Aktualitet

Vettingu/ Komisioneri Publik ankimon vendimin për Regleta Panajotin






               Publikuar në : 17:10 - 18/09/19 |
mapo.al

Komisioneri Publik ankimon në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Regleta Panajoti, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.


Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt me Komisionin pasi vlerëson se, për rastin konkret, në gjendjen që janë faktet dhe provat e administruara gjatë hetimit administrativ, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.



“Duke ritheksuar se Komisioneri Publik ka detyrimin që të ushtrojë kontroll mbi vendimet e dhëna nga Komisioni, me qëllim që të garantojë mbrojtjen e interesit publik në procesin e rivlerësimit, kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr.169, datë 26.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Regleta Panajoti”, thuhet në njoftim.

Me 26 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi me shumicë votash në detyrë gjyqtaren e Tiranës Regleta Panajoti, e cila garon për një post si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pas pikëpyetjeve të ngritura mbi pasurinë.

Trupa gjykuese që kreu rivlerësimin e gjyqtares Panajoti përbëhej nga Genta Tafa Bungo në cilësinë e kryesueses, Lulzim Hamitaj Relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Sipas relatores, Panajotit i mungonin 3.9 milion lekë për të justifikuar investimet e bëra, në veçanti për blerjen e një apartamenti në rrugën e Durrësit në Tiranë me sipërfaqe 104 metra katrorë. Ajo i pati deklaruar këto të ardhura si të kursyera në emigrim në Greqi.

Duke reflektuar këto probleme, KPK rezultoi e ndarë dy vota në favor të konfirmimit të saj në detyrë dhe një votë kundër.


Etiketa: , ,

Pas