhe bashkëshortes, hua dhe. Kursimet rezultojnë të justifikuara”, tha Komisioneri në seancën e sotme që u zhvillua në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.
“Sa i përket huasë 20 mijë euro, rezulton se ka dokumentacion të pamjaftueshëm për provimin e aftësisë financiare të huadhënësve. Mungon dokumentacioni provues nëse shuma ka ardhur në Shqipëri cash apo në rrugë bankare. Nuk provohet vërtetësia e kësaj marrëdhënieje huaje. Subjekti ka mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e apartamentit dhe nuk mbulon me të ardhura të ligjshme këstet e paguara për apartamentin. Kërkojmë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gentian Osmani”, tha më tej Komisioneri.
Vendimi për anëtarin e KLP-së, Gentian Osmani pritet të merret në seancën e ardhshme. Gentian Osmani është anëtari i dytë i KLP-së që apelohet në vetting pas Antoneta Sevdarit, e cila u shkarkua pak muaj më parë. /MAPO.al